Home KRYESORE Ne Këln vetëm mëmë e babë e muhabet s’gjen dot…

Ne Këln vetëm mëmë e babë e muhabet s’gjen dot…

Nga Capajev Gjokutaj

Qaniu ka ikur tek e bija në Këln. Mërzitem për kiamet, na shkruan. Këtu po të kesh para, blen ç’të duash, vetëm mëmë e babë e muhabet s’gjen dot.

Ditën shetis në park dhe shkoj në një kafene. S’të qaset njeri. Darkave mblidhen këta të shtëpisë. Këmbejmë ndonjë llaf shpejt e shpejt, sikur na ndjek gjermëni prapa, pastaj secili me të vetën në Ipad, Iphone, tv.

Kujtoj gjithë mall darkat e fëmijërisë. Jetonim në një fermë. S’kish as energji, pa le më radio. Dimrit errej shpejt e, deri sa të vinte vakti i gjumit, koha ngjante e gjatë, si bisht lugati.

Mblidheshim në shtëpitë e njeri-tjetrit. Të rriturit kallzonin ndodhi të jetuara e të dëgjuara. Galeri të tëra personazhesh, vendesh, peripecish. Ne, të vegjlit, i përjetonim me po aq emocion, sa do përjetonim më pas Homerin e Bokaçion, Tolstoin e Balzakun.

Ka diçka të çuditshme. I kujtoj ato mbrëmje me mall e nostalgji, si një nga gjërat më të bukura që kam jetuar. Po të përsëriteshin tani, vështirë se mund t’i shijoja si gëzim e si magj. Pa drita, me zjarrin në vatër që të ngrohte para e te ftohte pas. Tani mund të më dukeshin si vuajtje.

Mbase mekja e komunikimit sy më sy sot, më shtyn të idealizoj ato mbrëmje. Po malli e nostalgjia mbulojnë gjithë kujtimet e fëmijërisë. Dhe ishte kohë jo dhe aq e bukur. Të veshur keq, shpesh të panginjur plotësisht, udhëtonim në zheg e acar rreth 2 orë për vajtje e ardhje nga shkolla.

Pyes veten: ç’është ajo forcë që mungesat e vuajtjet i vesh me mall e magji?

Mbase kur kujtojmë të kaluarën nuk ripërtërijmë realitetin e dikurshëm, por vetëm disa nga emocionet që përjetonim.

Mbase tani, në moshën e tretë, kur fundi nuk është më ide, por realitet që afrohet përditë e më shumë, na pëlqen t’i themi vetes se jeta jonë ka qenë plot vlera e bukuri.

Mbase jemi të lodhur e të ezauruar dhe çlodhemi në limanet e të kaluarës. Ose qendrojmë pak çaste në to, që të marrim forcë e të vazhdojmë përpara.Drejt Itakes, qe hera-herës më ngjan se s’është dhé, por vetja jonë në të shkuarën.

Mbase…

Po ç’rëndësi kanë pse-të e shpjegimet. I rëndësishëm është fakti: rijetojmë jetën si diçka të bukur dhe kështu e bëjmë më të gjatë e më ngashënjyese.

( Nga cikli ‘Mademet e shpirtit’ )

Share: