Nga Emin AZEMI
Në Kosovë përfundoi gara Kryeministrore. Partitë nuk i pamë askund. Vullneti për të nxjerrë Kryeministrin në garë dhe për të fshehë partinë nga mejdani politik, tregon se Kosova ende nuk është e gatshme të zhvillojë beteja të njëmendëta elektorale. Protagonizmi para ekipit, bajraktarizmi para lidershipit, e kanë shndërruar skenën politike të Kosovës në një ring të tmershëm ku në vend të programeve dhe platformave, garojnë individët e reinkarnuar në figura kryeministrore.
Kjo garë ta çon mallin e betejave elektorale të Amerikës ku në dy taborre ndahen kandidatët presidencialë të cilët i drejtohen kombit me platformat e tyre se si do ti projektojnë politikat mbi taksat, mbi sigurimin shëndetësor, mbi problemet me emigrantët, mbi buxhetin e ushtrisë, mbi (mos)transparencën e punës së shërbimeve inteligjente, mbi kërcënimet kibernetike ruse dhe konkurrencën joluajale tregtare të Kinës etj. etj.
Të gjitha këto tema, në Kosovë përjetohen si rrëfime mbi Perëndimin e largët që një ditë do t’ua sjellë lirinë e të mos paturit nevojë të udhëhiqesh nga një njeri i vetëm, i cili posa të bëhet Kryeministër harron shkallët prej nga është ngritur dhe saora përfundon në shtratin e vetëkanqësive hedoniste që ti jep pushteti i pakufishëm dhe i pakontrollueshëm nga mekanizmat demokratikë të vendimmarrjes. Keni dëgjuar ndonjëherë që një (krye)ministër në Kosovë të jetë frikësuar të shkojë në sallën e Parlamentit dhe të japë llogari për punët e pakryera?!
Në gjithë botën demokratike (përveç Koresë Veriore, Kongos dhe Zimbabvesë, Bjellorusisë dhe Turkmenistanit) Parlamenti është anija që lundron me velat e vullnetit popullor dhe gjithkush që guxon të deformojë këtë kurs të anijes përfundon në gojët e peshkaqenëve. Në Kosovë, politikanët janë peshkaqejë që gllabërojnë mjeshtrit e velave, kurse anijen e lënë në duart e kusarëve. Prandaj disa herë brenda këtyre viteve të fundit anija e quajtur Kosovë lundroi në kursin e gabuar, për shkak të mjegullës që prodhonte lidershipi i saj.
Në këtë garë parazgjedhore, megjithatë, patëm rastin të shohim një përjashtim substancial, që u imponua përmes karizmës së quajtur Albin Kurti. Edhe ai gjatë gjithë kohës u prezantua si Kryeministër i ardhshëm i Kosovës, por shumë pak foli si Albin Kurti, të cilit i nevojitet përkrahja popullore për të ndërtu pallate për vete dhe hakrabatë e tij. Ai nuk harroi të përmend emra njerëzish, të cilët kishin kontribuar që fushata elektorale epartisë së tij të dilte elegante dhe mbresëlënëse në sytë e publikut.
Gjuha e Albin Kurtit në këtë fushatë parazgjedhore përjashtoi çfarëdo lloj tautologjie të dëgjuar dikund më heret, në ndonjë odë të tymosur të Kosovës dhe të alivanosur nga era e suxhukit, teksa burrat e shpisë e përdornin si meze me rakinë që e pinin tinëz bablokit.
Ai mbetet burimor në artikulimin e qartë të gajleve që sot ka çdo kosovar dhe ata që e refuzojnë ta kuptojnë këtë gjuhë, janë të prirur të jetojnë me filmat e përsëritur bardh e zi që i kishin xhiruar qeveritë e kaluara. Përjetimi për të dhunuar shijen tënde duke qenë i detyruar të shikosh filma të përsëritur me protagonistë që kishin vjedhur jetën tuaj për të ndërtuar mirëqenien e tyre, është një mazohizëm i paparë. Është një trajektore fatkobe që risjell ciklin e marrëzive mbi kokat e një populli të tërë.
Kosova ka nevoje për një Qeveri që punon per të ardhmen e vendit, e jo për bizneset e lëna përgjysmë të qeveritarëve.
Kosova ka nevojë per një Qeveri që prodhon mirëqenie kolektive, e jo monopole okigarkësh që i zhvleresojnë produktet vendore me interesat e tyre biznisore te lidhura me importin.
Kosova ka nevojë per nje Qeveri qe vendos kufinj se deri ku mund te shkoj dinjiteti i saj, e jo te negociojë per kufinj ku shkilet sovraniteti i saj….
Të dielen Kosova ka mundësi ta lidhë spirancën në një port të sigurt ku pasagjerët mund të llogarisin në besnikërinë e kapitenit vizionar. Por, ka mundësi të vazhdojë të prodhojë edhe më tutje ushqim për peshkaqejt e uritur me naivitetin e shikuesve që nuk ngopen me filma të përsëritur bardh e zi.
Zgjedhjet e 6 tetorit nuk janë thjeshtë votime të radhës për të sjellë një qeveri të re në pushtet. Këto zgjedhje parasegjithash janë vendimtare në guximin qytetar për të refuzuar stilin e qeverisjeve të deritanishme.
Ky refuzim ka një ofertë konkrete dhe kuptimi për ta kapur thelbin e këtij refuzimi lidhet kryekëput me emrin e Albin Kurtit.
Gjithçka tjetër i ngjan një shesh xhirimi me protagonistë që kishin aktruar flijimin, por që kishin mbetur gjallë duke u tallur me naivitetin e votuesve dhe durimin e taksapaguesve.
4 tetor 2019