Blerim Reka, kandidati i pavarur në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, ka akuzuar Imer Selmanin, konsul nderi në Republikën e Shqipërisë, se u përfshi në fushatë duke mbështetur Stevo Pendarovskin.
Sipas reagimit të dërguar medieve, Reka thotë se në konventën e kandidatit Stevo Pendarovskit, Imer Selmani me fjalimin e tij qendror prezantoi dhe mbështeti kandidaturën, me çka u përcaktua politikisht, ndërkohë që ushtron funksion konsulor.
“Keqpërdorimi politik i pozitës së Konsul nderi i Republikës së Shqipërisë, për interesa personale, nuk i bën nder as Republikës së Shqipërisë, as Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe as qytetarëve të këtij vendi”, thuhet në reagimin nga shtabi i prof. Blerim Rekës.
Për shkeljen në fjalë, kandidati i pavarur, Blerim Reka, do të kërkojë takim me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, Fatos Reka, kurse nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë do të kërkojë shkarkimin e Imer Selmanit nga pozita e Konsul nderi./portalb.mk