Me zhvillimin aktual të tejskajshëm që kanë pësuar mjetet e informacionit, elektronike dhe të shkruara, nga sociologë, psikologë, etj., janë theksuar edhe problemet që ato sjellin në fatin e individit dhe në privatësinë e tij. Si ҫdo zhvillim, krahas ndihmës dhe pozitivitetit të tyre, në rast se keqpërdoren, ato mund të sjellin dëme të rëndësishme sociale. Rasti i adoleshentes nga Kavaja e cila u shantazhua në mënyrë të pamërshishme përmes një vidio-je është vërtet shqetësues.
Një sociolog ka thenë se në rast se ato keqpërdoren, bëjnë që shoqëria të jetojë si në një “big brother”. Në pamje të parë duket se problemi është vetëm aktual, kjo për arsye siҫ e thashë më lart të zhvillimit shumë të madh të mjeteve mediatike. Në fakt nuk është kështu. Po i referohem nazizmit, i cili ka ndërtuar makinën propogandistike me te madhe dhe më efikase që shoqëria njerëzore ka njohur, ministër i së cilës ishte famëkeqi Jozef Gëbels. Më ka bërë përshtypje që në një libër që analizonte shkaqet e ardhjes së nazistëve në pushtet, midis shumë faktorësh, përmëndet dhe radioja.
Gjermanët ishin dëgjues shumë të rregullt të saj, dhe ҫdo mbasdite mblidheshin për ta dëgjuar me kujdes. Zëri i folësve ishte tepër i zgjedhur. Dhe efekt i kësaj propogande ishin përpos të tjerëve, gjashtë milionë hebrenj të vrarë kryesisht me metoda industriale. E njëjta gjë ndodhi dhe në anën tjeter. Kur Stalini kërkoi të mobilizonte popullin rus, dhe sllavët në përgjithësi, Radio Moska ka luajtur një rol tejet të rëndësishëm. Thuhet se kur është pyetur Hitleri se ҫfarë do të bënte kur të pushtonte Moskën, ai është përgjigjur: “Do të pres mustaqet e Stalinit dhe do të vras spikerin e Radio Moskës”.
Pikërisht se media ka një forcë kaq të jashtëzakonshme ështe quajtur pushteti i katërt. Dua të qartësoj diҫka, media e ҫdo lloj forme është e domosodshme në shoqëri, sepse kontrollon pushtetet, ruan balancat ndërmjet tyre, por duke qënë pushtet, në rast se keqpërdoret, mund të ketë një ndikim shkatërrues në fatin e individit.
U nxita për ta theksuar këtë gjë, pasi sapo rilexova novelën e njohur të shkrimtarit gjerman Hajnrih Bël (1917-1985), “Nderi i Humbur i Katerina Blumit”. Ky autor ka marrë ҫmimin Nobel në letërsi ne vitin 1972. Bël-i i përjetoi gjashtë vitet e Luftës së Dytë Botërore si ushtar i thjeshtë, dhe me shkrimet e tij të para bënte pjesë tek “Brezi i humbur”. Më vonë ai u shkëput nga kjo rrymë letrare dhe u quajt “ndërgjegjja e kombit”.
Ndër romanet e tij mund të përmendim “Me syrin e një klouni”,“Ku ishte ti, Adam?”, “Dhe nuk tha asnjë fjalë”, “Portret grupi me zonjë”, “Nderi i humbur i Katerina Blumit” etj.
E vlerësoj shumë romanin “Ku ishe ti, Adam?”, në të cilin ai akuzon shoqërinë gjermane për lejimin që i bëri nazizimit si doktrinë dhe si sistem. Megjithatë, profili i këtij shkrimtari mund të jetë objekt i një analize tjetër.
“Nderi i Humbur i Katerina Blumit”, është nga veprat e tij më të mira, e përkthyer nga Robert Shvarc. Kadareja e përcakton si një nga gjashtë librat që duhet lexuar patjetër.
Ky libër është një thirrje kundër manipulimit që media i bën informacionit, dhe mënyrës se si përmes kësaj mund të shkatërrohet një jetë njerëzore. Aq bukur është trajtuar kjo gjë artistikisht, saqë sa herë kemi ndikimin e medias tek individi, thuhet :“si në rastin e Katerina Blumit”.
Po përshkruaj shkurt subjektin e kësaj novele.
Katerina Blumi është një zonjë e re, ekonomate e pavarur, e cila shërbente tek intelektualët e njohur Blornet. Ajo përshkruhet si një grua korrekte, e pashme, pak e mbyllur, me një fëmijëri të vështirë dhe më pas një martesë të dështuar. Me ndihmën e të zotërve të shtëpisë ku shërbente, të cilët e vlerësonin dhe e respektonin, ajo kishte arritur të sistemonte dhe të vinte në shina jetën e saj.
Një mbrëmje ajo njihet me Ludvig Gëten, të cilin e pëlqen menjëherë, në dallim nga natyra e saj, dhe e ndihmon të fshihet, pa e ditur se ai kishte probleme me policinë. Të tëra ngjarjet që ndodhin më pas, janë hap pas hapi spekulime me informacionin për jetën e saj.
Autori për të treguar efektin gjigant që lajmet krejt të gënjeshtërta dhe tejet të rënda që gazeta botonte ҫdo ditë në faqe të parë për të, fjalën gazetë gjithmonë e shkruan “GAZETA”. GAZETA spekuloi mbi jetën e saj private, gazeta spekuloi mbi të kaluarën e saj, gazeta spekuloi mbi rrugën me te cilën siguronte të ardhurat. Nga një grua krejt e zakonshme dhe e panjohur ajo kthehet në kryefjalen e qytetit, ndërkohë që ishte krejt e pafajshme. Dhe kulmi i abuzimit është kur gazetari Tëtges, në mënyrë krejt të parregullt dhe sadiste viziton nënën e Katerinës në spital e cila sapo kishte kryer një operacion të rëndë. Fjalët e fundit të së ëmës ishin: “Si ka mundësi të ndodhte kjo ?” Ajo humb jetën nga tronditja, ndërsa Tëtges pa asnjë ndjenjë pendimi, këto fjalë i manipulon në gazetë në këtë mënyrë; “Unë e dija që do të ndodhte kjo”.
Katerina duke mos e duruar humbjen e së ëmës e vret gazetarin, duke u kthyer pikërisht në atë personazh që shtypi e kishte përshkruar. Ndërsa për vrasjen e gazetarit, GAZETA shkroi se ra viktimë e profesionit të tij. Në vitin 1975 është realizuar një film gjerman lidhur me këtë histori, që pati shumë sukses.