Avdjol Dobi, një 26-vjeçar shqiptar rezulton përfaqësuesi ligjor i kompanisë “D-Haberman”, e regjistruar në shtetin Dalaware, kompani e cila ka fituar tenderin e Unazës së Tiranës.
Rezulton se Dobi ka punuar… recepsionist në Spitalin Amerikan në Tiranë.
Ky djalosh, në emrin e të cilit është ngarkuar tenderi multi-milionësh, gjatë dy viteve të fundit ka shërbyer si pritës e përcjellës i klientëve të spitalit privat.
Portali “Boldnews” shkruan se fillimisht, Dobi ka qenë recepsionist në Spitalin Amerikan 2. Më tej, ai transferohet si recepsionist në Spitalin Amerikan 3.
Pas kësaj përvoje profesionale, ai shfaqet si përfaqësues ligjor i kompanisë ‘DH-Albania”, degë e shoqërisë së huaj “D-Haberman”.
Dega shqiptare e kësaj kompanie është regjistruar në QKR në Korrik 2018, vetëm pak javë para se të fitonte tenderin për ndërtimin e Lotit të Parë të Unazës së Re, e konkretisht pjesën nga Pallati me Shigjeta e deri tek rreth-rrotullimi, në mes të kësaj rruge.
Tenderi është zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Ky djalosh i ri, pa asnjë eksperiencë publike në menaxhimin financiar, rezulton të ketë një jetë normale, si të gjithë të moshës së tij.
Është e qartë që dikush tjetër fshihet pas tij.
Kompania “Delaware Haberman”, fituese e tenderit për Lotin 1 të Unazës së Re, është krijuar me 25 qershor 2018, në QKR është paraqitur sikur është kompani e krijuar në vitin 1998.
Është regjistruar në Delaware pasi ligji i atij shteti lejon që emrat e pronarëve të kompanive të mbeten anonime.
k.a. / dita