Home KRYESORE I stand with girls, but… Nga Alma Lleshi

I stand with girls, but… Nga Alma Lleshi

Jam me vajzat dhe vajzën nga Nikla, sigurisht!

Por po guxoj,

s’jam fare me përdorimin e emrit të saj përbri refrenit me dhunë e përdhunë, që e ktheu në simbolin e viktimës, me dashjen apo jo të saj.
Dhe kjo është ajo me të cilën dua të qëndroj, me vajzën dhe dhimbjen e saj.

Qëkur doli historia e trishtë, nuk ngeli njeri pa ia përmendur emrin, herë me ‘i’ e herë pa ‘i’, dhe herë herë më dukej sikur mjaftoheshin vetëm me ‘ajo, e përdhunuara’.

Gjithe ai pluhur i hidhur, u kthye në një llaç pa shije. Megjithë pashijen e ditëve me të çuditshme të fundshtatorit, ‘trimi i babit’ u arrestua.

‘Çuni trim i babit’ në qeli i kapur nga mallkimi rit,

‘Të ardhtë nga vetja…’

E megjithë entuziazmin e ndëshkimit, mendja më rri tek vajza, ajo ‘vajza nga Nikla’.

Kështu e quajti Rama kur e pyetën, e nëse ai e ka kuptuar vërtet se vajza nga Nikla ka shumë… atëherë qëndroj me ‘dhimbjen pa emër’ përsëri.
Se ‘dhimbjen pa emër e pa zë’ e ka çdo femër që kur vjen në jetë e deri kur sjell jetë sërish…
Dhe mendoj vajzën, nënën e vajzës dhe motrën e saj, që bashkë me dhimbjen që pësuan, dëgjojnë nga mëngjesi deri në darkë, nga një Shqipëri e tërë, gjithçka ndodhi.

Gjithë ai llaç i hidhur që të përshpifet në kokë!
Sepse ne jemi ata që kemi qenë, ne do e tregojme vajzën me gisht, dhe rrokje më rrokje të pashpirtët do guxojnë t’ia shqiptojnë emrin.
Problemi është sesi ndihet vajza tani, më shumë heroinë apo viktimë. Vetëm ajo e di e mbase kurrë s’do guxojë të na tregojë.

Historia e vajzes nga Nikla, më solli ndër mend një pështjellim po kaq çnjerëzor…kohë më parë, pas 21 janarit.

Një gardist me snajper atëherë u akuzua se vrau njerëz në bulevard.

Familja e gardistit jetonte në pallatin përballë meje. Përveç hyrjes e daljes nga burgu, familja e tij e përballur prej kohësh me opinionin përreth, ishte e detyruar të dëgjonte përdhunshëm, emrin e mbiemrin e bashkëshortit dhe babait vrasës, në gjithë promot e mundshme të një emisioni të njohur në Top Chanel.

Por gardisti ishte (dhe vazhdon të jetë), babai i një studenteje të shkëlqyer në inxhinieri dhe i një djali të vogël shumë të talentuar në futboll.
Më therte buzëqeshja e mrekullueshme e atyre dy qenieve krejt pafaj, tek sfidonin llaçin e hidhur që shpifej me emër e mbiemër.

Gjithçkaja harrohet e kalon, kështu ndodh e kështu e kemi bindur veten që nga errësira.
Harruan fëmijët e gardistit dhe duke fikur TV, nuk panë as sesi gazetari, emisioni i të cilit kishte kryefjalë emrin e babait të tyre, i akuzuar kohë më pas për një detaj krejt intim, i kerkoi ndjesë vajzës së vet për shqetësimin që i kishin sjellë mediat.

Ironike, për të qeshur e qarë njëkohësisht. Ne jemi vetëm ‘Një gabim’, që bëjmë përherë atë që ‘Nuk duhet’.

Sepse në fillim ishte fjala… por fjalën e vrau çmenduria jonë kaq shumë, e tashmë veç heshtja merr vlerë.

I stand with girls…
Por këtë herë, më mirë po hesht!

Nga Alma Lleshi

Share: