Home KRYESORE Transformimi i të vërtetës së “krijimit hyjnor” në atë të arsyes së...

Transformimi i të vërtetës së “krijimit hyjnor” në atë të arsyes së përbotshme

Nga Martin Heidegger,

Përktheu Elvis Zaimi

Për ta njohur dhe pranuar këtë na duhet ta gjurmojmë formulën e zakonshme të konceptit të rëndomtë për të vërtetën, duke u kthyer pas në gjenezën e tij të kohëve më të vona (i.e. mesjetare). Veritas as adequatio rei ad intellectum nuk nënkupton koncepsionin transcendental të Kantit për të vërtetën- të mundshëm vetëm mbi bazën e subjektivitetit thelbësor të natyrës njerëzore-‘se objektet përputhen me njohjen tonë”.

Më së shumti, ajo nënkupton besimin teologjik të Krishterë se, në lidhje me një çështje, nëse ajo është dhe se çfarë është, si e krijuar (as creatum), ajo është vetëm përsa I përgjigjet saktësisht idesë të saj, të paramenduar në intellectus divinus, i.e. në mendjen e Zotit, pra dhe të qenurit të saj (korrektesa), është e matshme dhe njehsohet kundruall kësaj ideje, nëse është në lartësinë e kësaj të fundit. Intellectus humanus gjithashtu është një ens creatum.

Si një aftësi e dhënë nga Perëndia dhuratë për njerëzimin, edhe ai duhet kënaqë idenë hyjnore për të. Por të kuptuarit vlerësohet nëse është në lartësinë e idesë së tij vetëm nëse përmbush në kuptimësinë e pohimeve të tij logjike raportin e një përgjegjshmërie korrekte ndërmjet asaj çfarë mendohet me çështjen e menduar, ku vetë kjo e fundit duhet t’i përgjigjet me korrektesë idesë së saj. Nëse të gjitha qëniet janë “të krijuara” mundësia e të vërtetës në dijen njerëzore është e bazuar në faktin se çështja dhe pohimi logjik janë të bashkëmatshme në të njëjtën mënyrë kundruall idesë, dhe kësisoj janë të ujdisshme tamam njëra-pas-tjetrës falë një plani krijimi hyjnor, të përshkruar nga e njëjta harmoni.

Veritas as adaequatio rei (creandae) ad intellectum (divinum) garanton veritas as adaequatio intellectus (humani) ad rem (creatam). Gjithandej, veritas në thelb nënkupton convenientia, ardhja e vetë qënieve, siç janë krijuar, në marrëveshje me Krijuesin; një “përputhje e harmonishme” e cila ka të bëjë me mënyrën sesi ato janë paracaktuar në rendin e krijimit.

Porse ky rend, I shkëputur nga nocioni i “krijimit”, mundet gjithashtu të paraqitet veçmas në një mënyrë të përgjithshme dhe të pakufizuar si rendi i botës. I përfytyruar teologjikisht, koncepsioni i “rendit hyjnor të krijuar” zëvendësohet nga vetia e mundëshme e të gjitha objekteve për të pasur cilësinë e të qenurit të planifikueshme me anë të një arsyeje që i përket botës së këtushme, të trupëzuar [Ëeltvernunft].

Kjo arsye i nxjerr ligjet për vetveten dhe ia ofron ato vetvetes, duke mëtuar kësisoj se procedura e saj është menjëherë e kuptueshme ( çfarë konsiderohet të jetë “logjike”).Se thelbi I të vërtetës propozicionale konsiston në korrektësinë e pohimeve, kjo nuk ka nevojë për prova të mëtejshme, të posaçme.

Edhe kur në ndonjë rast bëhet përpjekje- që qartazi duket e dështuar-për të shpjeguar sesi ngjan apo paraqitet korrektësia, qysh më parë korrektësia merret e presupozuar të jetë thelbi I të vërtetës. Ngjashmërisht, e vërteta materiale gjithnjë nënkupton vijimësinë e qëndrueshme të përputhjes të gjësendit nën shqyrtim, me konceptin “racional” të thelbit të tij. Prej këndej të lind përshtypja se ky përkufizim mbi thelbin e së vërtetës është i pavarur nga interpretimi i thelbit të Qenies të të gjitha qenieve, e cila përfshin gjithmonë një interpretim përgjegjës të thelbit të njeriut, si bartësi dhe ekzekutori i intellectus. Kështu që formula për thelbin e së vërtetës (veritas est adequatio intellectus et rei) e merr vlefshmërinë e saj të përgjithshme si diçka qartësisht e vetëkuptueshme për cilindo. (vijon)

Share: