Nga Alba Huta
Bir!
Shpirt, që desha aq shumë të ishe këtu me mua sot.
Qëkur më gërryente ndjenja e amsisë
ndër damarët prej gruaje, të doja bir.
Të doja aq shumë, saqë kur merrja vesh për motrat e tua,
zemra me zvogëlohej gati në të humbur.
Edhe ajo zemër që mbetej,
e vockël fare, për momentin bëhej gur…
Pendohem sa s’ka ku të shkojë për këtë dashuri të verbër,
në limitet e varesisë prej teje, pendohem fort.
Por mësova të të harroj shumë shpejt, prej motrave të tua.
Ato janë dritë e patjetërsueshme në sytë e mi.
Jane dritë e kupton, dritë, dashuri.
Mos u trishto!
Tek secila prej tyre ka nga një tipar tëndin
që e veshin shpesh.
Janë të forta.
Janë të zonjat e vetes
e do jenë edhe më mirë në këtë botë
ku shpesh vajzat dhe gratë nuk janë aq të forta sa duhet.
Ato kanë veshur rrobën e pavarësisë prej pushtetit mashkullor.
Ti i mësove, me mungesën tënde.
Bota është e tyre.
Bir, Po të lë të lirë
Po të le të shkosh tek një tjetër nënë,
tek një nënë që ka nevojë më shumë se unë.
Ne jemi shumë mirë…