Home KRYESORE Fadil Kepi: Kushtet e reja për pension nga 1 Janari 2019

Fadil Kepi: Kushtet e reja për pension nga 1 Janari 2019

Specialisti shpjegon kategoritë e personave që pësojnë ndryshime në pensionet e tyre. Ja koeficienti i llogaritjes, duke filluar nga ata që kanë dalë para vitit 1994 deri në fund të 2019-s. Mosha e re e daljes në pension dhe ndryshimet për emigrantët

Kategoritë e personave që pësojnë ndryshime në pensionet e tyre. Koeficientet për llogaritjen e pensionit. Mosha e re e daljes në pension dhe ndryshimet për emigrantët.

Ja ndryshimet ligjore dhe kushtet e reja për pensione në vitin 2019.

Bazuar në nenin 43 të ligjit nr.104/2014, datë 31.7.2014, botuar në fletoren zyrtare 137, për vitin 2019 në krahasim me vitin 2018, kushtet për të dalë në pension pleqërie janë:

-Femrat që kanë punuar në punë të kategorisë së parë ose shumë të vështira si: artistet e koristet e baletit, akrobatet e gjimnastet e cirkut shtetëror, solistet e Teatrit të Opera e Baletit, ansambleve shtetërore, muzikantet e veglave të frymës, të orkestrave dhe të bandave shtetërore, etj, për të përfituar pension të plotë  nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2019, duhet të plotësojnë njëkohësisht këto tre kushte: mosha 58 vjeçe e dokumentuar me fotokopjen e kartës së identitetit, të kenë gjithsej 35 vjet punë të siguruara në vendin tonë nga mosha 16 vjeçe, përfshirë dhe periudhën e studimeve të larta ditën sipas fotokopjes së noterizuar të diplomës duke barazuar një vit shkollor që ka zgjatur rreth 10 muaj  me një vit të plotë pune për pension, dhe nga këto ¾  e 35 vjetëve baras me 26 vjet e 3 muaj të kenë punuar në profesionet  që përmendëm më lart.

-Meshkujt që kanë punuar në profesionet e mësipërme dhe të fonderive, shkrirës të metalit në furrat kubilot, në metalurgjinë e zezë dhe ferro-krom, në industrinë kimike të nitrat amonit, superfosfatit, polumbarët, punonjësit që punojnë me solucione e aerosole, radioaktive, saldatorët dhe elektro-saldatorët në rezervuare, ushtarakët që kanë kryer fluturime ajrore dhe të nëndetëseve, ata që kanë punuar me çekiç me peshë rënëse 100 kilogram e lart, etj. nga 1 janari deri në fund  vitit 2019 do të përfitojnë pension të plotë 63 vjeç ose 6 muaj më shumë se ata që dolën në pension vitin 2018, të kenë 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara gjithsej në vendin tonë nga mosha 16 vjeç përfshirë dhe kohën që kanë qenë ushtar dhe nga këto ¾ baras me 27 vjet e 6 muaj në profesionet e mësipërme që për efekte pensioni klasifikohen  punë të vështira ose të kategorisë së parë.

-Minatorët e nëntokës, të cilët kanë dalë në pension me 60% të pagës në vitin 1995, përfitojnë pension të plotë ditën që gjatë vitit 2019 plotësojnë moshën 63 vjeç, nga 62 vjeç e 6 muaj që ka qenë në vitin 2018.

-Femrat që kanë punuar në punë të kategorive të dyta e të treta, si në bujqësi, tregti, arsim, kulturë, shëndetësi, mediat e shkruara dhe elektronike, shërbime, transport, biznese, fasone, administratën shtetërore  institucione qendrore, komuna, bashki, prefektura, sektor shtetëror e privat, et., do të dalin në pension të plotë 60 vjeçe e 10 muaj kur kanë 36 vjet e  8 muaj punë të siguruara në vendin tonë nga mosha 16 vjeçe, pra mosha u shtohet me 2 muaj dhe vitet e punës të siguruara për pension të plotë, me 4 muaj, në krahasim me vitin 2018.

-Meshkujt që kanë punuar në sektorët e mësipërm të kategorisë së dytë dhe të tretë përfshirë dhe ushtarakët e Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Policisë së Burgjeve, Policisë së Zjarrfikësve, Gardës së Republikës, Shërbimit Informativ të Shtetit e Punonjësve të Kontrollit të Brendshëm, do të dalin në pension 65 vjecc nëse kanë 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara në vendin tonë nga mosha 16 vjeç përfshirë dhe periudhën që kanë qenë ushtar, kanë marrë pagesë kalimtare e pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Mosha  e daljes në pension për burrat mbetet 65 vjeç, por vitet e punës të siguruara për pension të plotë në vitin 2019 në krahasim me vitin 2018, shtohen me 4 muaj.

Para llogaritjes së pensioneve, sigurimet shoqërore, të gjithë pagat bruto nga dita e fillimit të punës deri ditën që dalin në pension do t’i shumëzojnë me koeficientet e rinj të miratuar më vendimin e Qeverisë nr.571, datë 3.10.2018, botuar në fletoren zyrtare 143 të cilët janë më të lartë se koeficientet e mëparshëm  të miratuara me vendimin e Qeverisë nr.927, datë 29.12.2014 që kanë qenë në fuqi për pensionet e caktuara deri më 31.12.2017 dhe  ndikojnë në rritjen e pensioneve për personat që kanë dalë në pension nga data 1 janar 2018 e 2019 e në vazhdim, sepse janë më të lartë se koeficientet e mëparshëm. Këta koeficiente me të cilat para llogaritjes së pensionit sigurimet shoqërore do të shumëzojnë të gjitha pagat bruto mujore të çdo viti të punuar e të siguruar janë:

Për vitin 2019, koeficienti i rritjes së pagës do të jetë si viti 2018 i barabartë me 1.

Pagat bruto nga dita e fillimit të punës deri më 31.12.1993 nuk i çojnë pensionistët në sigurimet shoqërore mbasi janë përcaktuar në vendimin e Qeverisë nr.561, datë 12.8.2005  të cilin ju mund ta gjeni në internet, fletore zyrtare, në legjislacionin përmbledhës të sigurimeve shoqërore botuar në shtator të vitit 2010, faqe 198, ose në drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore. Ndërsa pagat bruto nga 1.1.1994 deri ditën që keni ndërprerë marrëdhëniet financiare me qendrën e punës do t’i çojnë vetë personat e interesuar para daljes në pension. Meqenëse të gjitha pagat bruto shumëzohen me koeficientet e rinj  të përcaktuar në vendimin e Qeverisë nr.571, datë 3.10.2018, ndikojnë në rritjen e pensionit. Shuma mujore e pensionit nuk ka tavan, por varet nga numri i viteve të punës të siguruara dhe paga mesatare bruto mujore e të gjithë periudhave të punuara para e pas vitit 1994. Shuma e pensionit të pleqërisë dhe ai suplementar pavarësisht nga shuma nuk tatohen.

-Paga minimale mujore të personave që kanë punuar në ish-kooperativat bujqësore në shkallë vendi për vitin 2019 do të jetë 1.619 lekë, sa në vitin 2018, por shumëzuar me koeficientin 8,76 baras me 14.182 lekë.

-Rritja e pensioneve në vitin 2019 parashikohet të jetë 3%, nga 2,8% që ishte në vitin 2018.

-Qeveria me vendimin nr.732, datë 12.12.2018, botuar në fletoren zyrtare nr.176, vendosi që shpërblimi për çdo pensionist që datën e fillimit të pensionit e kanë deri 12 dhjetor të këtij viti të jetë 5.000 lekë.

-Në vendimin nr.740, datë 12.12.2018, botuar në fletoren e mësipërme vendosi: Nga 1 janari 2019, shpërblimi për lindjen e fëmijës së parë të jetë 40 mijë, për fëmijën e dytë 80 mijë,  fëmijën e tretë 120 mijë lekë. Kur nënat lindin binjakë shpërblimi do të jetë 80 mijë lekë për secilin fëmijë, kur lindin trinjakë e më shumë, 120 mijë lekë për çdo fëmijë.

-Nga data 1 janar 2019, paga minimale bruto për të gjithë qendrat e punës në shkallë vendi shtetërore e private mbi të cilën do të llogariten e paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore  do të jetë 26 mijë lekë në muaj nga 24 mijë lekë që ka qenë deri më 31 dhjetor 2018.

-Në vitin 2019, parashikohet të dalin në pension 100 persona në ditë, baras me rreth 37 mijë në vit brenda e jashtë vendit. Dokumentet e afatet e dorëzimit në Sigurimet Shoqërore nuk ndryshojnë.

-Edhe gjatë vitit të ardhshëm, pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore për të vetpunësuarit në bujqësi për 14 rrethet: Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë, do të jenë 29.400 lekë në vit nga mosha 16 vjeç pavarësisht nga gjinia, ndërsa për rrethet tjera 38.400 lekë në vit, të cilat fermerët mund ti paguajnë në 4 këste. Të vetësiguruarit si fermerë përfitojnë pensione pleqërie, invaliditeti, familjar dhe lejen e lindjes.

-Fermerët të cilët plotësojnë moshën e pensionit por nuk kanë minimumin prej 15 vjet punë të siguruara, kanë të drejtë të vetësigurohen edhe mbas plotësimit të moshës së pensionit dhe të vazhdojnë të punojnë në bujqësi, blegtori, pemëtari, etj., e marrin njëkohësisht pensionin dhe të ardhurat nga puna e tyre dhe nuk paguajnë më kontribute.

-Kujdes, personat që në vitin 2019, plotësojnë moshën e pensionit dhe kanë 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara gjithsej, do të marrin pension shteti pavarësisht se sa kohë kanë punuar në ish kooperativat bujqësore.

-Gjatë vitit 2019, me vendime të Qeverisë parashikohet që kontributet për fermerët do paguhen mbi bazën e pagës minimale në shkallë vendi por duke lejuar mundësinë që personat që dëshirojnë të marrin pension më të lartë të kenë mundësi të sigurohen edhe mbi pagën minimale deri në pagën maksimale./360grade.al

Share: