Shumë vite më parë, do të kisha fatin të isha Këshilltari Ekonomik i Presidentit Bamir Topi për pesë vjet radhazi 2007 – 2012, vite që, politikisht, shënuan shumë turpërime nga ana e politikës shqiptare.
Le të merren “analistët” e politikës për këto turpërime, për arsye se do të merresha me problem serioze, për të cilat sot ndjehem keq.
Sikundër kam thënë dhe do të them pambarim, kam shkruar për të ndrequr diçka nga një pozicion tejet modest.
PO RRJESHTOJ:
Qeveria e kryeministrit Papandreu në fillim të vitit 2010, rezultoi me një borxh në vlerën 482 miliard US$, që konsiderohej më i larti që nga koha e restaurimit të demokracisë në vitin 1974), me një defiçit buxhetor 12.7 për qind të PBB – së, ose më shumë se katër herë përtej pragut 3 për qind sipas standartit të çdo vendi anëtar të BE – së, me një borxh publik 113 për qind të PBB – së, që në vitin 2010 parashikohej të arrinte në 120 për qind të PBB – së, me një papunësi në masën 9.1 për qind (papunësia e të rinjve të aftë për punë 25.7 për qind) dhe me një evazion tatimor tejet të madh të vlerësuar në masën 30 miliard euro/vit.
Për këto arsye FMN – ja për ekonominë greke për vitin 2010 parashikonte një rritje ekonomike (tkurrje në fakt) në masën 0.4 për qind, papunësi në masën 10.5 për qind (ose 1.4 për qind më të madhe se ajo e vitit 2009), një sektor financiar që mund të dobësohej më shumë, për shkak të integrimit të madh të saj me eurozonën (megjithëse prova e stresit tregoi se sistemi bankar grek kishte ende mjaft amortizatorë), rishikimin e nxitësve tatimorë të të gjitha llojeve, ristrukturim të thellë të sigurimeve shoqërore, forcimin e dialogut shoqëror dhe rënien e konkurrueshmërisë së ekonomisë së Greqisë në tregjet e Ballkanit.
Monedha euro emetohet nga 16 vende autonome të BE – së: me fjalë të tjera, sipas Traktatit të Lisbonës, në qoftë se një vend anëtar i tillë si Greqia dëshiron të ketë borxhe që kërcënojnë nivelin e kreditimit të saj, anëtarët e Eurozonës kanë fare pak mjete për ta shpëtuar.
Megjithëatë, qeveria greke u propozoi vendeve anëtare të BE – së një plan për të strukturuar defiçitin gjigant të vendit, me një plan trevjeçar që përfshinte masat për shkurtimin e më shumë se 14.4 miliard US$ (10 miliard euro) të defiçitit për vitin 2010, si dhe premtimet për ta çuar defiçitin në masën 3 për qind në vitin 2012, por tregjet financiare dhe shumë zyrtarë të BE – së nuk besuan se mund të arrihej ajo që bazohej në planet e buxhetit që kishte shpallur Greqia duke i bërë presion qeverisë së Papandreut që të bënte shkurtime më të thella.
Qeveria greke duke konsideruar pakënaqësisë potenciale të revoltave shoqërore nuk mundi t’i bënte menjëherë shkurtimet tejet të mëdha, ashtu siç i pat deklaruar Zoti Papandreu Reuters, duke nënkuptuar se presioni i BE – së do t’i siguronte qeverisë së tij një alibi për raundin tjetër të masave që ajo do të marrë në të ardhmen, për vetë faktin se të gjithë grekët besonin (para zgjedhjeve të vitit 2012) se BE – ja ishte linja e jetës së tyre.
Por pjesa më e madhe e ekonomistëve i konsideroi me skepticizëm statistikat ku mbështetej reforma e paketës fiskale që kishte propozuar qeveria greke; BE – ja, nga ana e saj, në mënyrë diplomatike, i referohej “parregullsive statistikore”; për shembull, planet e qeverisë greke sugjeronin se defiçiti mund të shkurtohet gjatë viteve 2010 – 2011, ndërkohë që kishte parashikuar se ekonomia greke do të vazhdonte të rritej.
Duke mos ndërmarrë veprime të ngutura për të shkurtuar shpenzimet dhe rritur të ardhurat, qeveria greke rrezikoi të ndëshkohej me sanksione të kushtueshme nga ana e BE – së dhe degradime të mëtejshme nga agjensitë e ndryshme të kreditimit, që mund t’i rrisnin shpejt kostot e huamarrjes dhe kështu ta thellonin rënien e saj ekonomike.
Kriza e borxhit grek filloi të paraqiste një ngjashmëri të pazakontë me krizën e hipotekës së dytësoreve (subprime mortgage), krizë që fundosi tregun e shtëpive në SHBA, që e çoi ekonominë globale jashtë kontrollit dhe që shkaktoi krizën financiare më të keqe që nga koha e Depresionit të Madh.
Në fakt Greqia u soll pothuajse si të ishte një vend i hipotekës së dytësoreve, sepse ka marrë para hua më shumë nga sa mund të paguajë dhe, në një rast si ky i Greqisë, “huatë gënjeshtare”, u bënë shkak për falsifikimin e të dhënave dhe llogarive në lidhje me buxhetin; nuk mjaftoi kjo por dolën në shesh probleme të reja, që e bënin të pamundur sigurinë se patën dalë në dritë të gjitha shqetësimet, sepse u hodhën dyshime se grupi gjigant bankar i investimit Goldman Sachs, ishte përfshirë ngushtësisht në biznesin e huadhënies në Greqi.
Por, çuditërisht, ngjashmëritë nuk mbaruan këtu, sepse daljet prej një të keqeje të tillë janë të mundshme, por askush nuk do t’i marrë përsipër ato nga neveria që ka krijuar kjo e keqe në të kaluarën dhe në veprimtaritë e deritanishme.
Pikërisht, ashtu si ekzekutivët e Lehman Brothers Holding Inc., që vazhduan të votonin për të marrë për veten e tyre bonuse gjigante, edhe pse ekonomia po lëkundej drejt falimentimit, kështu bënë edhe punonjësit e sektorit publik grek, duke shkuar nga greva në grevë, për të mbrojtur të drejtat e tyre për të dalë në pension të plotë një dekadë më herët se sa një punonjës gjerman, gjë që ngriti në këmbë shoqatat e tatimpaguesve gjermanë që protestuan me forcë në Bundestag për të mos i dhënë ndihmë Greqisë.
Ashtu si të këqiat e dytësoreve, tundimi ishte i fortë që ta lije huamarrësin të shkonte te “muri i pushkatimit”, për shkak të frikës së rrënjosur thellë se po u përhap e keqja, ajo do t’i prekë të gjithë huamarrësit e tjerë të dobët me një “efekt domino”, disa prej të cilëve mund të rrezikoheshin në qoftë se lejohej që Greqia të falimentonte.
Por as edhe përpjekja për dalje mund të mos ishte përgjigja e duhur, sepse fatkeqësisht, për shkak të ekspozimit që kanë në Greqi bankat franceze dhe gjermane, si dhe në pjesën tjetër të Europës së Jugut, prospekti real i rënies në kolaps të tërësisë së sistemit bankar botëror, sipas ekspertëve, ishte i vogël, me një rrezik të pallogaritshëm për ekonominë botërore.
Kështu, faktori kryesor që e dallonte krizën e borxhit grek nga kriza e hipotekës së dytësoreve në SHBA ishte dhe mbetej dyshimi i rrezikut të përhapjes së një “infektimi” në qoftë se Greqia
falimentonte, sepse Bashkimin Europian, me të cilin u bashkua në vitin 1981, Greqia e kishte parë si një financues ideal për fantazitë dembele të qeverive greke; në këtë mënyrë, u pa se llogaritja ishte e ndryshme nga ajo e krizës së hipotekës së dytësoreve, sepse falimentimi i Greqisë do të shkaktonte “infektim” vetëm në mendjet e spekullatorëve të sëmurë me ethet e financimit dytësor, pa ndonjë bazë solide në realitet.
Nuk do të ishte nevoja e shkëputjes nga euro, vinin në dukje ekspertët, nëse Greqia do ta abandononte ose jo përpjekjen e saj për të qenë anëtare dhe as e një barre të veçantë mbi BE – në si tërësi.
Ky arsyetim sugjeroi se qëndrimi gjerman, ose kundërshtimi për ta nxjerrë Greqinë nga kriza, ndoshta, ekonomikisht, do të ishte rrugëzgjidhja më e mirë, sepse në të vërtetë, qeveria gjermane e perceptoi mjaft saktë problemin e shpëtimit të Greqisë.
Në këtë mënyrë nxjerrja e Greqisë nga kriza do të çonte në një sjellje të keqe fiskale midis një përpjestimi shumë të madh të BE – së që, në mënyrë sistematike, do ta bënte të pamundur shpëtimin e së ardhmes.
Megjithëatë, shpëtimi i Greqisë do të sillte rreziqe afatgjatë, në qoftë se konsiderohet prirja e natyrshme e shpenzimeve në lidhje me elementë më pak përgjegjës të së majtës europiane dhe “afatgjatë” do të thotë më shumë se katër deri në pesë vjet, situatë paradoksale për borxhin e Greqisë.
Por, ekspertët mendojnin se problemi i asaj kohe i Greqisë ishte aftësia paguese, gjithashtu likuiditeti, sepse i duhet të gjente para në dorë për të kapërcyer borxhin ekzistues, pasi Greqia kishte nevojë për rreth 50 miliard euro (64.2 miliard US$) në vitin 2010, prej të cilave rreth 25 miliard euro (32.1 miliard US$) u nevojitën në qershor; herët në prill 2010, me ndjenjën e gëzueshme se asgjë nuk i shqetësonte, zyrtarët grekë i siguruan kreditorët se ata ishin shumë mirë deri në fund të muajit.
Nga paneli i Sokol Ballës, sot më 3 dhjetor 2018, vetëm Zoti Nikolin ishte realist dhe ka një arsye të vetme për këtë:
E PREK PËRDITË TREGUN (NDOSHTA JO ME DORË DHE LLAFE)!
Buxheti 2019 është një nga shfaqjet më të bukura politiko – humoristike të pas viteve 90 – të dhe propozimi i Zotit Bode për anëtar të Bordit të Bankës së Shqipërisë nga Zoti Rama mund të jetë një prej provokimeve më të rëmdomta politike.
Zoti Bode, në qoftë se e quan veten akademik duhet ta kundërshtojë publikisht se do të rrisë besueshmërinë e tij në publik.
Nuk besoj se ka në hall për pak para se sa për më shumë nder.
Kasem Seferi – ekonomist dhe jo “analist”