Home KRYESORE BESOJ NE TY, NËNA TEREZ, BESOJ TE DASHURIA!

BESOJ NE TY, NËNA TEREZ, BESOJ TE DASHURIA!

Nga Albert Vataj

Nëna Terezë, duke u lutur gjatë ceremonisë së përkushtimit në misionin e saj të 400-të botëror të kujdesit për të varfërit, 7 janar 1988, Tijuana, Meksikë.

Kjo foto është një nga më përfaqësueset dhe më impresionueset e Nënë Terezës, Shenjtores shqiptare, të shtrenjtes së mëshirës dhe devocionit.

Kjo grua e madhe erdhi për të qenë shëmbëllimi i njimendtë i dashurisë së Zotit për njeriun. Dëshmoi me jetën dhe veprën e saj mirëbërëse, se gjithçka është e mundur në besim. Udhëhoqi vullnetet e dlira dhe forcën e arsyes për të ndërtuar altarin e së mundshmes qiellore dhe bërjen e vullnetit të Hyut si në qiell ashtu edhe në tokë. Udha e saj e gjatë dhe e mundimshme është shembulli më domethënës i forcës që gjallon prej mirësisë dhe dhemshurisë, mëshirës dhe besimit.

Faleminderit Zotit që ishe, Nëna Terezë!

Mirënjohje që erdhe për të dëshmuar forcën e një gruaje, mrekullinë e besimit, magjinë e mëshirës dhe përkujdesit, mirësinë e devocionit dhe përulësisë.

Gjunjëzohem para shenjtërisë së kësaj gruaje si përpara më të lartës vepër të njeriut, që vjen për të sprovuar se çfarë është në gjëndje të bëjë vullneti i mirë dhe përkushtimi në emër të asaj që mëkon shpirtin.

Kjo grua shtatshkurtër i dha botës altarin më të lartë të dashurisë dhe besimit, i kumtoi njerzimit se gjithçka për të cilën kemi nevojë është dashuria.

Dashuroni me gjithë shpirtë dhe do ta ndjeni brenda vetes diellin e përtëritjes së forcave dhe besimit.

Albert Vataj

Share: