Home KRYESORE Poezi nga Norel Zaimi

Poezi nga Norel Zaimi

Zoti s’mund

Ç’do ti bësh dashurisë së absurdit në rrugë,
lëkurës së paprekur të atij mishit periferik
që në shtratin e ftohtë i çel velat si një fllugë,
në det’ të dimrit dallgët shkumon gjithë frikë?

Me se ta molepsësh atë pasion mishërimesh
kur ti ndërmend hapat këpucë pas këpuce,
e vë të flerë për ditë, për netë ëndërrimesh
këtë shpirt, si një kabëll telefonik petashuq?

Eja ti që paracaktove mirënjohjen në ag,
nuk të quajmë langua apo zagar shpendësh
po presim sylartë që të bjerë pak vesë në prag.
Gjaku rrjedh dhe ti ende nuk po përmendesh…

Zot. Por më kot ne hapim perde për dritën,
yjet që i shohim me cepa, rrethorë poezish
nuk janë as kanë qenë mes nesh në përditën
që mëkatari i krijuar nga ty ajrin t’a zhgrish!!!

Larg si në muzg

Është kjo nje ditë larg dashurisë,
udhë që thua ta përshkosh në këmbë
në mundsh stacionin e saj më të afërt
të arrish muzgu do të ketë rënë…

Do të ketë rënë muzgu!

Larg atyre
që vështrimin e qeshur të syve të tu
njohin,
pranë atyre
që gishtërinjtë në rrjedhat e flokëve të tu
freskojnë

Ti dhe unë nuk do ulemi më
ndanë udhe ditën e dashurisë
për të soditur.

Ajo një hap me tej është,
e si tundim i lashtë shpirtin e strukur
ndër vite ta grish!

Mund të çelësh qepallat, ta kundrosh,
te zgjasësh duart, ta prekësh,
t’i flasësh, ta humbasësh

veç atë varg të lirë
per të,
nuk do ta shkruash dot.

Mjerim

Në ag të një dite të papërcaktuar ende
burra të thinjur mbështollen kokat me peshqirë,
ecën kërrusur, ngarkuar si elefantë me re.
E stërmadhe barra që burrat bartnin përpjetë n’efir
duke prishur ekuilibre t’përpikta natyrore,
duke peshkuar ngjala cektinash buzë paracaktimit.
Sukseset e rreme të kohës së lënë pas dore
i gjetën dhe i ndoqën në rrugën pafund të mjerimit.

Përfytyrim

Kur çarçafët e mrrollur gjatë një nate të gjatë në shtrat
i ke hedhur në shesh, një fllad i amël pranveror
të zgjon në kraharor një ndjenjë të pakuptimtë
zbrazëtire. Mbrëmë ke harruar përsëri dritaren hapur…

Patën hyrë vrunduj ëndrrash në shtratin tënd të epërm
si shira të hirtë dhe ti s’mbajte mend asnjë nga ato.

Une jam ai që do të ti pershkruaj ëndrrat e gjalla,
që të mos jenë më mundime, e të mbushesh me kumbime,
me gulçe e ofshaja të lehta tek ndjehesh e mberthyer
me shpinë pas një kraharori leshator mashkullor.

E trazuar, e djersitur ti do shkulësh ajër me gishtrinj të shpenguar,
do ofshash prore me sytë e mbyllur për horizonte të ngjyruara
me rozën e seksit të përveshur si një kerrmill i artë mëngjesor.
Do rrëzohesh teposhtë, në gracka dëshirash,
do ringrihesh të ofshash si e marrë nëpër natën e pafundme
të humnerave të mëdha që kurrë nuk i dije aq të lagështa,
nuk i njihje më parë si kufinjtë dhe brendësitë që çelin prekjet,
shtrëngimet dhe pulsimet e një kurmi që harbon të puthitet me ty…
Dhe pa ty jeta është lagje e qetë me të shtuna dasmorësh të dehur,
dhe me ty jeta është ëndërr e nderur në tela argjendi,
që kullon, shkumon, drithëron mishin tënd tokësor…

Share: