Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka dhënë një intervistë për “Conflict Zone” të Deutsche Welle-s.
Kryeministrja serbe tha se me Kosovën duan marrëveshje gjithëpërfshirëse.
“Viti më i afërt i anëtarësimit të mundshëm në BE për ne është viti 2025. Ndaj mendoj se ekziston mundësia që deri në vitin 2025 të nënshkruajmë një marrëveshje të qëndrueshme për normalizimin e raporteve me Prishtinën”, është shprehur ajo.
Kryeministrja ka folur edhe për masakrën e Srebrenicës në 1995. Ajo e ka konsideruar një krim të shëmtuar, “ishte një krim lufte”. Brnabiç përsëriti “ishte një krim i tmerrshëm”, por ajo kundërshtoi se ishte gjenocid: “Gjenocidi është kur ju jeni … duke vrarë gjithë popullsinë, gratë, fëmijët dhe kjo nuk ka ndodhur”, u shpreh kryeministrja.
Ajo shtoi se “nuk është bërë në emër të popullit serb dhe serbët nuk mund të fajësohen kolektivisht për atë që ndodhi. Nuk mendoj se ishte gjenocid” . “Serbia deri tani është shembulli më i mirë në rajon se si të merren me krimet e luftës”, tha kryeministrja serbe, kur u pyet përse disa zyrtarë të lartë ishin ndjekur penalisht.
Kujtojmë që në masakrën e Serbenicë pati 7,000 të vrarë dhe 36,000 persona refugjatë nga 42,000 banorë. E po ashtu 14 dënime për gjenocid./opinion.al