Home KRYESORE Për firmën Gjikuria, oligarkun e Ramës dhe himariotin që po grabit himariotët!

Për firmën Gjikuria, oligarkun e Ramës dhe himariotin që po grabit himariotët!

Nga Nikollaq Neranxi *

Firma Gjikuria është një emër shumë i njohur për publikun, ndërkohë që për ne që jemi himariotë, pronarët e saj i njohim nga afër sepse janë nga zona jonë. Kjo ka qenë arsyeja që, kur kjo firmë fitoi të drejtën për të bërë punime në kuadër të Rikualifikimit Urban në Himarë, ne iu folëm duke iu thënë që nuk duhet të fillojnë asnjë punim për faktin se ai projekt është paditur në Gjykatë nga Shoqata për Mbrojtjen e Pronave, Shtëpive, Kulturës dhe Historisë Himarë dhe investimi që ju po kërkoni të bëni, kalon në prona private, ku banorët, (përfshirë edhe mua) jemi në proces të marrjes së dokumentave të pronësisë.

Ndërkohë ata nuk reflektuan por këto ditë, kanë çuar në lagjen Spile Himarë fadromat duke mos pyetur as për ligj dhe as për faktin që po grabisin tokat e atyre me të cilët janë rritur. Unë e kuptoj mirë nga i vjen Gjikuriajve gjithë kjo kurajo. Ata djem janë të preferuarit e Ramës. Dikur kur ishte Kryetar Bashkie, Gjikuriajt merrnin pjesën më të mirë të projekteve të Bashkisë së Tiranës. Ndërsa sot që Rama është Kryeministër, Gjikuria ka marrë çfarë ka dashur, projekte pa fund të shoqëruara me abuzime pa fund të cilat janë pasqyruar shpesh edhe në media dhe në programe investigative. Megjithatë abuzimet pak rëndësi kanë për Ramën, ai ka vijuar duke shpërblyer miqtë e tij së fundi edhe me leje për resort në Dhërmi dhe me projektin 47 milion euro të 14 km rrugë Orikum-Dukat dhe me siguri iu ka thënë; më keni mua, mos e vritni mendjen, shkoni ndërtoni ç’të doni mbi pronat e himariotëve. Gjikuriajt kanë bërë dhe ca marifete të tjera, duke paguar eksponentë dhe organizata që kanë influencë në Himarë të cilët ju kanë premtuar që të vijojnë punën të qetë sepse banorët i bindim ne, pra me pak fjalë i mashtrojmë ne! Gjithashtu me ndihmën e Bashkisë hajdute të Himarës, këtë projekt e kanë nxjerrë nga ai i Rikualifikimit në mënyrë që nesër të thonë, nuk është ai projekt që është hedhur në gjyq, por një tjetër!

Por i keni bërë llogaritë gabim more djema gjakprishgur të Himarës. Nuk mund të grabisësh pronën e dikujt që e ka trashëguar brez pas brezi dhe që paraadhësit e kanë mbrojtur nga pushtuesit që të na e trashëgojnë ne dhe ju pushtuesit e rinj, vini që të fitoni edhe aty para, në kurrizin tone!

Ai projekt është në proces gjysor dhe padia tashmë është çuar në Strasburg. Edhe projekti i ri që keni bërë, është çuar në gjyq nga Shoqata jonë. Të ndërtosh mbi një pronë private pa marrë lejen e pronarit dhe pa e shpronësuar atë, është një faj i madh të cilin edhe po ju a falën Gjykatat shqiptare, Strasburgu nuk ju a fal.

Unë në emër të banorëve të Himarës ju bëj thirrje që të largoni urgjentisht nga tokat tona fadromat tuaja grabiqare, sepse po se bëtë, do përballeni me zemërimin tonë dhe ne nuk do t’ju ndahemi këmba këmbës edhe me procese gjyqësore deri në Strasburg dhe ato para që kërkoni t’i fitoni sot mbi kurrizin tonë, do t’i paguani 100 fish nesër!

Nikollaq Neranxi
Kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Pronave, Shtëpive, Kulturës dhe Historisë Himarë

Share: