Alfred Lela, Politico.al
Henri Çili ia del, jo pak herë, të ndërtojë anti-konsensus për gjërat që bën; pra, arrin që të ndihmohet prej atyre që kujtojnë të kundërtën: se po e dëmtojnë. Edhe rasti i fundit i botimit të librit të Isuf Kalos, mjekut personal të Enver Hoxhës, ka qenë i tillë; jo pak vetë kanë dashur të krijojnë një trio të pashenjtë me Enverin, Isufin dhe Çilin duke goditur librin përmes personazhit, autorit dhe botuesit.
Ky i fundit duhet të shoqërohet ndonjëherë nga ajo që mund të quhet editor’s remorse, njëfarë keqardhjeje, droje apo vrasjeje ndërgjegjeje për tekstet që boton. Libri i Isuf Kalos duhej të ishte ndoshta rasti më i frytshëm për ta dëshmuar këtë delikatesë. Duke qenë se asgjë nuk mund të tërhiqet më mbrapsht; as libri, as botimi, as vetë vdekja e Enverit dhe as fakti që ish-mjeku vazhdon ta mjekojë edhe për së vdekuri, mundemi vetëm të interpretojmë tekstin dhe nëpërmjet tij autorin dhe kohën të cilën jetojmë, me vlerat dhe antivlerat.
E para gjë, që rrjedh prej një paniku intelektual, është mosgatishmëria apo pandjeshmëria e autorit të ‘Bllokut’ për të ndërtuar me anë të librit një ndarje mes vlerës dhe jovlerës. Demonstrohet me një vendosmëri thuajse malinje veneracioni që mjeku ka për pacientin e vet, diktatorin e fuqishëm komunist të Shqipërisë, Enver Hoxhën. Edhe pse jep skena dhe prapaskena të krimeve të tij, një pandjeshmëri thuajse përbindëshi të pacientit të vet, Kalo e ka monumentalizuar Enverin. Thuajse si një ndjesi faji që nuk e mbajti dot edhe më gjatë në jetë.
Pjesë e këtij monumentalizimi është edhe një anti-portret që autori i ndërton Ramiz Alisë, pasardhësit të Enverit. Mund të thuhet madje se gjithë libri është shkruar për të dehumanizuar dhe qortuar Ramizin. Edhe pse Kalo e kritikon Alinë për ‘vonesat’ dhe hilet në ‘lejimin’ e demokracisë, duket sikur e qorton për të kundërtën: që e tradhtoi Enverin, që lejoi rrëzimin e monumentit dhe të regjimit të tij.
Në të gjithë librin ka episode rrëqethëse ku dëshmohen pandjeshmëri njerëzore, politike dhe shoqërore të përbindshme nga personazhet kryesorë të Bllokut komunist; megjithatë, autori e ruan simpatinë për ta. Linja e rrëfimit bëhet bizare, duke e lënë mjekun në duart e vetes, si njëfarë humanisti hibrid i cili duhet të jetë njerëzor për pacientin e vet, por i tillë edhe me viktimat që ai shkakton.
Kalo e spërkat narrativën edhe me ‘anën tjetër’, dmth pasojat e Bllokut, por kjo ndodh vetëm si masë e të qenit politikisht korrekt.
Autori merr edhe një masë tjetër, duke futur me shumicë në tekst maksima, citate dhe shenja leximesh të cilat e bëjnë të duket njeri i lexuar, çka është një kredit që i takon, por kjo përmasë kulturore nuk e balancon, madje e kundërta, e thellon mungesën e intelektualit te mjeku Kalo. Ai nuk ka mundur të bëjë atë që intelektualët e njëmendtë bëjnë, të ndahet nga varësia e pacientit të tij ‘madhështor’ dhe t’i japë lexuesit dhe arkivave të kujtesës historike pamjet ‘e pritshme’ nga laboratari i krimit dhe dehumanizmit që ka qenë Blloku i Enver Hoxhës.
Duke mos bërë dot këtë Kalo bie në hendekun më të rrezikshëm të një rrëfimtari me jetë dhe aktivitet ngjitur me më të fuqishmit: nuk e heq dot nga vetja mantelin e të nënshtruarit, të çirakut përballë mjeshtrit. Duke mos dashur të tingëllojë mosmirënjohës me fatin e mirë, apo refuzues i jetës dhe veprës së vet, Isuf Kalo e dokumenton atë jetë dhe vepër jo si humanist dhe intelektual shqiptar, por si parveny i Bllokut.
Librat jetojnë gjatë për t’i dëshmuar shkarjet e autorëve.