Nga Ledi Shamku
Lajm i gjithandejmë se këtë vit një numër maturantësh kanë kaluar në provimin e anglishtes por kanë mbetur në provimin e shqipes. E së këndejmi kërcehet fap në përfundimin e ububushëm se kalamajtë tanë na janë ezber fare në anglisht por na llocin në shqip e po na rrëshqet shqipja nëpër gishtat e anglishtes… o Miti oiiiii!
Së pari: nuk ka asgjë të tmerrshme nëse maturantët mbesin në provim. Madje këtu te ne mbesin shumë pak. Për arsye populizmi ose dore në zemër, tekembrama kalojnë gati të gjithë, çka nuk ndodh në Europë.
Së dyti: Është mëse normale që nxënësit të dalin më mirë në Anglisht se në Shqip dhe kjo së paku për dy arsye:
- Anglishtja është lëndë me zgjedhje, pra kush e zgjedh mes kaq e aq lēndësh, e zgjedh se ndjehet i sigurt; ndërsa Shqipja është lëndë e detyruar: duan s’duan, duhet ta duan!
- Shqipja është gjuhë amtare (L1) për maturantët tanë, ndërsa anglishtja është gjuhë e huaj (L2 ose L3). Dhe dihet se gjuha e huaj ka funksione pragmatike, ndërsa gjuha amtare thadron edhe identitetin e mendësinë e secilit. Ky dallim qartas përcakton edhe dy lloje të ndryshme provimi, e afërmendsh verifikimi i kompetencës së Shqipes gjuhë amtare është tejet më i thellë e i vështirë se ai i një kompetence pragmatike. Kjo shkallë më e lartë vështirësie afërmendsh “këput” më shumë në provim
Së treti: të thuash pas kësaj se rinia shqiptare është më mirë në Anglisht se në Shqip është të flasësh qesim, po fare qesim ama dhe nuk e di si i thonë kētij qesimit turk në anglisht!
Kurrë po kurrësesi një shqipfolës që anglishten e mëson në shkollë pas moshës 8 vjeç (koha limit për bilinguizëm të paanshëm), kurrë pra nuk ka gjasa të jetë më mirë në anglisht L2 se në shqip L1.
Pyetja mbetet: pse kaq keq në shqip? Dhe për këtë ejani të flasim! E të marrim secili detyrat për zgjidhje.