Home KRYESORE Rama 2, protestat e opozitës dhe klima e biznesit

Rama 2, protestat e opozitës dhe klima e biznesit

Nga Kasem Seferi

Aq pak po bëhet fjalë për ekonominë, më saktë për të ardhurat e qytetarit shqiptar në këto ditë të vitit 2019.

Para pak ditësh, Ministrja e Finacës, Ekonomisë etj, një grua për të cilën shpreh respekt dhe konsideratë për nivelin e saj profesional, në një dalje në TV News 24, nuk iu shmang “pohimit“ demagogjik të një rritje ekonomike prej 4,2 për qind.

Në datën 17 mars 2019, në “KAPITAL“ të Aleksandër Furxhi, një ekonomist me integritet si Ilir Ciko, tregoi se kjo rritje vjen për arsye të faktorëve natyrorë si rreshjet, eksporti mineraleve dhe, me shumë kortezi, dha për të kuptuar se kjo “rritje ekonomike“ nuk ndikon në rritje në xhepin e kryefamiljarëve.

Për arsyetim të mirëfilltë, mjafton të shohësh faturat e paguara nga këta kryefamiljarë në muajin janr dhe shkurt 2019 për energji dhe ujë.

Presim rritje tjetër të produkteve të naftës.

Kryeministri Rama 2, nga Berati, na premtoi se së shprejti do të kemi një muze të rakisë në Korçë dhe një të verës në Berat.

“Hane shan, hane Bagdat!“!

Më bëri të mendoja se për turistët e huaj që do të vizitojnë Shqipërinë, duhet të ketë edhe muze të tjerë të veçantë, si një muze për listat në dyqanet e fukarenjve, po ashtu një për kanabisin në Lazarat, një për … çdo mutësi tjetër që politika i dhuruar këtij vendi.

Megjithëatë, si një njeri që ka menduar dhe mendon se e do këtë vend, jo për interesin e tij vetiak, por për mjedisin ku jeton, gëzohet dhe hidhërohet sipas rastit, mendoj të kujtoj jo vetëm për Rama 2 por edhe për opozitën, një diçka të veçantë, vërtetë të veçantë:

KLIMËN E BIZNESIT!

Atyre që hartojnë strategjitë e rritjes ekonomike të një vendi, u duhet kujtuar që:

(i) avantazhi konkurrues mund të krijohet, ose tek e fundit fare të rritet në mënyrë domethënëse;
(ii) (ii) përmirësimi i konkurrueshmërisë brenda një ekonomie duhet të jetë një element kyç i strategjisë së eksportit kombëtar. Michael Porter, Drejtor i Institutit për Strategji dhe Konkurrueshmëri në Harvard Business School thotë: “Lulëzimi kombëtar krijohet, nuk trashëgohet.”.

Prandaj, në një botë ku tregtia liberalizohet gjithnjë e më shumë, strategjia e një vendi të vogël si Republika e Shqipërisë duhet të përqendrohet në gjenerimin dhe ruajtjen e avantazhit konkurrues nëpërmjet rritjes së kapacitetit për t’i joshur firmat vendase dhe të huaja që ta përdorin vendin si platformë prej nga ato të drejtojnë bizneset e tyre.

Nuk është pa domethënie fakti që Europa Juglindore ka rreth 65 milion konsumatorë.

Pikërisht, sipas strategjisë “diamant”, formuluar nga Michael Porter, situatat që përcaktojnë forcat dhe dobësitë konkurruese të ekonomisë së një vendi si dhe sektorët madhorë të saj janë ekzistenca e burimeve (për shembull, e burimeve njerëzore, e kërkimit dhe infrastrukturave të informacionit).

Pra, e një mjedisi biznesi që investon në shpikje dhe e pranisë së industrive mbështetëse.

Fazat nëpër të cilat kalon proçesi i avantazhit konkurrues përcaktohen nga:

 kosto e ulët e punës dhe burimet natyrore;
 prodhimi i produkteve të sofistikuara me anë të importimit të teknologjisë;
 përqendrimi në strategjinë e eksportit kombëtar, përmirësimin e mëtejshëm të mjedisit të biznesit nëpërmjet revizionimeve, përgatitjeve rregullatore (dogana, tatime etj), shtrirjes së kompanive në zinxhirët e vlerës ndërkombëtare dhe përmirësimit të Investimeve të Huaja Direkte (IHD) dhe politikat që ndiqen për arritjen e qëllimit janë partnershipi kombëtar, që përfshin veprime plotësuese nga qeveria dhe sektori privat;
 rrugëzgjidhjet e një “liberalizimi plus”, që përfshin përzierjen e nxitësit me masat e politikës së anës së furnizimit; dhe
 atje ku është e përshtatshme për themelet e ekonomisë, politikat për promovimin e konkurrueshmërisë së klasterave (clusters) të veçantë të industrisë.

Në analizën e saj, në një seminar të organizuar në Greqi në lidhje me hyrjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, Julia Gray e Universitetit të Pistsburgut SHBA, ndër të tjera do të vinte në dukje se impasi i kohëve të fundit në proçesin e zgjerimit të BE drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor po krijonte një mjedis ekonomik që karakterizohej nga pasiguria, për arsye se liderët vendorë, gjithnjë e më shumë, po bindeshin se hyrja në BE është një rrugë e gjatë.

Kjo dukuri është vërtetuar nga deklaratat e zyrtarëve të Brukselit në lidhje me zgjerimin dhe, për rrjedhojë, vendet e Ballkanit Perëndimor (ndër ata Republika e Shqipërisë) nuk kanë zbatuar reforma që do t’i ndihmonin ata të lëviznin drejt Europës, veçanërsisht, në tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Organizimi nga BERZH i takimit të janarit 2014 mbajtur në Londër, takimi me Kancelaren Merkel kohë më vonë dhe takimi i Vienës, jo vetëm e nënkuptuan një gjë të tillë, por pothuajse e thanë troç një gjë të tillë.

Për më shumë, në këtë këndvështrim, BERZH (EBRD) Shqipërinë e ka caktuar si projekt pilot, dhe, në mënyrë më domethënëse kjo u duk në përpjekjet për krijimin dhe funksionimin e një Këshilli Investimi në përkujdesje të Zyrës Përfaqësuese të BERZH në Tiranë që, në thelb, si qëllim kishte dhe besoj se ka përmirësimin e klimës së biznesit (ose e thënë më troç të investimit).
Si rezultat një ekonomi që vazhdon të rritet me ritme të zvogëluar, ose me mundësinë që të rrijë në vend si kjo e Republikës së Shqipërisë, do të shkaktonte zemërime të mëtejshme në popull (largimi i forcës së re punëtore) si dhe pasiguria në rajon, që në kthim (ose si përgjigje) kanë shtuar dyshimin e njerëzve rreth hyrjes në BE, gjë që ka rritur vetëm interesin për të emigruar në vendet anëtare të BE – së.

Ndërkohë që qeveritë Rama 1 dhe 2 duhet të mendonin për zhvillimin e ekonomisë së vendit të tyre.

A paraqit Shqipëria, në këtë kontekst, rëndësi për BE – në?

Po, thonë politikanët dhe jo pa të drejtë sepse së pari, vendet e Ballkanit Perëdimor konsiderohen si një vendndodhje me vlerë të madhe për Europën në lidhje me prodhimin e fabrikuar dhe, së dyti, mund të jenë platforma e një prodhimi të vlefshëm.

Në këtë kuptim, avantazhet e përbashkëta kyç të vendndodhjes janë struktura e lartë e konkurruese e kostos së përgjithshme (forca punëtore, toka dhe mjete të tjera më të lira se sa në vendet e reja anëtare të BE – së); forca punëtore në dispozicion, kosto dhe cilësia (forcë punëtore e arsimuar mirë dhe me përvojë, ekspertiza teknike); vendndodhja strategjike dhe afërsia (sepse deti Adriatik është shumë afër si Europës Perëndimore ashtu dhe asaj Qendrore).

Pothuajse e gjithë tregtia bëhet me vendet anëtare të BE – së dhe vendet fqinje dhe, në këtë kuptim, investitorët e huaj duhet të veprojnë si një “rrugëzgjidhje rajonale” (mundësia për të shërbyer si një treg “rajonal”).

Deri më sot, nga investitorët e huaj, Republika e Shqipërisë është parë si një vend ku mund të prodhohen tekstile dhe veshje, ku mund të përpunohet lëkura dhe të prodhohen këpucë, ku agrobiznesi ka perspektivë për prodhimet bio, ku mund të rriten shërbimet e biznesit, hyrje në të dhënat, telemarketingu, mbështetje zyrash, etj, si dhe infrastruktura dhe turizmi.

Në këtë kontekst, cilësia e administratës publike e vendit mikpritës është një konsideratë, për arsye se pasiguria, dykuptimshmëria, ndryshimet tejet të shpeshta në legjislacion, paqëndrueshmëria në interpretimin dhe zbatimin e legjislacionit, zyrtarët e korruptuar, ndëshkime që e tejkalojnë masën, janë faktorë të tillë që përbëjnë një antinxitës të ashpër për investimin.

Shpesh nga punonjësit ekzekutivë të biznesit dëgjon vërejtje të tilla si “ në qoftë se unë do ta kisha vërtetuar se sa e vështirë është të bësh biznes në këtë vend, kurrë nuk do të vija këtu”.

Zakonisht, ndërmjet arsyeve të dhëna për pakënaqësinë e krijuar nga një vend që duhej të ishte vend mikpritës janë ligjet e paqëndrueshme, administrata publike e çrregullt dhe, mbi të gjitha, barra administrative tejet e madhe.

Në mënyrë të paevitueshme, faktori ”kurrë përsëri” ka një efekt të rëndësishëm mbi planet e ardhshme të investimit dhe tërheqja e rrjedhave të ardhshme të investimit është vendimtare për sigurimin e një rritje ekonomike të qëndrueshme gjatë dekadës ku ka hyrë ekonomia e vendit. Prandaj, përmirësimi i mjedisit dhe klimës së biznesit mbetet një qëllim shumë sfidues i betejave që duhet të bëjnë qarqet politike dhe komuniteti i biznesit për të qartësuar imazhin që kanë investitorët për Shqipërinë.

Për të mos lejuar që burokracia të vazhdojë të rrisë koston e investimit, që kufizon potencialin e ekonomisë së vendit për investime në shumë fusha, qeveria duhet të marrë në konsideratë të veçantë rolin që luan klima e biznesit në lidhje me thithjen e investimit të huaj dhe vendas, prandaj duhet të rivlerësohet dialogu i hapur privat – publik si një prej mjeteve jo më efektivë dhe jo më efiçentë të strategjisë së qeverive Rama 1 dhe 2.

Reformimi dhe revizionimi i barrierave administrative që synojnë përmirësimin e klimës së biznesit duhet të shmangin favorizimin e disa grupeve të caktuar si dhe të rrisin rolin, efektivitetin dhe efiçencën e agjensive shtetërore që merren me problemet e menaxhimit të reformës për nxitjen e investimit vendas dhe të huaj.

Protestat që kanë nisur, duke marrë në konsideratë të veçantë atë të studentëve dhe pasuar nga këto të opozitës politike, shkakun dhe rrënjët i kanë tek varfëria e xhepit të kryefamiljarit (householder), pra atij që paguan faturat për të jetuar me shpresën për një të nesërme më të mirë dhe jo për një zvarritje prej tre dekadash.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: