Home KRYESORE DUM SPIRO, SPERO! Nga Gladiola Jourbus

DUM SPIRO, SPERO! Nga Gladiola Jourbus

Shpresë do të thotë të presësh me besim. Njeriu ka gjithmonë shpresë, edhe në momentet më të vështira. Ai është mbështetur fort te shpresa, sepse e para dëshiron të realizojë projektet e veta dhe e dyta sepse nuk mund ta jetojë jetën pa të (shpresën).

Kur Pandora, (vajza hyjnore, e cila u martua me Titanin Epimete, vëlla i Prometeut) nga kurioziteti, hapi kutinë që Zeusi i kishte urdhëruar të mos hapë, të gjitha të këqijat e botës dolën, përveç shpresës. Njerëzit, të cilët dikur jetonin të lumtur dhe të pavdekshëm si perënditë, pikërisht atëherë u njohën me dhembjen, sëmundjen, vuajtjen dhe vdekjen, derisa Pandora çliroi gjithashtu Shpresën, gjë që bëri të mundur zbutjen e ekzistencës së tyre të padurueshme.

Shumë e njohin këtë histori të mitologjisë greke të dhënë nga Hesiodi, por disa ndoshta e kanë vënë në pikëpy­etje kuptimin e saj në thellësi.

Në kulturën greke, shpresa ishte shumë e afërt me iluzionin, e cila në mënyrë të pashmangshme u pasua nga zhgënjimi, gjë që e bën realitetin edhe më tragjik; prandaj, ndonjëherë është më mirë të mos shpresojmë (?).

Mendimi se e ardhmja do të jetë më e mirë sesa e tashmja është një motiv për të vazhduar përpara.

Megjithatë, pavarësisht nga filozofitë dhe fetë, njerëzit kurrë nuk kanë hequr dorë nga shpresa. Pse? A është të shpresuarit një formë arsyetimi apo sentimentalizëm?

Ky nuk është një dyshim abstrakt, (cogito, ergo sum) por një çështje thelbësore, në një kohë kur rrjedha e dis­fatizmit, me vizionin e vet të autoshkatërrimit të menjëhershëm, nënkupton frikë dhe qëndrime regresive.

Gjithashtu duhet të theksojmë se nuk duhet konsideruar shpresa, një ndjenjë tipike për ata që e gjejnë veten në situata dobësie apo katastrofike; përkundrazi, mbetet një virtyt i fortë, edhe në momentet më kritike. Jeta vetë konsiston pikërisht këtu: të shpresojmë më të mirën për veten, të afërmit dhe të gjithë njerëzimin.

Koncepti biblik i shpresës është më i gjerë dhe më i thellë se ai që përdoret zakonisht nga mjekët, shkencëtarët dhe psikologët sot. Në Bibël, fjala “shpresë” përcjell idenë e dëshirës dhe të pritjes së diçkaje të mirë. Shpresa përbëhet kryesisht nga dy komponentë: dëshira për diçka të mirë dhe themeli për të besuar se diçka e mirë do të vijë. Shën Pali përdor një ilustrim tjetër grafik të shpresës që lidhet me vullnetin e Perëndisë. Ai shkroi: «Këtë shpresë e kemi si një spirancë shpirtërore, të sigurt dhe të vendosur» (Hebrenjve 6:19). Si mbijetues i më shumë se një mbytjeje, Shën Pali e dinte mirë vlerën e një spirance.

Shpresë do të thotë të presësh me besim. Njeriu ka gjithmonë shpresë, edhe në momentet më të vështira. Ai është mbështetur fort te shpresa, sepse e para dëshiron të realizojë projektet e veta dhe e dyta sepse nuk mund ta jetojë jetën pa të (shpresën).

Njerëzit e depresuar e humbasin shpresën, nuk presin asgjë, nuk kanë interes, mbyllen në vetvete dhe nuk identifikojnë dot, domethënien e jetës. Ata nuk mund të rifillojnë nga e para, ndihen të padobishëm, dështakë, e urrejnë veten dhe mendojnë se vdekja është shpresa e tyre, ankora e vetme e shpëtimit.

Secili prej nesh mund të jetë shpresa e dikujt tjetër, ashtu siç janë fëmijët shpresa e prindërve, ashtu si dashuria na mbush plot shpresë dhe na pajton me jetën.

Shpresa ngjizet në momentet e gëzimit dhe janë pikërisht ato që na shtyjnë të besojmë në diçka më të mirë.

Kur jeta duket e mrekullueshme, ne ndihemi më afër qiellit dhe kur dhembja na kërcënon, strukemi në folezën e shpresës.

Jeta është kohë dhe shpresë. Asgjë që duam nuk ndodh në atë moment që mendojmë për të; ne duhet të presim, sepse dhe jeta vetë pret.

Dëshira dhe shpresa i korrespondojnë njëra – tjetrës, sepse dëshira e bën shpresën të mundur dhe pa dëshirë nuk ka shpresë. Pra, për ata që duan të jetojnë, çdo mëngjes është shpresa e një dite të re. Ndaj sa kam frymë, kam shpresë.

Share: