Home KRYESORE ”Shumë vonë, me hile”, vjen reagimi i parë nga studentët: Rama nuk...

”Shumë vonë, me hile”, vjen reagimi i parë nga studentët: Rama nuk habiti askënd, protesta vijon deri kur…

Pedagogu dhe njëherësh një prej drejtuesve të Lëvizjes për Universitetin Arlind Qorri ka reaguar menjëherë pas konferencës së kryeministrit Edi Rama, ku u propozuan disa zgjidhje për studentët.

Qorri thotë se ato zgjidhje që Rama ofroi sot janë dhënë shumë vonë dhe me shumë hile.

Lëvizja për Universitetin ka renditur 6 pika që sipas tij e bëjnë reagimin e Ramës të pavlerë, pasi sipas tij gjeneza e zgjidhjes së problemit duhet të jetë rrëzimi i Ligjit për Arsimin e Lartë.

Reagimi i plotë:

SHUMË PAK, SHUMË VONË, ME HILE

Gjatë daljes së sotme publike, kryeministri Rama nuk habiti askënd me refuzimin e tij për t’u dhënë zgjidhje substanciale kërkesave të studentëve:

  1. Shumica dërrmuese e studentëve të masterit do të vazhdojë të paguajë tarifa vjetore nga 60,000 deri në 115,000 lekë (të reja) në vit.
  2. Pesha e fuqisë studentore në zgjedhjen e autoriteteve drejtuese të universitetit do të mbetet në 10% mjeran. Vota e një pedagogu do të vijojë të vlejë rreth 300 herë më shumë se ajo e një studenti. As Rama e askush tjetër nuk ka mundësi të marrë në shqyrtim mbi 20’000 universitetet e kësaj bote. Mirëpo ka plot raste ku pesha e votës studentore është më e lartë se 10%. Një shembull mund të ishte Universiteti Autonom i Barcelonës.
  3. Bordet e Administrimit të universiteteve do të vazhdojnë të kontrollohen nga qeveria. Premtimi se një prej përfaqësuesve të qeverisë do të zgjidhet prej 3 propozimeve që vijnë nga strukturat përfaqësuese të studentëve është hileqar. Çdo qeveri i ka aq në dorë strukturat burokratike studentore (këshillat studentorë) sa për të futur një vegël të saj në listën 3-emërore.
  4. Qeveria nuk ka treguar se sa do të rritet buxheti i shtetit për arsimin e lartë. Rama tha se në vitet në vijim do të ketë ulje të ndjeshme të kuotave për studimet bachelor në universitetet publike. Çdo ulje tarifash bachelor-i do të shoqërohet me ulje të numrit të studentëve, çka nënkupton se financimi shtetëror për universitetet publike nuk do të ndryshojë ndjeshëm.
  5. Në kushtet ku diplomoret private lulëzojnë, çdo ulje kuotash në universitetet publike nuk do të zgjidhë “mbiprodhimin” e gazetarëve apo juristëve, por thjesht do t’i shtyjë kandidatët për gazetarë dhe juristë drejt diplomoreve private, duke sjellë miliona euro shtesë për pronarët e tyre.
  6. Mbi të gjitha, qeveria konsideron të panegociueshëm jo vetëm rrëzimin e ligjit të arsimit të lartë, por edhe ndryshimin e pjesshëm të tij:
    a. Universitetet publike do të vazhdojnë të vuajnë nga pasiguria financiare, e cila sjell me vete rritjen abuzive të kuotave të studimeve master, lëshimin e notës dhe komercializimin e jetës universitare.
    b. Diplomoret private do të kenë sërish mundësi të fusin duart në buxhetin e shtetit.
    c. Tarifat e studimeve mund të rriten që vitin e ardhshëm si rezultat i pakësimit të buxhetit për universitetet publike. 
    d. Universitetet do të vazhdojnë të jenë të varura nga qeveria dhe të pavarura nga studentët.

Për të gjitha këto arsye, protestat duhet të vazhdojnë dhe të bëhen më masive deri në PLOTËSIMIN E TË GJITHA KËRKESAVE STUDENTORE DHE RRËZIMIN E LIGJIT TË ARSIMIT TË LARTË.

STUDENTËT E BASHKUAR KANË PËR TË FITUAR!

– Lëvizja Për Universitetin

Share: