Sot, kush e kush më parë rend të diplomohet, të përfundojë masterin, doktoraturën, a ndonjë fakultet të dytë e të tretë. Rëndësi ka vetëm imazhi! Të prezantohesh si i diplomuar, madje doktorant do të ishte zgjidhja perfekte.
Ka shumë njerëz që mbartin “komplekse të thelluara ” dhe të cilët besojnë se kartoni do t’i bëjë të duken më të mirë e më të mençur. Por në fakt, efekti është krejt i kundërt. Ata bëhen tepër qesharakë, në sytë e të arsimuarve. Të blesh një diplomë do të thotë të gënjesh veten në radhë të parë, e të tjerët me radhë, përmes një fantazie të paskrupullt që të diskretiton, gjithnjë e më shumë.
Diploma e universitetit tregon vetëm se ke studiuar ose të paktën ke bërë përpjekje, edhe pse nuk përbën asnjë lloj garancie për aftësinë, kompetencën apo gjenialitetin e personit.
P.sh.: le t’i referohemi një figure të jashtëzakonshme si Abraham Lincolni, i cili vërtet nuk shkoi në universitet, por është konsideruar si një nga njerëzit më të shkëlqyer të ligjit të SHBA duke u nderuar me titullin (Honoris Causa ). Pra Lincolni nuk kishte kultivuar të tilla komplekse apo trauma psikologjike që ta nxisnin të blinte ” letrën me vlerë “, për t’ua demostruar më pas të tjerëve, a thua se ishte i nevojshëm aprovimi i tyre. Dhe ai mbetet një përjashtim i madh.
Këto komplekse krijojnë handikape të jashtëzakonshme në personalitetin e njeriut dhe gjenerojnë probleme sociale që mund ta çojnë shoqërinë e shtetin në destruksion. Në fakt duam apo s’duam ne, të tilla institucione ku mund të blesh një diplomë të falsifikuar ekzistojnë, janë të ligjëruara, të presin krahëhapur duke u shndërruar kështu në piramida gjëmëmëdha.
Pa moralizime; diplomat e universitetit nuk mund të blihen e shiten, por duhen fituar me djersë, përpjekje dhe vite të tëra përkushtimi, përndryshe do të hasemi me probleme tërësisht amorale e degraduese, përveç se me shkelje ligjore, sepse fiktiviteti dhe pirateria intelektuale sjellin regres kontinuitiv.
Të gjithë synojnë të bëhen juristë, doganierë, deputetë, financierë, dhe mjeshtëritë e elektriçistit, rrobaqepësit, zdrukthtarit, blegtorit, muratorit, hidraulikut e shumë të tjera që s’po më vijnë ndër mend, i kanë lënë pas dore e nuk gjykohen si dinjitoze, krahasuar me karrierën në biznes, politikë apo me të ardhmen akademike.
“Merre një diplomë! Blije ta kesh, se bukë e ujë s’kërkon!” I dëgjojmë vazhdimisht këto fraza të pakuptimta e absurde që zvetënojnë vlerat njerëzore dhe shthurin karakterin.
Prindërit shqiptarë sot mund t’i lejojnë vetes luksin që t’u dhurojnë diploma fëmijëve apo t’u blejnë vende pune. Ata kanë harruar se po rrisin njerëzit e së nesërmes, e po i shndërrojnë kështu në një brez të përdreqnuar, i cili ka krijuar bindjen se gjithçka blihet e shitet në tregun e mashtrimit; një brez i ri cinik, i anatemuar nga vlerat, që njeh vetëm çmimet përdhosëse, pafytyrësinë dhe mbi të gjitha, nuk dallon dot të vërtetën nga gënjeshtra.
Ç’mëkat!
Ndërkohë që të rinjtë duhet të formohen pa paragjykime, të etur për të shërbyer, si njerëz me ëndrra e dinjitet, ku materializmi dhe ambicia duhet të ndërlidhen me misionin, që secili lipset të përmbushë.
Marrëzia e një diplome i shtyn njerëzit të marrin hua apo kredi bankare. Kjo marri e mirëfilltë është dështimi total i një shoqërie, i një shteti, është një vetëvrasje e ngadaltë që korrupton shpirtin dhe rrëgjon intelektin.
George Bernard Shaw paralajmëron: “Kini kujdes nga njohuria e rrejshme: ajo është më e rrezikshme se padituria”.