Portali zviceran “CH Aviation”, i specializuar në çështjet e aviacionit, ka ngritur dyshime për vazhdimësinë e linjës së shumpërfolur “Air Albania”, ndërsa shkruan se avionët tashmë i janë kthyer Turqisë.
Bazuar në këtë informacion, përmes një publikimi në FB, deputeti demokrat Endri Hasa ka njoftuar se të hënën opozita do të thërrasë në interpelancë Ministren Balluku, e cila në kohën e hapjes së kompanisë ka qenë Drejtoreshë e Albcontrol.
Kujtojmë se “Air Albania” u zyrtarizua vitin e shkuar, si një linjë me tre aksionerë: “Turkish Airlines”, “MDN Investment” dhe “Albcontrol” e që do t’u jepte mundësinë shqiptarëve të fluturonin më lirë jashtë vendit. Vetë Kryeministri Rama, udhëtoi në një ndër fluturimet e para drejt Stambollit.
Zyrtarisht, autoritetet shqiptare thonë se kompania është ende në proces për të marrë lejet e nevojshme nga organizmat ndërkombëtarë dhe se projekti po ecën sipas planit. Por, zërat skeptikë mbi fatin e kompanisë janë shtuar ndjeshëm, jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë saj./ M.B/Opinion