Home KRYESORE Nëse s’ka Europë, çka ka, Azi? Nga Ndue Ukaj

Nëse s’ka Europë, çka ka, Azi? Nga Ndue Ukaj

Nëse s’ka Europë, çka ka, Azi?

Këtë pyetje, ia shtrova vetes, sapo lexova një deklaratë të njërit prej zëvendëskryeministrave të Qeverisë së Kosovës, i cili, në media kishte pohuar: “Nëse nuk ka vendim pozitiv, s’kemi asnjë arsye t’i besojmë Evropës për asnjë gjë të vetme dhe të mundshme sepse ne kemi kryer punët”.

Shqiptarët, kanë një raport të çuditshëm me Europën: e duan dhe s’e duan. Mund të jetë pasojë e mallit për të, por një deklaratë e tillë, në një kohë thyerjesh të mëdha globale, pa dyshim, zgjon dyshime dhe pyetje:

Nëse s’kemi besim në Europë, te kush të kemi?

Kosova dhe Shqipëria, qëmoti do të ishim pjesë e Bashkimit Europian, sikur kjo të varej nga parullat, llafologjia dhe hipokrizia, tipare këto që e karakterizojnë mendësinë politike të estabilishmentit politik shqiptar, në Tiranë e Prishtinë, politikanët e së cilave vende llomotisin pro Europës, ndërkaq, veprimet i kanë krejtësisht jo Europiane.

Ndryshe, nuk mund të kuptohet kjo prapambetje e jona në rrugën për t’u bërë si krejt Europa!

Prandaj, në vend të çirrjeve dhe sharjeve ndaj Bashkimit Europian, më mirë është të punojmë që, Europën ta bëjmë atdhe të vlerave tona të përbashkëta. Dhe kjo është në dobi të dinjitetit të kombit shqiptar dhe qytetarëve të rraskapitur, që Europën e kanë Tokë të Premtuar.
Akuzat ndaj Europës, janë të pështira. Ne, gjithë e dimë se, ekzistenca dhe liria jonë, varen kryekëput nga ajo. Për më tepër, akuzat ndaj saj, janë të pështira, derisa oborri ynë është kaq i parregulluar, kaq i ndytë dhe kaq i paqartë. Ndryshe, tregohemi qyqarë dhe të pasinqertë.

Deklaratat që ushqejnë sentimentet joeuropiane, që domethënë antiperëndimore, janë të dëmshme për shëndetin tonë kombëtar dhe në të njëjtën kohë, e mbushin hambarin politik të kundërshtarëve të shqiptarëve. Të tillët nuk janë pak!

Meqë si popull, shquhemi për kujtesë të shkurtër, atëherë është e udhës ta përsërisim: Europa është ide. Është një parim shpirti. Është kulturë. Ajo që a ndanë kontinentin e bukur, është politika, ndërkaq, ajo që e bashkon, është kultura, siç kanë thënë të diturit e saj: të artit, të mendimit dhe të politikës. Dhe, mbi këtë parim, është ngjizë ideja e BE-së. Prandaj, etërit e saj, themeluesit, pohonin me vendosmëri se, BE- ja para se të jetë aleancë politike, është aleancë kulturore.

Ne, deri sot, s’ e kemi kuptuar këtë postulat. Kemi flirtuar “tinëzisht” me armiqtë e BE- së. Prandaj, është e pakuptimtë ta fajësojmë atë pse oborrin tonë e kemi kaq shumë të papastër.

Share: