Home KRYESORE Vdekja nuk shuan gjithçka!

Vdekja nuk shuan gjithçka!

Nga Amik Kasoruho

Njerëzit këto ditë nëntori kujtojnë burrat e shtetit, aktet e mëdha që çuan në krijimin e Shqipërisë së sotme gjërat që u bënë mirë dhe ato çka nuk ditëm t’i bënim. Tej gjithë patetizmit, dëshiroj të shkruaj për më të fundmin njeri, pa të cilin nuk humbet vetëm e Djathta, por mendimi politik, debati publik dhe kultura e demokracisë së brishtë shqiptare. Duke kujtuar fjalën e Astrit Patozit në ceremoninë e varrimit, “Sokolin e perceptuan masivisht në Shqipëri si një shef që mund të jetë i tillë edhe pa e vrarë njeriun brenda vetes”, e gjej me vend të them se Sokol Olldashi është një shqiptar i mirë, patriot dhe politikan i shquar. Dhe në aktet e mëdha të ndonjë përvjetori tjetër të madh, do ketë vend edhe për emrin e tij, për të cilin duhet folur pa kohë të kufizuar: – të shkuar, të sotme dhe të ardhme. Sepse ai rron mes nesh. Jo vetëm me jetën, por edhe me ikjen e tij ai u tregua fisnik. Fitoi sinqeritetin e kundërshtarëve: nëse pritej që shokët e partisë së tij të flitnin siç folën për të, respekti dhe serioziteti që u pa gjatë gjithë ceremonisë së organizuar prej kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe vendimi i Këshillit të Ministrave për ta shpallur ditë zije kombëtare ditën e varrimit, ishin gjeste që do të mbahen mend. Mund të sajoheshin një mijë pretekste për të mos e respektuar Sokolin sa u respektua, por u pa një shprehje njerëzore dhe fisnike jashtë së djathtës dhe së majtës politike. Dhe kjo na nderon. Në mënyrë krejt të kuptueshme, tek kam lexuar shkrimet e ndryshme që janë botuar këto ditë duke marrë shkas nga vdekja e papritur e Sokol Olldashit, më ka shkuar mendja te një fakt i fillimit të shekullit XIX. Poeti i shquar italian, Alessandro Manzoni, bashkëkohës i Napoleon Bonapartit, gjatë tërë kohës kur këtë njeri të madh të Francës e rrethonte brerorja e lavdisë, nuk tha asnjë fjalë për të. Lëvdatat dhe fyerjet e të tjerëve nuk e çekën. Vetëm kur u përhap lajmi i vdekjes së tij, Manzoni shkroi elegjinë 5 Maj, një xhevahir që ka mbetur edhe sot e kësaj dite në letërsi. Do të kisha dashur që të kishte ndodhur e njëjta gjë me ato që u shkruan për vdekjen e Olldashit. Nuk ndodhi. Dhe qe një rast humanizmi i humbur.


E njoh Sokolin që në adoleshencën e tij. Është shok i tim biri. I shkruaj këto rreshta duke mos e ndarë kujtimin e Sokolit nga vitet e adoleshencës së tim biri. Ishte vetëm dy vjeç kur “e përzunë” nga ai Blloku i famshëm, por dashakeqët i kujtonin gjithmonë se qe pinjoll Blloku?! Unë kujtoj gjithë jetën e tij në kërkim të ëndrrës që pjesa më e madhe e shqiptarëve vuanim të realizonim: – lirinë e fuqishëm punoi e sakrifikoi për demokracinë e Shqipërisë së re. Ai nuk e jetoi rininë si pjesa më e madhe e moshatarëve të vet: pamjen ia zinte padrejtësia dhe mujshia që shfaqeshin përqark tij, dhembshurinë ia vrau përndjekja që iu bë familjes, zemërbutësinë ia mohoi frika që ndienin njerëzit t’i afroheshin pjesëtarëve një familjeje të internuar në Selenicë. Por ai është Sokoli që kam njohur, i ndershëm mes mujshisë, i çiltër mes hipokrizisë, vetvetja mes falsitetit. Nuk është i rrëmbyer apo i zhurmshëm. I vetmi akt i rrëmbyer është rrugëtimi i tij i fundit. S’e ka për zemër fyerjen e tjetrit. Por atë vetë e fyen. Nuk besoj të ketë mbetur njeri pa u prekur nga supozimet e liga që u munduan të kalonin në heshtje faktin e dhimbshëm të vdekjes.

Nuk ka pretendimin e një poeti, por shkruan poezi. Forca e tij është logjika dhe guximi civil për ta thënë atë që mendon. Vlera e tij është të qenit njeri deri në fund. “Duhet të jemi të njëri-tjetrit”, thotë e ëma, Kozeta e butë, në një intervistë. Dhe ajo nënë e vuajtur asnjëherë nuk i ankohet të birit pse nuk i del koha të jetojë sa duhet me njerëzit e familjes. Nuk pati kohë ta qortonte as herës së fundit… E vetëdijshme që Koli i saj di ç’bën, se atë që bën e kryen me vullnet dhe me zell, ajo, dy djemve të Kolit u ka kushtuar tërë dhembshurinë që u kishte munguar bijve të vet. Sokolin e shoh përmes merakut, shpirtit dhe syve të mëmës së tij, Kozetës. Ashtu si ajo u përkushtohet njerëzve, ashtu edhe Sokoli u përkushtohet njerëzve, pa i vënë re dukjen dhe rëndësinë e postit. Kam njohur Sokolin e ri dhe në vesh kam diskutimet e tij për letërsinë, botën matanë, njoh Sokolin e kësaj kohe, përmes po asaj thjeshtësie dhe maturie, pa shumë fjalë, por bindshëm dhe besueshëm.

Nuk më bën dora të shkruaj foljet e këtij shkrimi në kohën e shkuar. Ka njerëz që ikin dhe harrohen, pasi nuk lënë pas asgjë. Kurse Sokol Olldashi është. Nëse do duam të mos ngecim në llucën e ndërgjegjes së molepsur, nëse do duam që demokracia të ketë vlerën e mirëfilltë dhe debatin publik të atillë që të dalë mbi gardhet e ngushta e gjithë gjemba të hatërmbetjeve, do kemi më shumë ç’të themi për të tjerë njerëz, që kanë profil të ngjashëm me atë të Sokolit, por ndoshta jo aq të guximshëm dhe “të rrëmbyer” sa ai. Meritoi fjalën prekëse të Astrit Patozit në ceremoninë e varrimit, edhe nderimin nga ana e Kuvendit, edhe përkujtimin e shokëve të tij të një rruge të përbashkët politike, edhe dhembshurinë e mbarë vendit. Ai i meriton të gjitha këto. Dhe përsëri diçka i mbetemi borxh.

Kur të kenë kaluar vite e vite, njerëzve me të cilët ka punuar, të mbushur me qartësi dhe maturi, do thonë me bindje: njohëm një burrë të denjë për të mos humbur në harresë. P.S. Më fal, Koli, nëse do meritoja çerekun e fjalëve të mira që janë thënë për ty, nëse do ishin një e qindta e njerëzve që të nderuan ty, duhej të ishe ti autori i radhëve dhe unë njeriu që do e lexoja nga kushedi se ku, por ti je gjithmonë lart ne të tjerëve, në të gjitha kuptimet e fjalës.

Share: