Home KRYESORE Injorimi i socialistëve të degës lokale shkakton debat në PS e Shkodrës

Injorimi i socialistëve të degës lokale shkakton debat në PS e Shkodrës

Takimi i së mërkurës i degës së Partisë Socialiste në Shkodër është shoqëruar me debate të forta.

Emërimi i drejtorëve në institucionet rajonale dhe lokale nga Tirana dhe jo nga konsultimet me bazën e partisë në Shkodër ka qenë pakënaqësia kryesore rreth të cilës është zhvilluar debati. Sekretarit Organizativ, Arben Pëllumbi i është kërkuar llogari për këtë injorim që i është bërë degës lokale të cilës sipas tyre i kërkohet të bëjë fushatë e të mbledhë vota.

Pëllumbi i ka konsideruar këto ankesa si qejfmbetje personale. “Arsyeja bazë që ne të gjithë merremi me këtë punë është sepse besojmë që Partia Socialiste dhe Qeveria e saj është ajo e cila e bën më mirë shërbimin ndaj qytetarëve. Por nuk përjashtohen mundësitë që individë të caktuar të kenë probleme personale”, tha Pëllumbi.

Ai tha se për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të institucioneve lokale në Shkodër është ngritur një grup qytetar i spikatur megjithëse debatet ishin pikërisht për faktin se emërimet vijnë të gatshme nga Tirana.

Një nga rastet që ngjalli debat në degën socialiste të Shkodrës ishte përzgjedhja e Valdrin Pjetrit si kandidat për Bashkinë i cili u detyrua të japë dorëheqjen pasi u zbulua se kishte qenë i dënuar në Itali. Kjo ndezi një debat mbi faktin se nga kishte ardhur propozimi për Pjetrin ku nga njëra anë, ish-drejtuesi i qarkut Ditmir Bushati deklaroi se propozimi erdhi nga qendra ndërsa kryeministri Rama ka deklaruar se propozimi ka ardhur nga baza në Shkodër.

Diskutimet në Shkodër pritet të vijojnë edhe të premten në selinë qendrore të PS në Tiranë ku kryeministri Rama ka thirrur grupin e veriut, me drejtuesit e qarqeve të Shkodrës, Lezhës, Dibrës dhe Kukësit. /Opinion.al

Share: