Një ngjarje e shëmtuar dhe çnjerëzore preku opinionin publik italian këto ditë:
Në Verona, në një shkollë fillore, prindërit e varfër emigrantë të një vajze të vogël, nuk kishin mundësi të paguanin mensën e shkollës së vajzës së tyre.
Atëherë, sipas urdhëresës së Bashkisë, mbi tryezë në orarin e drekës, asaj vajze këto kohë po i çonin cracker dhe ton, ndryshe nga menu-ja komplete e shokëve të tjerë.
Vajza qante kur shihte përmbajtjen ndryshe të drekës së saj…
Futbollisti i njohur arbëresh i Interit, Antonio Candreva, kontaktoi institucionet përkatëse dhe mori përsipër që asaj vajze të vogël t’ia paguajë ai ushqimin për të gjithë kohën e nevojshme.
Kontaktoi kryetarin e bashkisë së Veronës, shumë i indinjuar dhe i prekur nga kjo çështje dhe kryebashkiaku i tha se kishin nja 30 nxënës që nuk paguanin drekën, ndaj s’kishin sesi t’u bënin lëshime të gjithëve si komunë për këto mungesa nga ana e familjeve të atyre fëmijëve, për t’u paguar mensat shkollore.
Në atë pikë, Candreva i tha kryebashkiakut: “Më sill të lutem listën komplete me numrin dhe emrat e këtyre fëmijëve që nuk paguajnë dot ushqimin, se do të paguaj unë për të gjithë ata, jo vetëm për atë vajzën emigrante!”
Kryebashkiaku i Veronës ka mbetur pa fjalë përpara zemërgjerësisë dhe sensibilitetit të futbollistit.
“Babai im bënte dy punë për të na rritur ne fëmijët!” – u shpreh Candreva.
“Dhe unë nuk mund ta pranoj dot këtë padrejtësi që po u bëhet sot këtyre fëmijëve të varfër!”
Epra, bota ka shpresa ende…