Home KRYESORE Masakra e Reçakut/ Thaçi i përgjigjet Vuçiçit, Meta kërkon drejtësi

Masakra e Reçakut/ Thaçi i përgjigjet Vuçiçit, Meta kërkon drejtësi

21 vite më parë në fshatin e Reçak ndodhi një nga masakrat më të mëdha të bëra nga ushtria serbe në Kosovë.

Në këtë fshat u ekzekutuan nga forcat policore dhe ushtarë serb 45 civilë. Lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbi dy dekada më parë, Presidenti Ilir Meta është në Kosovë, ku së bashku me homologun e tij kosovar Hashim Thaçi, zhvilluan homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak.

Në fjalën e tij, Thaçi i përcolli një mesazh të qartë Serbisë dhe Presidentit Aleksandër Vuçiç, duke thënë se nuk ka njeri në botë që mund të mohojë këtë masakër.

“Masakra e Recakut, një prej masakrave më të rënda të Serbisë. Masakra e Recakut është krim kundër njerëzimit, që ka kryer drejtpërdrejt shteti i Serbisë, që është gjenocid i Serbisë kundër popullit të Kosovës. Kjo masakër tregoi që Serbia po kryente spastrim etnik në Kosovë. Edhe kjo masakër, si gjithë të tjerët, do jenë ato që ne do kërkojmë vazhdimisht që të zbardhen. Drejtësia ndërkombëtare ka heshtur për këto masakra. Rrugëtimi jonë është ai euroatlantik, do punojmë fuqishëm për të ardhmen evropiane, por duke kërkuar drejtësinë që shteti i Serbisë duhet të japë llogari herët ose vonë për gjenocidin që ka kryer në Kosovë. Edhe tendenca e fshehjes, apo mohimit, është sjellje e mentalitetit të Milloshevicit, por kjo sjellje e Serbisë ka ardhur edhe për shkak të heshtjes ndërkombëtare. Ishte shtytje dhe guxim i autoriteteve të Serbisë për të mohuar masakrën, por nuk ka njeri në botë që e mohon.”|

Ndërkohë, presidenti i Shqipërisë tha “Çdo përpjekje për të mohuar këtë masakër, por edhe çdo masakër tjetër në këtë rajon është një rrezik për riciklimin e dhunës”.

Meta shtoi gjithashtu se drejtësia duhet të shkojë në vend dhe se të ata që e organizuan dhe e realizuan këtë masakër duhet ë marrin dënimin e merituar.

“Jo vetëm përkujtim dhe nderim i pakufishëm, por edhe kërkesë që drejtësia të shkojë deri në fund me ndëshkimin e orkestruesve dhe realizuesve tç Masakrës se Recakut”-tha Meta.

Çfarë ndodhi 21 vite më parë në Reçak?

Më 15 janar 1999 u ekzekutuan mizorisht 45 civilë shqiptarë në Reçak. Në mesin e tyre kishte burra, gra, pleq e fëmijë, pikërisht sic do të duhej të tregonin këto pllaka përkujtimore të cilat fatkeqësisht duken në shkatërrim e sipër. Pakkush mund të lexojë emrat e të vrarëve apo vitin e lindjes pasi shkronjat e arta vec kanë rënë dhe fotografitë rrezikojnë të fshihen nga mungesa e mirëmbajtjes.

Një situatë e tillë edhe mund të ishte shqetësuese për familjarët e të vrarëve sikur ata të mos kishin halle të tjera, luftën për mbijetesë në vendin e çliruar. Kjo grua e cila humbi bashkëshortin dhe mbeti vetëm me gjashtë fëmijë thotë se nuk gëzon asnjë mbështetje nga shteti i Kosovës. Arsyetimi për këtë është se bashkëshorti i saj Njazi Zymeri “nuk është Dëshmor i Kombit pasi nuk ka rënë me pushkë në dorë”.

“Me 6 fëmijë më la. Vec për hatër të fëmijëve dhe shteti nuk na ndihmon. Kam 6 fëmijë dhe nuk jemi familje dëshmorësh. As të drejta shkollimi dhe as të drejta të tjera nuk na japin”, thotë Naile Zymeri.

Për homazh ndonëse shumë shkurt në kompleksin memorial të Recakut qëndroi edhe Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga. Trëndafilët e bardhë me shkronjën V të ngjitur mbi varreza u vunë nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe aktivistë të tjerë.

Kryeministri Hashim Thaçi nëpërmjet një postimi në Facebook kujtoi këtë ngjarje si një akt çnjerëzor që tronditi ndjenjat e botës demokratike në shkallë planetare. “Falë shpejtësisë së informimit dhe ndjeshmërisë politike të botës demokratike, Reçaku u bë pikë kthese e zhvillimeve të vrullshme diplomatike, përshpejtimit për organizimin e Konferencës Ndërkombëtare të Rambujesë”, shkruan kryeministri i Kosovës./ Opinion.al

Share: