Vendimi i opozitës së bashkuar për të marrë pjesë sot në tryezën e Reformës Zgjedhore, ku e pranishme ishte edhe OSBE, ka ngjallur reagime të shumta politike. Opozita parlamentare e ka parë këtë rikthim të opozitës joparlamentare në tryezën e diskutimit si një sinjal për dialog apo marrëveshje të fshehtë të Partisë Demokratike me Partinë Socialiste.
Lidhur me këtë, Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso, sqaroi në rubrikën “Opinion”, në News24, se nuk ka asnjë sinjal për pakt të fshehtë politik dhe se diçka e tillë nuk do të ndodhë.
“Prania ime atje ishte përgjigje pozitive e ftesës së partnerëve ndërkombëtarë. Është tregues i mirënjohjes për përpjekjet e vazhdueshme të ndërkombëtarëve në procesin e funksionimit të demokracisë në Shqipëri. Ne kemi shkuar në tryezë, në mënyrë që të plotësohet kushti për integrimin. Nuk shoh në asnjë moment të qëndrimit të opozitës ndonjë sinjal që do të vërtetonte një hipotezë të tillë. Nëse do kishte një marrëveshje të tillë, Reforma Zgjedhore do të ishte bërë në letër dhe do ishte shitur nga qeveria si një hap i madh përpara. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë, pasi opozita e bashkuar nuk bëhet fasadë”, theksoi Kaso.
Më tej, Kaso vlerësoi tryezën e mbledhur sot, duke thënë se është një hap i parë në drejtimin e duhur.
“Do e vlerësoja si një hap i parë në drejtimin e duhur. Diskutimi i hapur dhe shpalosja e qëndrimeve i shërben një ecurie të mëtejshme. Reforma Zgjedhore është tejet e rëndësishme. Sa më parë të nisë puna për identifikimin e problemeve të zgjedhjeve, aq më shpejt do përmbushen standardet për zgjedhje të lira. Ne kemi kërkuar gjithmonë garantim të rregullave të barabarta për të gjithë”, shtoi ai.
(d.ç./BalkanWeb)