Home KRYESORE Leksion nga avokado ime!

Leksion nga avokado ime!

Nga Erges Eskiu

Prej katër vitesh prisja, që bërthama e avokados time të çelte e të rritej. Ëndërroja fortë, që të kisha në kopështin tim, një pemë avokado të bukur e plotë frute.


Ajo çeli vitin e parë, por me ardhjen e pranverës, pikërisht në momentin që unë prisja të “shpërthente”, ajo thahej.


-Kjo gjë më ndodhi edhe vitin e dytë. Dy bërthama avokado çelën kërcellin e tyre elegant bashkë me gjethe dhe pikërisht në ardhjen e pranverës ato u thanë sërish. Isha lodhur aq shumë duke u kujdesur për to çdo ditë, e natë për dy vite rresht. Shumë njerëz më thoshin se ato nuk mund të rriten këtu! Se ky nuk është vendi për t’u rritur ajo pemë!


Isha i lodhur, por nuk u mërzita me avokadon time. Unë nuk e mallkova, thjeshtë stakova mendjen, bërthamën e fundit e futa në dhé me mendimin se nëse ajo do dëshirojë të jetojë, duhet të ma japë një shenjë! U ngrita, ktheve kokën dhe vazhdova punën time.


-Kaluan disa muaj dhe çudia ndodhi. Pikërisht atëherë kur unë e kisha humbur shpresën ajo u shfaq si nga asgjëja krejt e gjallë e krenare për veten e saj! Ajo mbiu duke hedhur rrënje në dheun e bekuar e duke shfaqur gjithë siguri kërcellin e saj të shpresës, shkëlqyes si drita e diellit për sytë e mi!


Emocione të mëdhaja ma përshkuan trupin dhe gjithë qenia ime u mbush me dashuri! Fiks në momentin kur e kisha humbur shpresën ajo mbiu si nga asgjëja për të më treguar se vendosmëria dhe besimi shpërblehen. Me vendosmëri dhe durim, me dashuri dhe aspak me dhunë gjërat e mira vijnë në këtë jetë për të na ndriçuar, për të na bërë të lumtur, për të na mbushur me dashuri e shpresë.


Sot avokado ime ecen e sigurt drejt zhvillimit dhe maturimit të saj fal vendosmërisë sime dhe të sajës për të thënë:- unë jam, unë do të jetoj, unë do të fal frute në këtë jetë!


Kështu është e duhet të jetë edhe për të gjithë ne beteja me krimin, korrupsionin, arrogancën, injorancën dhe dhunën.


Nuk ka nevojë të ushtrojmë dhunë ndaj njeri-tjetrit!


Nuk ka nevojë të tregojmë muskujt sepse ne kemi mendjen e shëndoshë.


Vendosmëria, besimi dhe paqja, që na ka shoqeruar në këto 6-vitë opozitë na ka bërë të ngjallim shpresën se një jetë e re po lind! Se ne jemi ndryshe. Se ne e duam jetën.


Ne nuk shajmë, ne nuk mërzitemi me ata që do votojnë, nuk i mallkojmë ata që do votojnë, ne nuk do ushtrojmë dhunë ndaj atyre që votojnë.


Ne do vazhdojmë betejën tonë me durim e vendosmëri, për të rritur gjithmonë e më shumë shpresën se kjo jetë e re, që ka lindur në zemrat dhe mendjet tona, se liria dhe demokracia, që ne duam është arma më e madhe dhe më e fortë, që ne kemi.


Kjo forcë e madhe, që shndrin më fortë se dielli qershorit gjendet në zemrën dhe mendjen tonë.
Jemi të vendosur të mos e lemë vendin të rikthehet në diktaturë.

As një hap pas!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Zoti i bekoftë shqiptarët!
Erges Eskiu

Share: