Nga Lis Bukuroca
Këto dy javë kam përcjellë çdo ditë “b92”, “Novostin”, “Danas”, “Blic” dhe ndonjë portal tjetër serb. Mendoja se gjatë dialogut nën trysninë e BE-së, kanë pushuar me fjalorin nacionalist. Isha gabim. Nuk kishte ndryshuar asgjë. Po ai diskurs, si në kohën e Millosheviqit.
Shikova edhe një debat televiziv “qirilica”, ku fliste një serb që kishte jetuar në Amerikë dhe kishte qenë këshilltar i Biljana Plavçiqit, që i pat quajtur myslimanët boshnjak “gabim gjenetik në trupin serb.” Ajo qe dënuar për krime lufte në Bosnjë. Zotëria që kishte jetuar në Amerikë, thoshte se 60 për qind e amerikanëve, në rast nevoje, nuk kanë në shtëpi as 400 dollarë. Nuk qenka Amerika e dikurshme dhe se pjesa dërmuese e amerikanëve, është e zhytur në borxhe. Mungonte vetëm konstatimi se në Amerikë vdesin miliona njerëz në ditë nga uria. Sa e kritikonin Amerikën, në fjalitë e fundit kthehej përsëri kthjellimi, se me amerikanët, duhet të merreshin vesh, por se duhet të jenë me qëndrime më kokëforta dhe të sillen ndaj tyre, si qeveria e serbëve të Bosnjës. Një serb që jetonte në SHBA pyeste në një koment: si mundemi ne serbet e Amerikës të kontribuojmë për Serbinë, kur ju jeni pro rusë?
Për Kosovën flitej me përbuzje dhe racizëm. E ashtuquajtura Kosovë, e ashtuquajtura ushtri, e ashtuquajtura qeveri, Shqipëria e Madhe etj. Pas këtyre dy javëve leximi, kjo pyetje shfaqet si e domosdoshme: si mund të bëhen negociata me një klasë politike serbe, e cila është e robëruar nga urrejtja dhe jeton në të kaluarën duke shpërfillur në tërësi të tashmen?
Në çdo artikull me një fjali nënvizohej forca e tyre ushtarake apo gatishmëria për të nisur luftën. Dëshira për ta çliruar Kosovën me armatën, që ka humbur katër luftëra, ishte e zjarrtë, por po aq e madhe ishte edhe frika për të ndërmarrë hapin e parë, megjithatë, qeveritarët serbë takoheshin dhe shqyrtonin mundësinë e “çlirimit të Kosovës!”
Portale serbe raportuan se Serbia në Luftën e Parë Botërore kishte humbur 1.250.000 veta. Në vitin 1910 kishte 2.890.615 banorë, tok me Kosovën dhe Maqedoninë. Numrin e viktimave e përmendën plot zhgënjim, kur u shqetësuan tej mase, pse Thaçi ishte ulur në Paris, ku sipas tyre, nuk e meritonte. Nga tre milionë, gjysma duhet të ishin gra. Na mbeten një milion e gjysmë, nëse gjysma e këtyre janë fëmijë dhe pleq, na mbeten diku 750.000, nëse 250.000 prej tyre ishin shqiptarë, maqedonas dhe boshnjakë, na mbeten diku 500.000 serbë të aftë për luftë, por nëse gjysma e tyre ka humbur jetën në luftë, atëherë humbja në Luftën e Parë Botërore, është diku pesë herë më e vogël, se sa e propagandojnë qeveritarët serb. Nëse besojmë se diku 1.250.000 janë vrarë në luftë, atëherë do t’ ishte gati gjysma e popullit të Serbisë, por jo e serbëve. Megjithatë, ata vazhdojnë me rrena të tilla, sepse politikanët e huaj, nuk kanë kohë të merren me shqyrtimin e megalomanisë dhe viktimizimit.
E duan BE-në, por në aleancë të ngushtë me Rusinë dhe Kinën. E duan pajtimin me Kosovën, por vetëm nëse fitojnë diçka nga ajo që ka humbur Millosheviqi. Nacionalizmi jonë është defensivë dhe në mbrojtje të pavarësisë, i tyre është nacionalizëm kolonial, ofensivë, plot urrejtje dhe plot bindje për epërsinë serbe mbi kombet tjera në Ballkan. Kosovën e duan vetëm si treg të vetin dhe në çdo artikull, kërkohej anulimi i taksave! Herë e quajnë vend islamik, herë koloni amerikane!
Ata nuk kanë përpunuar të kaluarën, nuk kanë shqyrtuar përgjegjësisë, por përjetojnë veten si viktimë, d.m.th. edhe sot presin që bota perëndimore të kuptojë epshin e tyre për të sunduar dhe pushtuar të tjerët. Patën menduar se ka ndryshuar qëndrimi amerikan dhe krekoseshin herë me armatën, herë me zhvillimin ekonomik, herë me aleancën ruso-kineze, herë me ndonjë vend europian, herë me suksesin e Interpolit.
Pajtimi i SHBA – ve me ushtrinë e Kosovës, i shtangu. Daçiqi dhjetëra herë ka përsëritur se ka ndryshuar qëndrimi i amerikanëve. Kishin shpresa të mëdha te Bolton, por ushtria i përplasi në një realitet tjetër. Ata kanë shpresa se mund të zhbëhet shteti i Kosovës dhe mburren, kur ndonjë shtet tërheq njohjen. Me “Listën Serbe” shpresojnë ta shndërrojnë Kosovën në një shtet jofunksional. Atë Listë ata e përjetojnë si parti të racës sipërore pa dëshirën e të cilës, nuk duhet bërë asgjë. Ata dëshirojnë që në Kosovë të ngrihet një lloj aparteidi, ku serbet qëndrojnë mbi Kushtetutën dhe kështu Beogradi për çdo ndryshim, do të ketë fjalën përfundimtare. Kjo domethënë kthimi i Kosovës në autonomi. Në fakt, viteve të fundit, ishte e tillë.
Negociatat nuk mund të kenë sukses me një qeveri nacional fashiste. Jo vetëm për këtë, por Serbia nuk guxon nga Rusia të pranojë humbjen dhe vazhdojë me politikë konstruktive. Rusia nëpërmjet Serbisë i hakmerret Perëndimit për sanksionet dhe përkrahjen e Ukrainës. Kisha Ortodokse e Ukrainës dje u pavarësua nga Kisha Ortodokse Ruse dhe thanë se nuk do të luten më për ushtarët rusë.
Nuk mund të sjellin kurrë rezultate pozitive bisedimet, derisa ajo nuk përballet me të kaluarën e vet. Nuk mund të ketë zgjidhje pa pranuar fajin. Në debat televiziv ata akoma besojnë se në Raçak, nuk kishte pasur masakër, por se UÇK, i kishte veshur ushtarët e vet me rrobe civile. Kur opinionit të gjerë publik serb t’i prezantohen tragjeditë shqiptare, që ka shkaktuar shteti serb me Millosheviqin, atëherë mund të nisë edhe zgjidhja e çështjes. Gjersa ata të besojnë se plojat dhe dëbimet masive ishin vetëm shpifje, zgjidhje nuk do të ketë.
Me një Serbi të tillë, nuk mund të negociohet. Kjo Serbi nuk dëshiron zgjidhje. Ajo kërkon vetëm fitore. Përshtypja ime pas këtyre dy javëve është kjo: negociata me elitën politike të sotshme, janë po aq të pafrytshme, ose po aq të vështira, si me talebanët e Afganistanit apo Kalifatin e Sirisë. Serbia gjendet akoma në shok, e kultivon këtë gjendje dhe nuk arrin të kuptojë se si populli qiellor, mund të humbë mbështetjen e Perëndimit. Serbia është akoma e ngujuar në nacional romantizmin e vet të shekullit XX. Negociatat po bëhen në mes dy epokave, në mes dy shekujve: shekullit XX ata dhe shekullit XXI, ne. Ne që duam të kemi një fqinj paqësor dhe ata që ngulin këmbë në nënshtrimin tonë. Gjatë tërë kohës së negociatave kanë ecur në dy binarë: në një anë kanë penguar Kosovën me të gjitha mundësitë që kishin, sa arritën të ndikojnë edhe në tërheqjen e disa njohjeve dhe në anën tjetër, shtireshin si konstruktiv.