Home KRYESORE The Hate U Give…! Nga Alma Lleshi

The Hate U Give…! Nga Alma Lleshi

Protesta e së shtunës, 16 …!

U mbyll për pesë orë me largimin pa zhurmë të pjesës më të bukur të saj . Pjesa më e bukur, pjesëmarrja e madhe e njerëzve, u zhbë dhe zgjati aq pak, sa kohë iu desh të zgjohej mërzia e treshes drejtuese të opozitës.

Pjesëmarrja e madhe e njerëzve si dhe urrejtja e varur në dy skelat tek Kryeministria, si test për atë çfarë opozita bëri më pas, ‘djegien’ e mandateve.

Ndoshta, në këto kushte, në vendin tonë nuk është më e mundur të realizosh një protestë pa dhunë…

Ndoshta…

Megjithëse ato fillojnë me simbolika me lule e qirinj, të gjetura për një Parlament që do duhej të ‘pushonte në paqe’…

Ndoshta…

Kur gjithçkaja varet vetëm nga ‘fantazma e urrejtjes’, që na fanepset herë pas here (dhe sa e ftohtë kjo frazë e shëmtuar kur bëhet klishe).

Urrejtja permes dhunës po përshtatet brenda këtyre protestave, duke u përzier midis errësirës dhe dritës, zemërimit dhe optimizmit, privilegj ‘gri’ i minuar nga shashkat e vërshuara dhe mosbindja, e portretizuar si një thirrje dëshpëruese për ndryshim.

Njerëz të thjeshtë, por edhe të lodhur, që në fund të fundit, duke lëvizur kundër, janë bërë njësh me urrejtjen.

E në gjithë këtë situatë tepër sfilitëse, duket qartë që ne nuk jemi të vetëm…

Deputetët e opozitës nga Mali i Zi dhe Serbia, gjithashtu janë shprehur se ata nuk do të kthehen në parlamentet e vendeve të tyre dhe do të bojkotojnë, si protestë kundër abuzimeve të dyshuara të sistemeve të tyre politike, pavarësisht apelit të zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Koçijançiç. Udhëheqësi i lëvizjes opozitare ‘URA’ në Mal të Zi, Dritan Abazoviç, u shpreh: – “Ne në Ballkan e kuptojmë qëndrimin e Brukselit dhe vendeve të BE-së që nuk kanë probleme me demokracinë, por në të njëjtën kohë i bëj thirrje përfaqësuesve të BE-së ta shohin atë nga këndvështrimi ynë dhe madje të shohin përgjegjësinë e tyre përse nuk ka frymë demokratike në Ballkan. Kërkesat e njerëzve në Beograd, Podgoricë dhe Tiranë janë për të mbrojtur vlerat themelore të BE, kështu që nëse ata (përfaqësuesit e BE) nuk e shohin këtë, ata kanë një problem me vlerat e tyre”.

Ndërkohë… këtu tek ne,
urrejtja përmes dhunës po vret përtej shashkave ngjeshur në fytyra policësh dhe po pështjellon më shumë se tymueset ngatërruar nëpër taka opozitaresh.

Urrejtja që kthehet, shumë më e hidhur se ajo që ndillet për interesa pushteti…

Reflektimi ndaj kësaj situate është një detyrim i qarte moral i pushtetit, i drejtpërdrejtë dhe sfidues, ndaj shikimit të plagosur të një populli të tërë.

Share: