Heroina në Shqipëri shitet në mes të ditës, afër shkollave dhe gjykatave, ndërsa gjendet më lehtë sesa një paketë cigaresh.
Bashkëpunëtori i “Fiksit” tha se në vitin 2019, ishte “më kollaj të gjeje drogë sesa të blesh një paketë cigaresh”. “Kjo, sepse për paketën e cigareve mbyllen dyqanet dhe s’ke ku gjen, kurse për heroinën mjafton të lëvizësh nëpër lagje dhe do ta gjesh dikë. Shumica prej nesh e dinë se ku lëviz. Nëse shkon atje, të afrohen vet, të njohin, kanë rojet e tyre. Me një lëvizje të vogël. Ata i ndërrojnë telefonat çdo javë. Nëse je klient i mirë ta japin numrin e ri. Nëse je klient që shkon një herë në muaj, ti përfundon duke lëvizur në çdo lagje”.
Më tej, ai shton se çdo ditë del ndonjë shitës i ri. Shumica kanë pseudonime.
“Pikat i njohim që të gjithë. Mjafton të thuash te Zogu, se i dinë që të gjithë. Mjafton të thuash te Shkolla e Bashkuar, se e dinë të gjithë. Mjafton të thuash në Kombinat, se e dinë të gjithë. Është aq e lehtë sa gjendet në burg. Shiten afër shkollave, brenda shkollave, shumica e pikave ku shiten janë afër shkollave”, përfundon ai.
Më pas, bashkëpunëtori dhe grupi i “Fiks Fare” shkojnë në disa nga këto pika në Tiranë. Në rastin e parë, bashkëpunëtori shkon në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Gjon Buzuku”. Fillimisht takon një përdorues dhe të dy shkojnë të blejnë lëndën narkotike.
Në rastin e dytë, bashkëpunëtori shkon në afërsi të shkollës “Pjetër Budi”, ngjitur me Gjykatën e Tiranës. Pasi i jep 2.000 lekë, i merr shpërndarësit dy doza, në mes të rrugës dhe afër dy institucioneve.
Në rastin e tretë, bashkëpunëtori shkon në afërsi të zonës “Ali Demi” dhe kundrejt 3.000 lekëve merr nga shpërndarësi, sërish në mes të rrugës, dy doza.
Po në rrethe?! Krahas Tiranës, bashkëpunëtori dhe grupi i “Fiks Fare” udhëtuan edhe drejt qytetit të Korçës.
Pa asnjë numër kontakti, grupi shkoi te Drejtoria e Higjienës, ku përdoruesit shkojnë për të marrë metadonin. Bashkëpunëtori bisedoi me një person dhe brenda pak minutash, duke lëvizur në Korçë, arrijmë të gjejmë heroinë.
Në fund, bashkëpunëtori i “Fiks Fare”, i cili tashmë është edhe i varur nga lëndët narkotike, ka një mesazh për rininë: Duhet ta dinë sepse janë në këtë botë. Në momentin që e kuptojnë pse janë në këtë botë, do ta kuptojnë se janë për një qëllim tjetër. Larg, larg, se pastaj do të bini në gropën më të madhe dhe s’ikën më nga ajo gropë. Do të vidhni shtëpinë, prindërit dhe pastaj edhe veten!
v.l/ Dita