Qeveria shqiptare duhet të tërheqë projektligjet për rregullimin e medias në internet.
Në vendet demokratike, ligjet synojnë të mbrojnë qytetarët nga qeveria dhe jo qeverinë nga qytetarët
Një grup organizatash për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lirisë së fjalës dhe organizata përfaqësuese të gazetarëve i kërkojnë kryeministrit, të tërheqë dy projektligjet për median online.
Ne bëjmë të ditur për publikun e gjerë, se këto dy projektligje rrezikojnë ta kthejnë Shqipërinë në një vend jodemokratik, cënojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe nuk zgjidhin asnjë nga problematikat ekzistuese të medias, përfshirë gjuhën e urrejtjes, shpifjen, propagandën apo dizinformimin.
Të dy projektligjet synojnë të krijojnë një regjistër të çdo faqeje në internet dhe i japin të drejtë një institucioni të quajtur “Këshilli i Ankesave”, të gjobisë mediat në bazë të kërkesave të tëtretëve, ose të urdhërojë mbylljen e mediave, ose të aksesit në faqe interneti në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Projektligjet u japin të drejtë AMA-s ose tatimeve, të gjobisin dhe mbyllin median online, pa një procedurë të mirëfilltë ligjore, duke rritur rrezikshëm nivelin e censurës e vetëcensurës ekzistuese në median shqiptare.
Ne vërejmë se rezulton i pasaktë pretendimi i shprehur disa herë nga AMA dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë, përfshirë kryeministrin Edi Rama, se projektligjet në fjalë mbështeten në “modelin kroat”.Nga verifikimet tona, në Kroaci nuk ekziston asnjë legjislacion i ngjashëm për mbikëqyrjen, gjobitjen dhe mbylljen e medias në internet.
Nëse maxhoranca socialiste do të miratojë këto dy projektligje, demokracia jonë hibride do rrëshqasë drejt modelit të një regjimi autoritaritar. Kjo, pasi në vendet demokratike, ligjet synojnë të mbrojnë qytetarët nga qeveria dhe jo qeverinë nga qytetarët.
Nga ana tjetër, tatimi në masën 20% për median online, kur në ndryshimet e ligjit nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të dhjetorit të kaluar, mediave vizive, kjo tarifë u ulet në 6%, dëshmon një targetim të posacëm për këto media, që duhet korrigjuar.
Vetërregullimi i medias dhe edukimi i publikut përmes fushatave për rritjen e njohurive mbi median, propagandën, dizinformimin apo lajmet e rreme janë mjetet e duhura për të luftuar problemet në komunikimin online dhe jashtë rrjetit.
Duke marrë parasysh detyrimet e Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit me Bashkimin Europian, ne vërejmë se të dy projektligjet e propozuara përbëjnë hap pas në procesin e integrimit.
Lista e organizatave nenshkruese te deklarates eshte me poshte.
BIRN Albania
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë
Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë
AIS/Open Data Albania
Civil Rights Defenders
Këshilli Shqiptar i Medias
Qendra Shqiptare MediaLook