Home Gjeo-Ekonomia Shqipërisë i shtohen të moshuarit, në 10 vite ka 22% më shumë...

Shqipërisë i shtohen të moshuarit, në 10 vite ka 22% më shumë persona…

Tetori nisi me ditën ndërkombëtare të të moshuarve, numri i të cilëve, si pasojë e procesit të plakjes së popullsisë po rritet me shpejtësi.

Vetëm në 10 vitet e fundit numri i individëve mbi 85 vjeç është rritur me 22%, ndërsa në krahasim me një vit më parë me 5%.

Të dhënat e INSTAT mbi popullsinë raportojnë se në 1 janar 2019 kishte në Shqipëri 24,186 të moshuar mbi 85 vjeç, nga rreth 23 mijë që përllogariteshin në 1 janar të vitit 2018.  Me hyrjen e mijëvjeçarit të ri, numri i të moshuarve ka pësuar rritje drastike. Kështu sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2001 kishte vetëm 14,866 persona të moshës mbi 85 vjeç, apo rreth 40% më pak se sa ka aktualisht.

Plakja e popullsisë, sigurisht, që do të shoqërohet edhe me pasoja në ekonomi. Me rritjen e të moshuarve bie edhe produktiviteti i popullsisë dhe njëkohësisht kërkohen që të rritet numri i kapaciteteve për kujdesin shëndetësor. Shpenzimet për pensione rriten, në të njëjtën kohë kur ulet numri i kontribuuesve.

Njëkohësisht, me plakjen e popullsisë po ndodhin edhe fenomene të tjera që po ndikojnë në ndryshimin e strukturës demografike në vend, siç është emigracioni. Me largimin e të rinjve do të rritet edhe nevoja për shtëpi ku ofrohet përkujdes ndaj të moshuarve.

Europa po moshohet gjithashtu

Në një publikim të Eurostat thuhet se deri në 2050 pritet që numri i njerëzve që e kanë kapur moshën 100 pritet të arrijë në 500 mijë, ndërkohë që në vitin 2018 ishin 106 mijë. Eurostat ka njoftuar publikimin e një studimi mbi plakjen e popullsisë europiane të cilët do ta publikojë me 18 tetor. Studimet dhe projeksionet mbi ndryshimet demografike janë shumë të rëndësishme për vendimmarrësit për të hartuar politika sa më efikase.

Ndërkohë që Kombet e Bashkuara parashikojnë se midis viteve 2017 dhe 2030, numri i personave të moshës 60 vjeç ose më shumë në botë parashikohet të rritet me 46%.

Projeksionet e zymta, ne 2100 do jemi më të moshuarit e Ballkanit

Projeksionet e popullsisë janë të zymta, ku sipas OKB-së parashikohet që deri në 2100 të arrijë në 1.75 milionë banorë.

Të dhënat janë edhe më të trishta kur bëhet fjalë për parashikimin e moshës mediane të popullsisë shqiptare në 2100, prej 53.2 vite, më e larta në rajon. Nga vendi me popullsinë më të re, shqiptarët do të jenë shumë shpejt “pleqtë” e Ballkanit Perëndimor.

Pas Shqipërisë, projeksionet parashikojnë se moshën më të lartë mediane do ta ketë Mali i Zi me 50.3 vjeç, pasuar nga Bosnjë dhe Hercegovina me 49.8 vjeç, Serbia dhe Maqedonia me 48.7. Ndërsa mosha mediane në botë përllogaritet që deri në 2100 të jetë 41.6.

Ndërkohë që 50 vjet më parë, Shqipëria kishte popullsinë mediane më të re të rajonit me një moshë mediane prej 19.6 vjet, madje më të ulët edhe se mosha mediane botërore prej 21.5 vjet. Mosha mediane në Serbi në 1970 përllogaritej 11 vite më e lartë se në Shqipëri, prej 30.1 vitesh./ Burimi: Monitor

Share: