Home KRYESORE Normat diplomatike ndërkombëtare, sovraniteti shtetit, reagimi i Presidentit

Normat diplomatike ndërkombëtare, sovraniteti shtetit, reagimi i Presidentit

nga Prof. Lisen Bashkurti

Kohët e fundit, në mënyrë të vecantë pas adoptimit të reformës në drejtësi me ndryshimet kushtetuese të korrikut 2016, ka disa diplomatë dhe përfaqësi të huaja të akredituara në Tiranë që po përzihen cdo ditë, për cdo problem dhe në cdo fushë të jetës shqiptare, duke tejkaluar statusin e tyre diplomatik dhe duke shkelur sovranitetin e Shtetit Shqiptar.
Kjo dukuri, e cila sjellë pasoja të dyanshme negative, pra si për institucionet sovrane të Shqipërisë ashtu edhe për institucionet diplomatike mund të krijojë situata pa precedent në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë me shtete dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare.

  1. Konventa Diplomatike e Vjenës dhe respektimi i sovranitetit të shtetit
    Për njohësit dhe ushtruesit e detyrave diplomatike është ndërkombëtarisht e njohur se rregullat që i referohen përfaqësuesve diplomatik janë krijuar si rregulla zakonore të së drejtës ndërkombëtare diplomatike. Ato janë zbatuar në mënyrë konstante dhe uniforme.
    Në vitin 1815, në Kongresin e Vjenës u rregullua cështja problematike e diskutueshme e rangut të përfaqësuesve diplomatikë, e cila u plotësua në 1818, në Kongresin e Ahenit. Në vitin 1928, në Konferencën e Gjashtë Pan-Amerikane në Havanë është miratuar Konventa mbi Përfaqësuesit Diplomatikë, e cila ka vlefshmëri edhe sot për një numër të madh vëndesh të Amerikës Latine, pra ka karakter regjional.
    Zhvillimin më të madh dhe kodifikim e plotë e drejta diplomatike ka marrë mbas Luftës së Dytë Botërore, kohë në cilën Komisioni i të Drejtës Ndërkombëtare përgatiti projektin e tij, që u miratua në Konventën mbi Marrëdhëniet Diplomatike të Vjenës, në vitin 1961. Dy vite më pas, në 1963, në Vjenë i miratua Konventa mbi Marrëdhëniet Konsullore. Ndërsa në vitin 1969 AP e OKB miratoi Konventën mbi Misionet Speciale (ad hoc), e cila u pasua në vitin 1975 me Konventën mbi Përfaqësimin e Shteteve në Organizatat Ndërkombëtare Universale.
    Me miratimin e këtyre Konventave mund të thuhet që ka përfunduar me sukses përpjekja e gjatë historike për të krijuar versionin e plotë të kodifikuar të të gjithë rregullave ekzistuese diplomatike e konsullore që janë miratuar dhe zbatohen nga shumica e shteteve antëre të Kombeve të Bashkuara. Në këto konventa parashihet statusi i përfaqësive diplomatike dhe konsullore dhe i personelit të tyre. Parashihet kompetencat, të drejtat dhe detyrimet, imunitetet dhe privilegjet. Këto rregulla përbëjne një kuadër të qartë dhe të plotë që njihen dhe kërkohet të zbatohen rigorozisht nga përfaqësitë e huaja dhe personeli i tyre, sikundër edhe nga shtetet pritëse ku ato janë vendosur dhe akredituar. 2.Sovraniteti reciprok dhe respektimi i tij
    Përfaqësitë diplomatike dhe konsullore vendosen dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territoret e shteteve sovrane, bazuar në njohjen reciproke të respektimit të sovranitetit midis shtetit ose organizatës që përfaqësojnë dhe shtetit ose organizatës ku janë vendosur dhe akredituar. Kemi, pra bashkëjetesën dhe bashkëpunimin midis intitucioneve sovrane recipoke: sovranitetin e shtetit ose të organizatës ku akreditohen dhe sovranitetin e shtetit ose të organizatës që përfaqësojnë. Respektimi reciprok i sovranitetit dypalësh është norma themelore ndërkombëtare që rregullon funksionimin normal, të qëndrueshëm dhe uniformë të shërbimit diplomatik ndërkombëtar. Kjo normë krijon kushtet në të cilat shteti sovran respekton të drejtat, privilegjet dhe imunitetet e diplomatëve dhe krijon kushtet për ushtrimin e lirë dhe të sigurt të shërbimit diplomatik të huaj të akredituar brënda kufijve të tij. Nga ana tjetër, kjo normë krijon kushtet, përcakton të drejtat e detyrat e diplomatëve të huaj që të njohin dhe të respektojnë sovranitetin, kushtetutën dhe ligjet e shtetit ku janë vendosur dhe brënda të cilit ushtrojnë veprimtarinë e tyre diplomatike.
  2. Shkeljet e normave diplomatike dhe pasojat
    Në praktikën e marrëdhënieve diplomatike, megjithë normat e sanksionuara dhe të respektuara në mënyrë të vazhdueshme dhe uniforme në nivel ndërkombëtar, ndeshemi edhe me shkelje të tyre. Ka raste që shkeljet vijnë nga shteti pritës, i cili nuk respekton të drejtat, imunitetet dhe privilegjet e përfaqësisë së huaj dhe diplomatëve të saj ose nuk krijon kushtet e kërkuara për ushtrimin e plotë të veprimtarisë së tyre. Për arsye politike, diplomatike, strategjike, sigurie apo veprimtarishe subversive ka shtete që i shkelin normat ndërkombëtare për përfaqësitë e huaja dhe diplomatët në vëndet e tyre. Gjatë Luftës së Ftohtë, këto shkelje ishin të shumta dhe për shkaqe të ndryshme.
    Por, nuk janë të pakta edhe rastet kur përfaqësitë e huaja dhe diplomatët e tyre shkelin sovranitetin e shtetit ku janë vendosur dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre, nuk respektojnë kushtetutën dhe ligjet e vëndit ku janë të akredituar, shkelin normat etike të paraqitjes, sjelljes dhe komunikimit dhe kodet e tyre të punës së tyre, tejkalojnë imunitetet dhe abuzojnë me privilegjet diplomatike.
    Shkelja nga njëra apo tjera palë, pra ose nga shteti akreditues ose nga përfaqësia apo diplomati i akredituar, i normave ndërkombëtare diplomatike shoqërohet me një sërë veprimesh nga palët. Këto veprime nisin nga takimet informale dhe formale, sekrete dhe publike, këmbimet e notave, paralajmërimet, tërheqjet e përkohëshme apo të përhershme të diplomatëve, ulja e nivelit të përfaqsësimit, shpalljen e personave ‘non grata’, mbyllja e përfaqësive të huaja si dhe deri te ndërprerja e plotë e marrëdhënieve diplomatike midis shteteve.
    Shkaqet e këtyre krizave diplomatike janë te njëra ose tjetra palë, pra ose te shteti pritës ose te përfaqësia diplomatike apo diplomatët e huaj të akredituar në të. Por, shkaqet mund të jenë njëherazi edhe nga të dy palët, pra si nga shteti pritës ashtu edhe nga përfaqësia e huaj dhe diplomatët e saj. Në rastin e fundit, kriza diplomatike krijohet nga shkeljet e dyanshme të normave diplomatike ndërkombëtare.
    Shkaqet mund të jenë të ndryshme, por pasojat, përgjithësisht, janë të njëjta ose të përafërta. Ato cënojnë deri në prishje dhe ndërprerje të plotë ta marrëdhënieve diplomatike midis shteteve, ose shteteve dhe organizatave ndërkombëtare. Në thelbin e vet, normat diplomatike ndërkombëtare, si pjesë e korpusit të së drejtës ndërkombëtare, janë krijuar dhe respektohen pikërisht që t’i shërbejnë ruajtjes, konsolidimit dhe zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare.
  3. Në Shqipëri përfaqësi dhe diplomatë po shkelin normat diplomatike ndërkombëtare
    Një nga shqetësimet serioze dhe në rritje kohët e fundit në Shqipëri është dukuria e ndërhyrjes së skajshme të përfaqësive dhe diplomatëve të huaj në fushat e sovranitetit të Shtetit Shqiptar. Në mënyrë të vecantë, kjo dukur shqetësuese dhe në rritje po vihet re mbas ndryshimeve kushtetuese të Korrikut 2016 dhe fillimit të zbatimit të reformës në drejtësi.
    Reforma në drejtësi është thelbësore për shtetin e së drejtës në Shqipëri. Miratimi i saj me konsesus nga Kuvendi i Shqipërisë dhe mbështetja e gjërë nga opinioni publik shqiptar dëshmon se ajo është ndërmarrë si nevojë dhe kërkesë e brëndshme e vëndit, e qytetarëve dhe e shtetit.
    Reforma në drejtësi është pjesë e detyrimeve kushtetuese për të gjithë. Ajo është pjesë e aktit publik më të rëndësishëm të sovranitetit shtetëror. Detyrimet kushtetuese janë primare për të gjithë. Përgjegjësit kryesorë për zbatimin e tyre janë sanksionuar në Kushtetutë, në frymën dhe në gërmat e saj. Janë pjesa më themelore, e qëndrueshme dhe e pacënueshme e sovranitetit shtetëror.
    Pikërisht në këtë dimension sovran, kohët e fundit janë shtuar ndërhyrjet e shpeshta, herë me vënd dhe herë pa vënd të disa përfaqësive diplomatike dhe të disa diplomatëve të lartë. Disa përfaqësi diplomatike dhe përfaqësues të tyre, që për etike nuk po i përmendim, po ndërhyjnë në cdo fazë, në cdo kohë, në cdo aspekt, në cdo mënyrë dhe po kërkojnë ose po japin zgjidhje jashtë suazave të kompetencave të tyre diplomatike, ose më saktë duke shkelur vijat e kuqe të sovranitetit shtetëror të Shqipërisë. Duket sikur disa përfaqësi dhe diplomatë të lartë po zëvëndësojnë institucionet sovrane, kushtetutën, ligjet, organet kompetente për zgjidhjen e problemeve dhe krizave të brëndshme. Madje, duket sikur këto përfaqësi dhe diplomatë po sillen si arbitra futbolli, që qëndrojnë me bilbil dhe flamurë në dorë për të ndëshkuar hap pas hapi cdo shkelje të lojtarëve.
    Kohët e fundit kemi ndeshur edhe raste të shkeljes së etikës publikisht nga diplomatë të lartë. Shpallja ‘persona non grata’ e ish ambasadorit të OSBE nga Presidenti Meta ishte një rast kulmor i fyerjes publike të qytetarëve shqiptar nga një diplomat i lartë dhe i reagimit me dinjitet i Presidentit të Republikës.
    Shqetësues është edhe fakti se kohët e fundit po rriten opinionet apo përceptimet, sipas të cilave diplomatë të lartë janë përfshirë në afera korruptive apo në abuzime seksuale në vëndin tonë. Këto raste ose përceptime janë jashtëmase të dëmshme dhe të rrezikshme në marrëdhëniet ndërkombëtare, cënojnë imazhin e diplomatëve, por edhe të Shqipërisë dhe ulin reputacionin ndërkombëtar të të palëve.
  4. Paralajmërimet e Presidentit të merren seriozisht nga palët
    I vënë përballë këtyre problemeve serioze, Presidenti i Republikës, Meta ka ndërmarrë gjithë hapat e nevojshme, në mënyrën dhe kohën e duhur. Meta ka bërë prej kohësh paralajmërime për ndërhyrje në vijat e kuqe të sovranitetit shtetëror. Ai i ka ndërmarrë këto hapa informalisht dhe formalisht, konfidencialisht dhe publikisht, në mënyra këshilluese dhe paralajmëruese, në forma të buta dhe të prera, në selinë e vet dhe në kancelaritë e huaja.
    Ky veprim i Presidentit ka rëndësi për shumë arsye. Së pari, mbron dhe lartëson rëndësinë e sovranitetit shtetëror të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dhe këtë Presidenti po e bën, kur ka institucione dhe liderë të tjerë që po e përdhosin dhe e shkelin me këmbë sovranitetin shtetëror të Shqipërisë. Së dyti, veprimi i Presidentit do ndikojë pozitivisht për të rritur përgjegjshmëritë dhe angazhimet e institucioneve dhe përfaqësuesve zyrtarë të vëndit për zbatuar kompetencat e tyre në respekt të kushtetutës dhe ligjit. Së treti, veprimi i Presidentit do ndikojë për një vetëpërmbajtje të përfaqësive dhe diplomatëve të huaj në Tiranë, që të veprojnë vetëm bazuar në normat diplomatike ndërkombëtare dhe jo jashtë tyre ose në tejkalim të tyrë. Së fundi, veprimet e Presidentit synojnë që të parandalojnë deklarime, sjellje e qëndrime të përfaqësive dhe përfaqësuesve të huaj në Tiranë, që do të krijonin cënim ose përkeqësim të marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë.
Share: