Home KRYESORE Përpjekjet për shkarkimin e Trumpit, dëshmojnë dy zyrtarë të DASH

Përpjekjet për shkarkimin e Trumpit, dëshmojnë dy zyrtarë të DASH

Tri komitete të Kongresit amerikan do të dëgjojnë çfarë kanë për të thënë dëshmitarët ditën e sotme, në kuadër të procesit për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump.

Gordon Sondland, ambasador amerikan në Bashkimin Evropian dhe Ulrich Brechbuhl, këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit, pritet të japin dëshmitë e tyre para ligjvënësve të Komiteteve të Inteligjencës, për Punë të Jashtme dhe atij për Reforma.

Hetimet kanë nisur pas zbulimit të një bisede më 25 korrik mes presidentit Trump dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

Sipas informatorit, gjatë bisedës, Trump i ka kërkuar homologut të tij ukrainas që të nisë hetime për kundërshtarin e tij në garën për zgjedhjet presidenciale, Joe Biden, dhe përfshirjen e djalit të këtij të fundit, në një kompani ukrainase për energji.

Para telefonatës, Trump pezulloi ndihmën ushtarake në vlerë të 400 milonë dollarëve për Ukrainën. Informatori ka pretenduar se Trump “ka përdorur postin e tij për të kërkuar ndihmë nga një shtet i huaj”, në prag të procesit zgjedhor për një mandat tjetër presidencial.

Trump e ka konsideruar hetimin për shkarkim si “mashtrim” mirëpo ka pranuar se “ia ka vështirësuar punën”.

Sipas Kushtetutës amerikane, Dhoma e Përfaqësuesve ka fuqi për të shkarkuar presidentin për “shkelje të rënda dhe keqbërje”.

Kjo është hera e katërt në historinë amerikane që ka nisur një procedurë për shkarkim të presidentit, edhe pse asnjëri prej presidentëve nuk është larguar nga posti përmes këtij procesi./Opinion.al

Share: