Home KRYESORE Presidenti Meta në Bajram Curri: Tropoja përbën një epos plot histori dhe...

Presidenti Meta në Bajram Curri: Tropoja përbën një epos plot histori dhe personalitete 

Presidenti Meta në Bajram Curri: Tropoja përbën një epos plot histori dhe personalitete

Presidenti Meta përshëndet veprimtarinë kulturore “Kcimet e Tropojës në UNESCO”

13 tetor 2018

Bajram Curri, Tropojë

Presidenti Republikës, SH. T. Z Ilir Meta i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj e të zgjedhur të pushtetit vendor, Ambasadori i Japonisë Makoto Ito, zonja Mariana Graff, deputetë, përuroi një qendër sociale në qytetin e Bajram Currit, që do të strehojë 15 familje të pastreha dhe në kushte të vështira ekonomike, gjashtë prej të cilave i përkasin komunitetit rom.

Më tej Presidenti Meta mori pjesë dhe përshëndeti veprimtarinë kulturore “Kcimet e Tropojës në UNESCO”, ku performuan grupe të ndryshme artistike dhe Ansambli i qytetit.

Në fjalën e tij përshëndetëse Presidenti Meta theksoi: “Ardhja për mua në Tropojë është një kënaqësi, përgjegjësi dhe emocion i veçantë! Është kënaqësi sepse kam shumë lidhje e miqësi të panumërta të krijuara në kohë dhe raporte të ndryshme! Është emocion, sepse Tropoja përbën një epos plot histori dhe personalitete që i kanë dhënë shumë kombit shqiptar për lirinë dhe pavarësinë, për indentitetin dhe dinjitetin kombëtar, për politikën dhe diplomacinë, për arsimin dhe shkencën, për artin dhe kulturën.

Mbarë populli shqiptar i është mirënjohës popullit të Tropojës për atë çfarë i ka dhënë kombit. Ky vend është libër i një historie të madhe. Ky popull ka nxjerrë trima të pafund, mendimtarë të rrallë, politikanë të shquar, diplomatë të mprehtë, oratorë të zjarrtë, filozofë popullorë, rapsodë, gurrë të pashuar, artistë me famë.

Në çdo event të rëndësishëm të popullit dhe të kombit shqiptar është prania, kontributi dhe protagonizmi i tropojanëve.

Kjo, sepse tropojanët kanë qenë gjithmonë të shqetësuar për fatet e Shqipërisë e të shqiptarëve. Tropojanët u gjenden dhe kontribuan në Lidhjen e Prizrenit, në Lidhjen e Pejës, në Lidhjen e Junikut, në Kuvendin e Vlorës, në Konferencën e Bujanit e në çdo ngjarje. Do të duhej një kohë e gjatë për të përmendur emrat e tyre me kontribute të paharruara për çështjen kombëtare si Haxhi Zeka, Bajram Curri, Binak Alija, Mic Sokoli Dervish Luzha, e shumë të tjerë.

Pesha që Tropoja dhe tropojanët kanë mbajtur në kapërcimin e jashtëzakonshëm nga diktatura në demokraci është e rrallë.

Jam sot këtu për t’u përkulur me respekt e mirënjohje të veçantë ndaj veprës së Azem Hajdarit, udhëheqësit të ‘Lëvizjes Studentore’. Nuk duhet të harrojmë se dy udhëheqësit kryesorë të Lëvizjes Demokratike si Azem Hajdari, ashtu edhe Sali Berisha ishin nga Tropoja. Po jo vetëm ata, edhe shumë të rinj të tjerë, edhe shumë personalitete të tjera, intelektualë si Besnik Mustafaj e shumë të tjerë, ishin pikërisht nga Tropoja.

Ashtu sikurse nuk duhet të harrojmë se pa vendimmarrjen dhe vendosmërinë e Sali Berishës edhe sot, Rruga e Kombit nga Tirana në Prishtinë mund të mos ishte bërë dhe shqiptarët do të vazhdonin të udhëtonin drejt njëri-tjetrit përmes Maqedonisë.

Tropoja ka qenë dhe vazhdon të mbetet një krahinë me rëndësi strategjike mbarëshqiptare dhe fqinjësore.

Bjeshkët e Tropojës kanë lidhur komunitetet shqiptare nga Kosova, Malësia e Madhe e Mali i Zi. Këto male të larta e të thepisura gjithëherë me borë nuk i kanë ndarë, por i kanë bashkuar shqiptarët e malsive tona kreshnike. Këto Bjeshkë, dikur të quajtura të ‘Nëmura’ neve duhet të punojmë që të quhen ‘Të bekuara’. Se të bekuara janë vërtetë me bukuritë dhe pasuritë, me florën dhe faunën, me ajrin e ujrat kristale, me livadhet e pyjet shekullorë, me arrat, gështenjat, boronicat dhe mjaltin, që nuk gjenden askund më me shumicë dhe më me cilësi se sa në këto Bjeshkë të bekuara.

Është detyra e jonë dhe e gjeneratave që vijnë të lehtësojnë akoma më shumë lidhjen e komunikimin ndërbjeshkor midis shqiptarëve, por edhe lidhjen me fqinjët tanë të mirë. Alpet ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi i lidhin aq mirë shqiptarët me njëri-tjetrin. Por kësaj lidhje natyrore e njerëzore ne duhet t’i shtojmë me investimet tona në infrastrukturë, rrugë, energji, telekomunikim, dixhitalizim dhe lehtësi të tjera, të cilat realizojmë një konektivitetet mbarëvjetor ndëmjet të tre vendeve tona. Ky zhvillim do i shndërrojë Alpet e Shqiptarëve në një mrekulli të jashtëzakonshme të trashëgimisë botërore.

Por, që ky zhvillim të arrijë këtë objektiv madhor neve duhet të ruajmë si sytë natyrën e Bjeshkëve, pyjet, kullotat, florën dhe faunën, ujrat, përrejtë dhe lumejtë.

Ekosistemi i Bjeshkëve të Veriut është një nga pasuritë më të mëdha natyrore e turistike të popullit shqiptar dhe të mbarë Ballkanit Perëndimor. Këtë ekosistem të krijuar nga natyra dhe të ruajtur si sytë e ballit nga populli ndër shekuj duhet ta ruajmë me çdo mjet nga projektet e nxituara, të pamenduara, të shtyra nga politikat ditore po edhe interesat e çastit. Për Bjeshkët ekosistemi është gjithçka. Si i tillë ky ekosistem duhet të mbetët i pacenueshëm nga askush, për asnjë çast dhe për asnjë arsye. Ne dhe brezat që vijnë vetëm duhet t’i shtrojmë vlerat Bjeshkëve tona.

Tropoja ka qenë dhe mbetet një krahinë me rëndësi të veçantë strategjike midis Shqipërisë dhe Kosovës. Pikërisht për këtë Tropoja njihet ndryshe edhe si ‘Malësia e Gjakovës”. Kosova dhe Tropoja i kanë pasur vuajtjet dhe gëzimet së bashku. Prandaj mund të themi me krenari se në themelet e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës qëndron edhe gjaku i bijve dhe bijave më të mirë të Tropojës si dhe sakrificat e mbarë popullit të saj.

Gjithçka e lidh Tropojën me Kosovën, asgjë nuk e ndan prej saj. Kjo lidhje Tropojë-Kosovë nuk është thjesht gjeografike. Ajo është historike, aktuale dhe perspektive, është etnike, kulturore e zakonore, është dialektore, shpirtërore dhe morale. Këtë lidhje të shumëfishtë tradicionale Tropojë-Kosovë ne duhet ta forcojmë përmes zhvillimit të projekteve të përbashkëta që shtojnë bashkëpunimin e gjithanshëm, lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve e të kapitaleve.

Tropoja është një trevë e jashtëzakonshme thesari kulturor kombëtar. Folklori është një minierë pasurie të paçmuar në Tropojë. Ai qëndron në harmoni me gjithçka. Tek kordha e lahutës ndjehet jehona epike e Bjeshkëve; tek dy telat e çiftelisë përjetohet gëzimi jetës dhe cicërimat e zogjve; tek madhështia e sharkisë dëgjojmë gurgullimën e ujërave dhe mençurinë e kuvendeve të odave malsore; tek vallet e cikave shihen zanat shtatëhedhura e të lehta si flutura, ndërsa tek vallet e burrave ndihet rëndesa e shkëmbijve, por dhe fluturimi i shqiponjave; tek kostumet popullore vezullon diversiteti natyror shumëngjyrësh në një harmoni perfekte dhe tërësisht unikal.

Kjo trashëgimi kulturore na ka ardhur deri sot e pasur, unike dhe e pacenuar falë kontributit të madh të shumë personalteteve dhe unë do të përmendja disa, se ata janë shumë: Fatime Sokolit, Fatmira Breçani, Gëzim Nikaj, Skënder Haklaj e shumë të tjerë. Ne na duhet të bëjmë gjithë përkjekjet që këtë thesar ta shndërrojmë në brand kulturor aktiv, i cili sjell mirëqenie dhe jo vetëm krenari. Dikur thesari i Tropojës shkonte rrallë nëpër botë, por çmohej shumë. Tani që po vjen mbarë bota në Tropojë, ky thesar duhet të jetë patenta kulturore e Bjeshkëve duke gjeneruar vlerat e larta të identitetit kulturor shqiptar.

Shumë nga thesaret e trashëgimisë kulturore artistike të Tropojës duhet të promovohen nga institucionet tona më shumë e më mirë, nga ato lokale e deri shtetërore për të synuar që të bëhen pjesë e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s. Arritja që kemi realizuar me Iso-polifoninë e Jugut në UNESCO duhet të pasohet edhe me zhanre të trashëgimisë folklorike të trevës së Tropojës. Për këtë kërkohet një punë e kujdesshme dhe një paraqitje profesionale nga institucionet tona shkencore, kulturore e artistike.

Të dashur pjesëmarrës,

Tropoja po shndërrohet në një zonë turistike të mrekullueshme dita-ditës. Është me rëndësi vizioni që do keni të gjithë për këtë industri të tillë të madhe dhe komplekse. Çdo zonë turistike në botë, por edhe Shqipëria vetë zhvillohet mbi specifikat e veta. Për trevën e Tropojës është specifike në mëyrë të veçantë që ajo t’i mbajë të bashkuara të të pandara tre vlera: natyrën, agro-turizmin dhe folklorin.

Në Tropojë këto tre tipare përbëjnë një lidhje unike e të pandarë-një brand sintetik turistik Tropojan. Të tre këto vlera, natyra-agroturizmi dhe folklori duhet të jenë pjesë e kësaj industrie të mirëmenduar turistike Tropojane. Asnjëra nga këto vlera nuk duhet të mënjanohet e të nënvlerësohet. Turistët në Tropojë do kënaqen me natyrën përrallore, duke shijuar vallet mahnitëse dhe tronditëse; duke shijuar flinë, kaçamakun,  mazën e zier, duke dëgjuar muzikën popullore; duke provuar troftat e kuqe, por njëkohësisht edhe duke u ëmbëlsuar me boronica me mjaltë gështënje duke iu shndritur sytë nga vezullimet e kostumeve popullore.

Tropoja është perla ku bashkohen mrekullisht natyra-agroturizmi, folklori. Ky është brandi i Tropojës. Duhet ta zhvilloni ju atë dhe të gjithë së bashku për të sfiduar tregun turistik rajonal, evropian dhe botëror. Ju, tropojanët i keni të gjitha mundësitë për të ecur drejt realiteteve të reja në zhvillimin e turizmit. Unë dua t’ju siguroj që do të bëj çdo gjë si President i Republikës duke nxitur të gjitha institucionet që të mbështesin këtë projekt madhor të shndërrimit të Tropojës, të kësaj treve unike mbarëshqiptare, në thesar të turizmit europian dhe botëror.

Në këtë ambicie në mënyrë të veçantë, unë u bëj apel fëmijëve dhe rinisë tropojane, që të luajnë një rol dhe një kontribut të jashtëzakonshmëm, pasi e ardhmja do t’i shpërblejë me një mundësi të jashtëzakonshme për t’i realizuar ëndrrat e tyre këtu në Tropojë dhe në Shqipëri në këto bjeshkë të bekuara!

Zoti e bekoftë këtë vend të mrekullueshëm dhe popullin e mrekullueshëm të Tropojës!”

Presidenti i Republkës vlerësoi disa personalitete të spikatura  të artit, kulturës dhe gazetarisë, të zonës së Tropojës, zotin Islam Lauka;  zotit Ndue Smail Ukcamaj,  zotit Skënder Zeqir Dezhlani, Murat Ali Hajdarit (pas vdekjes), zotit Skënder Ram Haklaj si dhe Xhevahire Elez Gashit (pas vdekjes).

Share: