Home KRYESORE Ja si duhet Kodi Zgjedhor. Nga Dr. Enriko Ceko

Ja si duhet Kodi Zgjedhor. Nga Dr. Enriko Ceko

Kodi Zgjedhor është një ndër dokumentet më të rëndësishme ligjore, që qendron midis Kushtetutës dhe sistemit politiko-ligjor të një vendi. Kodi Zgjedhor është një ligj që ndan të mirën nga e keqja, të drejtën nga e padrejta.

Një Kod i mirë zgjedhor përcakton qartë 10 çështje, që renditen më poshtë:

Cilët individë janë të thirrur (të lejuar) të votojnë dhe të votohen dhe procedurat nën të cilat këta persona duhet të regjistrohen për të votuar dhe për t’u votuar, apo të prezantojnë identifikimin e tyre në mënyrë që të votojnë dhe të votohen.

Cilët janë personat që mund dhe duhet të kandidojnë për të qenë drejtues të zyrave të shtetit e të pushtetit lokal, duke përfshirë këtu edhe moshën, rezidencën, kërkesat e shtetësisë e nënshtetësisë si dhe procedurat nën të cilat kandidatët duhet të shfaqen gjatë procesit zgjedhor si dhe rregullat që qeverisin kandidimin.

Kuadrin nën të cilin partitë politike organizojnë zgjedhjet e tyre të brendëshme dhe përcakton edhe mënyrat e mjetet se si partitë politike i përzgjedhin kandidatët e tyre për procesin zgjedhor.

Rregulat për financimin e zgjedhjeve, dhënien e kontributeve, kufizimet për këto financime, rregullat për financimin publik të zgjedhjeve, garantimin e fshehtësisë së kontribuesve që ligji lejon, rregullat që qeverisin ndërhyrjen e grupeve të interesit, që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta me kandidatët që marrin pjesë në fushatë dhe që e organizojnë atë.

Rregullat dhe kërkesat për krijimin e zonave që zgjedhin përfaqësuesit në parlament.

Kufizime shumë të ashpra për advokacinë e fushatave elektorale, reklamat false dhe reklamat anonime.

Mënyrën dhe mjetet se si numërohen votat përgjatë procesit dhe se si informacioni i procesit të votimit paraqitet tek votuesit.

Mënyrën dhe mjetet se si llogariten votat në proces, si rillogariten ato dhe nëse mund të bëhen apo jo ndryshime në proces edhe në numërimin edhe në llogaritjen e votave.

Si dhe kur votuesit dhe kandidatët mund të bëjnë ankimime ligjore për të kërkuar të drejtat e tyre apo për të kundërshtuar rezultatet e procesit zgjedhor dhe kjo bëhet duke përkufizuar saktë dhe qartë atë se ç’farë përbën vjedhje elektorale dhe krime të tjera kundër sistemit electoral.

Burimet e Kodit Zgjedhor, që sipas praktikës më të mirë botërore dhe modeleve moderne janë: kushtetuta, vendimet gjyqësore të mëparshme dhe ndërthurja e këtyre burimeve ligjore.

Share: