Home KRYESORE Meta flet për zgjidhjen e krizës, kthimin në LSI dhe një mesazh...

Meta flet për zgjidhjen e krizës, kthimin në LSI dhe një mesazh për Ramën

Presidenti Ilir Meta është shprehur se Rezoluta e Bundestagut është pika e referimit për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Në një intervistë për gazetën MAPO, presidenti ka deklaruar se sa i përket krizës, opozita nuk duhet të kishte qasje delegjitimuese dhe mazhoranca qasje uzurpuese. Ai i është referuar kushteve të Bundestagut si një platformë e mirë për daljen e vendit nga kriza.

Në vlerësimin tim, opozita nuk duhet të kishte ndjekur rrugën e largimit dhe delegjitimimit të institucioneve, por duhet të bënte çdo gjë për të mos lejuar kapjen dhe uzurpimin e institucioneve. Kam qenë gjithnjë i qartë që opozita të mos kishte qasjen e delegjitimimit dhe shumica atë të uzurpimit, qasje që nuk kanë asnjë pikë takimi, por të gjenin rrugën e dialogut politik në interes të integrimit të vendit. Rezoluta e Bundestagut është pika e referimit për zgjidhjen e krizës në vend dhe integrimin në Bashkimin Europian. Ajo është platforma më e mirë për daljen e vendit nga kriza dhe arritjen e reformave për një anëtarësim sa më të shpejtë të vendit në BE

Presidenti Meta deklaroi gjithashtu se votimi i Reformës në Drejtësi në mënyrë unanime është arritje e tij si Kreu i Kuvendit dhe se akuzat se ai nuk e do këtë reformë janë të sponsorizuara nga ata që kërkojnë të kapin institucionet sipas tij.

Kjo është një nga tezat më bajate e sponsorizuar majmërisht nga ata që duan qëllimisht dështimin e Reformës në Drejtësi dhe kapjen e të gjitha institucioneve të reja të drejtësisë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë. Është e qartë nga të gjithë se pa përpjekjet e mia, Reforma në Drejtësi e 21-22 korrikut 2016, që u miratua me 140 vota, nuk do ishte arrirë, por do të kishte lindur e dështuar dhe Shqipëria nuk do të kishte marrë as rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave në vjeshtën e vitit 2016, për shkak të konsensusit të ndryshimeve kushtetuese. Të gjithë e kanë të qartë se kujt i ka interesuar asgjësimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Frika u përket frikacakëve. Kjo nuk ka lidhje me Presidentin, pasi të gjithë e dinë se ai nuk i përket kësaj kategorie

I pyetur për një rikthim të tijin në LSI, Meta u përgjigj me një shprehje të Felipe Gonzales.

Më pëlqen shumë një thënie e Felipe Gonzales: “E ardhmja nuk është më ajo që ishte””

Në fund të intervistës së tij Presidenti Meta dërgoi një mesazh për kryeministrin Rama. I pyetur se nëse ka ardhur koha për largimin nga politika, presidenti u përgjigj se kjo për një politika ndodh kur ka frikë nga vota.

Mjaft për një politikan është kur ai ka frikë dhe tmerr nga vota e lirë e qytetarëve të tij” /Opinion.al

Share: