Home KRYESORE 110 kosovarë u kthyen nga Siria, gratë dhe fëmijët të keqtrajtuar

110 kosovarë u kthyen nga Siria, gratë dhe fëmijët të keqtrajtuar

Institucionet e Kosovës bënë të ditur, se mesnatën e së premtes në Kosovë janë kthyer 110 kosovarë të cilët ishin në zonat e konfliktit në Siri.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në një konferencë të përbashkët me ministrin e drejtësisë, Ablard Tahiri ka bërë të ditur se në mesin e personave të kthyer janë edhe katër luftëtarë, ndërsa bëri të ditur se në zonën e konfliktit kanë mbetur rreth 30 luftëtarë, 49 gra dhe 8 fëmijë.

“Nga zona e konfliktit në Siri janë kthyer në Kosovë 110 shtetas kosovarë, prej tyre katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë këtu katër fëmijë që kanë humbur prindërit në luftë”, tha Qalaj.

Ndërkohë ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri tha se kanë punuar prej disa muajsh për kthimin e kosovarëve të cilët ishin në zonën e konfliktit në Siri, duke shtuar se kthimi i kosovarëve nga Siria është bërë në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas ministrit Tahiri, gratë dhe fëmijët të cilët janë kthyer kanë qenë viktima të mashtrimit dhe keqtrajtimit.

“Këta qytetarë, gra dhe fëmijë kanë qenë viktima të papërgjegjësisë së personave që për interesa çfarëdo qofshin i kanë shfrytëzuar duke ua mohuar të ardhmen pa vullnetin e tyre duke i lënë më pasoja të mëdha në raste të caktuara edhe viktima. Këto gra meritojnë rehabilitim për një jetë të qetë dhe këta fëmijë nëpër zona të konfliktit e kanë vendin në shkolla për tu edukuar mbi të ardhmën e tyre”, deklaroi ministri Tahiri.

Të kthyerit nga Siria, janë dërguar në fshatin Vranidoll, i cili gjendet në periferi të Prishtinës, të shoqëruar nga forca të shumta policore duke përfshirë njësitet speciale që janë duke mbajtur të rrethuar qendrën./Opinion.al

Share: