Home KRYESORE U betuan para Presidentit 3 anëtaret e Gjykatës Kushtetuese

U betuan para Presidentit 3 anëtaret e Gjykatës Kushtetuese

Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji u betuan përpara Presidentit Ilir Meta, mbrëmjen e kësaj të enjteje.  Elsa Tosku zuri vendin e Vladimir Kristos, si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Sipas radhës, e dyta që bëri betimin ishte zonja Marsida Xhaferllari. Kjo e fundit zëvendëson ish-gjyqtaren, Altina Xhoxhaj.

Më pas betimin përpara Presidentit dhe duke vendosur dorën mbi Kushtetutë, e bëri Fiona Papajorgji.

Gjykata Kushtetuese, institucioni më i lartë ligjor i vendit, është kthyer në sheshin e betejës së radhës mes presidentit Ilir Meta dhe shumicës së majtë, duke vënë në pikëpyetje serioze procesin e formësimit të saj.

Një ditë më parë, Kreu i Shtetit emëroi si anëtare Marsida Xhaferllarin në tejkalim të afatit 30 ditor që i jep atij Ligji për Gjykatën Kushtetuese. Këtë të enjte Arta Vorpsi, kandidatja e cila ishte e para në listën për vakancën e shpallur nga Kreu i Shtetit, e që sipas vendimit të botuar në Fletoren zyrtare, është shpallur automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese, për të njëjtën vakancë, zgjodhi një rrugë të re për të anashkaluar presidentin Meta.

Ky i fundit e bëri të qartë se nuk e njihte emërimin e saj e për pasojë nuk do të pranonte betimin. Vorpsi nga ana e saj, hartoi një dokument, i cili përfshinte dhe formulën e betimit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, dhe me vulën e noteres Miranda Xhemalçe, ja dërgoi me postë presidentit, duke vënë në dijeni dhe vetë Gjykatën.

Zgjedhja e saj duket se bie ndesh me Kushtetutën e cila përcakton në mënyrë fare të qartë në nenin 129 se “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”. Por përfaqësuesë të shumicës e konsiderojnë këtë një zgjedhje të vlefshme, në kushtet kur sipas tyre është presidenti që po i shmanget detyrimit kushtetues.

Duke sjellë si referencë dy raste të trajtuar nga Komisioni i Venecias, për Poloninë dhe Ukrainën, ata theksojnë se “betimi është deklarim i vullnetit për të pranuar detyrën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, e konsiderohet i përmbushur përsa kohë është deklaruar nga vetë zonja Vorpsi, e vërtetuar dhe para noterit dhe presidenti është vënë në dijeni”. Për pasojë, sipas tyre, që nga dita e sotme Vorpsi do të duhet të nisë ushtrimin e detyrës./ Opinion.al

Share: