I dënuar në Itali për prostitucion dhe dyshime për ryshfet, shkarkohet kreu i policisë në burgun e Peqinit. “Panorama” shkruan këtë të hënë se kryekomisari Besnik Kaptelli është shkarkuar nga detyra disa ditë më parë. Sipas të njëjtave burime Kaptelli ka qenë i dënuar nga shteti italian për shfrytëzim prostitucioni.
47-vjeçari është dënuar me 5 vite burg nga një gjykatë në Torino, si tutor i shfrytëzimit të prostitucionit, vend ku ka jetuar për disa vite si emigrant. Kaptelli dyshohet se pak kohë më parë i ka dhënë leje në këmbim të një ryshfeti një të dënuari me probleme në Burgun e Sigurisë së Lartë të Peqinit. Të burgosur të tjerë kanë bërë denoncime për komisarin, duke e akuzuar për ryshfet. Në vendimin për shkarkim ai cilësohet si “i papërshtatshëm për detyrën”.
Në maj 2017, kur kishte postin e shefit të Policisë së Burgut të Kosovës, iu dogj tërësisht makina në lagjen “Skënder Libohova” të Lushnjës. Më herët edhe ish-Kryeministri Sali Berisha e ka denoncuar si të korruptuar. Në nëntor të vitit të kaluar, Berisha shkruante se Kaptelli ishte shkarkuar nga ministri Ylli Manjani për shpërdorim detyre, por, 47-vjeçari u rikthye sërish në Policinë e Shtetit, kur Ministrinë e Drejtësisë e mori Etilda Gjonaj.
Kaptelli ishte gjithashtu një prej të pyeturve nga Komisioni parlamentar Hetimor për hyrjen e pajisjes përgjuese “IMSI-catcher” në Burgun e Peqinit. Ai mohoi të ketë pasur dijeni për pajisjen