Një grup të rinjsh, pjesë e Organizatës “Rezistenca Rinore” kanë protestuar këtë të enjte përpara Kryeministrisë pas miratimit të paketës “anti shpifje”.
Shumica socialiste miratoi të mërkurën me 82 vota pro në Kuvend paketën “anti shpifje”. Kundër kësaj pakete votuan 13 deputetë, 5 abstenuan dhe 5 deputetë nuk morën pjesë në votim.
Dhjetëra gazetarë, përfaqësues të organizatave të ndryshme të medias, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile, apo dhe të politikës, u mblodhën përpara parlamentit për të protestuar kundër së ashtuquajturës “paketë antishpifje”. Nga ana e tij, në fjalën e mbajtur në parlament Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë çdo pretendim se ndryshimet ligjore synojnë të cënojnë lirinë e fjalës.
“Kjo është çështje e kufizimit të lirisë për të shpifur duke ngritur akuza që janë penale. Por që të lëshosh akuza penale e të mos mbajnë asnjë përgjegjësi, kjo nuk mund të ndodhë. Të marrin përsipër minimalisht ta heqin, artikullin që nuk e provojnë dot”, tha kryeministri duke shtuar se “nuk ekziston mbyllja e portalev. Kush thotë këtë gënjen. Nuk ka lexuar ligjin. Nëse ka një element që nuk ka qenë fare pjesë e dikutimit, që në fillim, është e drejta për të mbyllur në sekondë çdo portal që ka pedofili, terrorizëm dhe kërcënim të sigurisë kombëtare”.
Kryeministri Rama deklaroi se “ligji është 100 për qind i përputhur me standardet ndërkombëtare. Këtë ua them të konfirmuar 100 për qind me shkrim nga institucioni i përcaktuar për të ndjekur këtë proces, që është OSBE-ja”./ Opinion.al