Kryeministri Rama tha sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për Tiranën dhe Durrësin.
Ai njoftoi se shpallja e kësaj gjendjeje do të jetë për 30 ditë por ende mbetet për tu konfirmuar nëse kemi të bëjmë me gjendje të jashtëzakonshme apo të fatkeqësisë natyrore pasi këto dy terma janë të ndarë në kushtetutë.
Sipas Nenit 173 të Kushtetutës, gjendja e jashtëzakonshme vendoset nga Kuvendi me propozim të Këshillit të Ministrave në rastet kur cënohet rendi kushtetues dhe siguria publike ndërsa Neni 174 i Kushtetutës thotë se “për parandalimin ose mënjanimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit.”
Megjithatë për të dyja rastet vlen neni 170, pika 5 e Kushtetutës i cili cilëson se:
“Gjatë gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme, nuk mund të ndryshohet asnjë prej këtyre akteve: Kushtetuta, ligjet për zgjedhjet për Kuvendin dhe për organet e pushtetit vendor, si dhe ligjet për masat e jashtëzakonshme.”
Kjo do të thotë se deri më 27 Dhjetor të gjitha nismat ligjore të ndërmarra do të ndërpriten dhe këtu vlen të përmendet Reforma Zgjedhore por edhe nisma e Parlamentit për shkarkimin e Presdentit Meta.
Ajo që vlen të nënvizohet gjithashtu është se gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, në zonat ku ajo është shpallur kufizohet e drejta e qytetarëve për tubime, e drejtë kjo që sipas Kushtetutës nuk kufizohet në rastin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
Në rastin konkret, Shqipëria ndodhet në një gjendje të vështirë pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti që ra mëngjesin e së martës i cili shkatërroi disa banesa dhe la mbi 20 viktima.
Pra kjo gjendje është e arsyeshme të konsiderohet si fakteqësi natyrore. Sipas ligjit të miratuar në 17 korrik 2019, parashikohet që shteti shqiptar të përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie (neni 41 pika 1)
Në çdo rast, kur shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore, kompensimi mund të bëhet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.
Ligji parashikon edhe bashkëpunimin ndërkombëtar e marrjen e asistencës ndërkombëtare nga shtetet e tjera (neni 53,54)dhe donatorët e huaj japin për parandalimin dhe përballimin e situatës së krijuar nga fatkeqësitë.
Autoriteti përgjegjës për koordinimin e mbështetjes së vendit pritës, në rastet e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, është Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, ndërsa në rastet e tjera është Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
Neni 42, pika 2 paragrafi b) parashikon aktivizimin dhe organizimin e procedurës së evakuimit të detyruar për popullsinë e rrezikuar. Për këtë foli edhe kryeministri Rama i cili tha se “nuk do të toleroj asnjë banor që të qëndrojë në banesën e dëmtuar. Teoria që unë nuk lë shtëpinë nuk do të funksionojë.
Ligji ka renditur edhe atë që quhet infrastrukturë kritike, që duhet mbajtur në parametra pune e kontrolli, si furnizimi me energji elektrike, menaxhimi i gazit, naftës e nënprodukteve të saj, rrjeti i telekomunikacionit, furnizimi me ujë, me ushqime, gatishmëria e spitaleve, qendrave shëndetësore e ambulancave, sistemet e transportit të brendshëm, rrjeti hekurudhor, aeroportet dhe portet.
Në nenin 57 thuhet se përveç të drejtës për informacion në mënyrë të përhershme e të përditësuar në situatat e fatkeqësive natyrore, kanë edhe të drejtë të kërkojnë mbrojtjen e jetës së tyre dhe të pronës nga strukturat e mbrojtjes civile, sigurimin e kushteve për jetesë kur janë prekur nga fatkeqësia, deri në momentin e rikthimit në gjendje normale. /Opinion.al