Home KRYESORE Janaq Neranxi, Njeriu i Zogut që i shërbeu Pinoçetit!

Janaq Neranxi, Njeriu i Zogut që i shërbeu Pinoçetit!

Nga Gladiola Bendaj

Rrëfimi i panjohur për Janaq Neranxin, bregdetasin e çuditshëm që provoi të gjithë punët që mund të provonte një shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore. Nga Oborri i Zogut, në kampet politike shqiptare, në drejtimin e aviacionit civil të Kilit dhe…mik me diktatorin famëkeq Pinoçet

Atë fillpranvere, plaku i urtë Janaq Neranxi, qëndronte i ulur në verandën e njërës prej vilave të tij në Santiago të Kilit dhe tymoste qetësisht llullën duke u përpjekur të kontrollonte kështu disi emocionet që flinin prej kaq e kaq vitesh. Sigurisht, në tërë këto kohë, kishte menduar sa e sa herë se kjo ditë ndoshta nuk do të vinte asnjëherë. Ndodhte atëherë kur, i lodhur së fajësuari regjimin, veten, fatin, ia linte peshën e mallit këtij të fundit.

Por edhe kishte shpresuar. Dhe kjo s’kish shumë kohë që kishte ndodhur. Pak muaj. Pak muaj që i rrokullisën edhe njëherë para syve gjithë këta vite shprese në mërgim, në një mërgim pas mërgimi. Në fillim Italia, pastaj Kili. Megjithatë, jeta, mund të thuhet se i kishte prirë paq. I pasur, me një karrierë të gjatë në shërbimin aviator kilian, gëzonte një jetë që shumë pensionistë të kohës së vetë do t’ia kishin zilinë, edhe pse kjo ishte jeta e tretë që kishte pasur guximin t’ia niste nga e para. Por, siç i thoshin në anët e veta, e treta e vërteta. 75 vjeç, dy herë i martuar, baba i dy vajzave, paqtonte tani mes luksit, nën shoqërinë e një vajze shumë më të re se vetja dhe stafit të shërbyesve dhe rojave. 

Ishte shtator i vitit 1991. Në Santiago përkonte pranverë, pranvera e tij e njëzetepestë kiliane. Andej, në hemisferën tjetër të globit, Shqipëria e tij duket se iu kishte ndërruar faqen ditëve. Në mendimet e këtyre muajve të fundit, angazhimet e tij për vite e vite me radhë, atje në Itali, në plane e projekte për përmbysjen e sistemit komunist, dukeshin gati-gati Don

Kishoteske. Pesëdhjetë vjet më pas, ata që sot i takonte të ishin nipërit e tij për nga mosha, e kishin bërë më në fund vetë këtë përmbysje. Kishin dalë në shesh dhe na kishin rrëzuar ‘qelbësirën e kuqe’. Ndërsa ai ruante ende si sytë e ballit, që nga koha kur jetonte në Itali, një dosje të trashë me karta frymëzuese për indipendenzën, për lirinë, për demokracinë, për zbarkimin dhe çlirimin, buletine të tërë lajmesh nga andej e këtej, gazeta të kohës, si dhe studime se nga e si do të vepronin e kush do t’i mbështeste këndej bregut. I kishte ruajtur me fanatizëm ato letra të holla, të zverdhura nga koha. Pak ditë më vonë, do t’i dorëzonte me amanet në duart e Nikollaqit, të nipit, që s’e kishte njohur kurrë. Ky vetë qe interesuar për të, ndaj dhe ai, që s’i mungonin as paratë e as pozita në atë vend, do të mjaftonte të bënte një telefonatë, një ftesë, dhe brenda tri ditësh çdo gjë do të ishte gati.

Nikollaqi, djali i të vëllait, Mihalit, së bashku me të shoqen dhe njërën prej vajzave do t’i shkonte për vizitë. Për të riun ortodoks që ishte nisur nga Athina dhe greqishten e tij të shkathët, spanjishtja dhe katolicizmi i Janaqit (tanimë Giovanni), edhe pse vinin fiks si nga një hemisferë tjetër, nuk do të ishin dhe aq problem. Xhaxhai, gëzonte një shëndet fizik dhe mendor për tu pasur zili si dhe fliste një shqipe të pacenuar fare. Kaq do të mjaftonte që muhabeti t’ju ecte fjollë.

Dhe, gjithçka do të kishte qenë e përsosur në kuadrin e vizitës, sikur të mos ishte për ata që ishin bërë tashmë njerëzit më të afërt të Giovannit. Në perceptimin e tij, klima aty dukej jo dhe aq komforte… “Sigurisht, ishte e lehtë të kuptoje që ai ishte aty një njeri i pushtetshëm, me shumë njerëz rreth vetes. Mjaftonte të shikoje se ku e si jetonte. Nga fotot e vendosura nëpër sallon kuptoje menjëherë se kishte pasur të bënte me njerëz me pozitë dhe kishte bërë një karrierë të mirëfilltë. Më vonë, gjatë bisedave, teksa nisi të më tregonte më shumë për veten, mësova se kishte punuar për një kohë shumë të gjatë në shërbimin ajror të Kilit, duke u rritur në detyra e grada”, tregon Neranxi.

Por nuk kishte qenë veç kaq ajo që do t’i bënte përshtypje të nipit në vizitën e vetme që i pat bërë në çerdhen latine të të ungjit. Ai pretendon se pas disa vitesh shërbimi Janaqi, ose Giovanni, ishte emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Aviacionit Civil dhe fill pas kësaj, në vitin 1973, me ardhjen në pushtet të Pinoçetit, ishte bërë edhe një nga njerëzit më të afërt të stafit të tij në qeverinë diktatoriale të asaj kohe. E thënë nga vet i ungji, por e faktuar kjo edhe nga përkujdesja e njerëzve që i qëndronin pranë, të cilët ishin pothuaj të gjithë të përfshirë në një rreth vicioz, që dashur padashur i patën lënë Nikollaqit një shije më tepër se jo të mirë.

Në këtë pikë, ca nga ambienti e ca nga rrethanat e krijuara atypëraty, ai tregon se u largua prej andej pa e zgjatur aq sa e kishte menduar këtë vizitë. Por edhe pse “pranvera kiliane” e Nikollaqit nuk ishte fort komode, ajo mbeti gjithsesi mbresëlënëse. Ai e dinte fort mirë se nuk do të kthehej më aty. Dhe kështu ndodhi.

VIZITA e nipit

Nikollaq Neranxi, ish-deputet dhe biznesmeni i njohur i ditëve të sotme, ishte ndër të vetmit e fisit të tij që duket se menjëherë pas rrëzimit të sistemit u interesua të binte në gjurmë të xhaxhait që kishte emigruar dikur drejt Italisë. Me të vetën, dhe me aq sa kishte mësuar nga familjarët, ai kishte mbetur tek Italia.

Zbulimi se Janaqi jetonte tashmë në Kili, dhe ftesa e tij për të shkuar atje ishte për të një aventurë qysh prej fillimit. “Nga sa më kishin treguar xhaxhai tjetër, Thomai dhe nga sa kisha arritur të mësoja vetë, Janaqi, pas largimit nga Shqipëria drejt Italisë ishte bashkuar atje me rrethet e partive të vogla të shqiptarëve të arratisur që kërkonin të rrëzonin regjimin komunist, që ata, nën një emërues të përbashkët e quanin regjimi i rusëve. Sepse me mbështetjen e Perëndimorëve, pretendohej që plani i tyre të rrëzonte këtë regjim në të gjithë Evropën Lindore. Familjet tona ishin përndjekur për arratinë e tij si “këlysh i Zogut”, “ballist”, “armik i popullit” etj., etj. Por dija edhe që atje ishte shkolluar për pilot, dhe kishte filluar punë tek Alitalia dhe pastaj kish shërbyer edhe në forcat ajrore për shumë vite”, tregon Nikollaqi.

Me këto të dhëna, pasi kishte filluar të shkonte lirshëm në Greqi, si të gjithë himarjotët e tjerë, qysh në fillim të vitit 1991, ai filloi të interesohej për të ungjin nëpërmjet zyrave të Alitalia-s në Athinë.

“Kur pyeta, më thanë që po, kishte shërbyer për shumë vjet në këtë kompani ajrore, me fluturimet ndërkombëtare të saj. Por pastaj ishte zhvendosur në Kili, ku e kishin ftuar të punonte atje, pas hapjes së aeroportit civil”, tregon sot, më shumë se njëzet vjet më vonë ish deputeti Neranxi. Sipas tij, gjatë kohës që Janaqi ushtronte detyrën e pilotit, kishte ndodhur edhe katastrofa e 22 majit të 1960-ës në Valvida, e cila i kaloi historisë si “tërmeti i madh kilian” (magnituda 9.5) dhe më intensivi i regjistruar deri më sot në botë. Tsunami i provokuar shkaktoi dallgë 25 metër të larta, forca e të cilave shkoi deri në lokalitetet e tjera të Oqeanit Paqësor, si Haiti dhe arkipelagu japonez. Sipas asaj që tregon Nikollaq Neranxi, i ungji, Janaqi, atëherë pilot në krye të detyrës, ka ndihmuar në rehabilitimin e pasojave të kësaj katastrofe që shkaktoi 3 mijë viktima dhe 2 milion të pastrehë.

Pas kësaj, Janaqi u shpall “Qytetar Nderi” në vitin 1967. Dhe qysh prej këtu, duket se nisi era e mirë e karrierës. Drejtor i Aviacionit Civil dhe pastaj një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë në stafin e Pinoçetit. Të paktën kjo është ajo që Janaqi i tregoi Nikollaqit gjatë asaj vizite të tij të shkurtër në shtatorin e pranverës kiliane të vitit 1991. 

Në fakt, nëse provon të kërkosh në internet, nuk të del pothuajse asgjë lidhur me këto fakte. Kjo, sipas Nikollaqit, sepse i ungji, andej, pat ndërruar emër. Gjatë këtyre më shumë se njëzet viteve që pasuan, në fakt, ai jo vetëm që nuk ka reshtur asnjëherë së besuari në këtë aventurë mërgimtare të xhaxhait të tij, por është interesuar gjatë gjithë kohës të zbulojë më shumë rreth jetës së këtij njeriu. Prej tij ka ende atë dosjen e trashë me fletë të zverdhura planesh e traktesh të agjenturave të matanë detit të asaj kohe.

Një trill që duket se e intrigon jo pak, megjithatë, ai ka zgjedhur të plotësojë të gjitha pjesëzat e këtij ‘puzzle’, përpara se të nxjerrë në dritë ndoshta një biografi të plotë të njeriut që besohet se pati guximin të katapultohej në kohë nga oborri i mbretit Zog, në stafin e diktatorit kilian Pinoçeti.

Por, përveç asaj që beson dhe dokumenton Nikollaq Neranxi, vijnë të copëtuara edhe copëza dëshmish e kujtimesh të Thoma Neranxit, të vëllait të Nikollaqit dhe Artos, vajzës që Janaqi e pa vetëm njëherë, foshnje. 

Aq sa mund të thuhet, nga dëshmitë

Janaq Neranxi lindi në Spile të Himarës më 12 prill 1917. Pas ndjekjes së shkollës shqipe në Himarë, ai shkoi në Romë ku ndoqi shkollën katolike atje. Të afërmit kujtojnë se pas kthimit nga Roma ai filloi punë në bankën italiane në Gjirokastër dhe pastaj u emërua në Tiranë, ku u bë pjesë edhe e stafit të nëpunësve të mbretit Zog. Pas ikjes së Zogut nga Shqipëria, ai duhet të ketë qenë ndër të fundit nëpunës të tij që mori vendimin e pakthyeshëm për tu larguar nga vendi drejt Italisë fqinje.

Asokohe punonte në “Banca di Napoli”, filiali i Tiranës, dhe rrugën e Italisë e kishte bërë me dhjetëra herë. E njihte mirë vendin që do ta priste. Ishin vitet 1941-1942. Njëzetepesë vjeç, i sapomartuar me Zoicën, vajzën e një tregtari të pasur nga Himara, shumë shpejt do të bëhej babai i një vajze, Artos, e cila nuk do ta njihte dot të atin, edhe pse gjithë jetën emri i tij do ta përndiqte në persekutimet që do t’i bëheshin edhe në brezat më pas… 

Artò, e bija

“Nëna më tregonte se atëherë ata jetonin në Tiranë, në një shtëpi shumë të mirë. Mamaja kishte ardhur për ca ditë në Himarë, kur im at vendosi të ikte në Itali, për punë. I pat thënë se do të kthehej…ajo ishte shtatzënë në mua atëherë… Dhe erdhi. Unë atëherë isha 2 muajshe, e lindur. Ishin takuar në Gjirokastër….babai i kish thënë se do shkonte deri në Athinë e pastaj do kthehej ta merrte. Nëna vdiq duke besuar se ai nuk erdhi asnjëherë, e s’u kujtua më për ne… por, në shtrat të vdekjes, ime gjyshe, më ka thënë se qe ajo që e kishte kthyer mbrapsht shoferin me taksinë që babai kishte dërguar për të na marrë, bashkë me një letër për nënën që ajo të besonte tek njeriu që do na shpinte dhe me një unazë brenda. Gjyshja nuk donte që ne të iknim në Itali…

Babai vdiq duke besuar se nëna nuk e mbështeti. Ishin të dy fatkeqë… Por më fatkeqja isha unë, që më persekutuan tërë jetën. Fëmijëve s’m’u dhanë shkollë, se ishin nipërit e të arratisurit, edhe pse unë s’e njoha kurrë. Ah, sa shumë e kam pritur të vinte. Një ditë pastaj u helmova nga dëshpërimi, më vdiq vajza, dhe grisa gjithë fotografitë e ç’kisha kujtime prej tij, sikur të kishte mbetur aty tersi… Tani pres vetëm vdekjen, të vijë e të më marrë…”, tregon Arto dhe për pak e kap ngashërimi. Ajo jeton akoma në Himarën ku lindi dhe shumë vonë e ka marrë vesh se ka edhe një motër nga babai, Marian.

Revista Java

Share: