Nga ARTUR NURA
Spunton e këtij shkrimi të sotëm e gjeta në një forum shqiptar të ndërtuar në “FaceBook”, me temë të njëjtë me titullin më sipër, ku të rinjtë kryesisht jashtë Shqipërisë, në mënyrën e tyre analizonin thjesht këtë realitet njerëzor të cilin (në forma të ndryshme) secili nga ne e përjeton!
Ndërsa shkruaj këtë shkrim, më duhet gjithashtu të uroj të gjitha ata shqiptarë që kanë zgjedhur të agjërojnë muajin Ramazanin dha padyshim të gjithë ata që e ndjejnë veten myslimanë, por padyshim që tema u përket të gjithëve, pavarësisht besimit, të cilin kanë zgjedhur të praktikojnë!
Në fakt edhe për shkak të eksperiencës televizive dhe realizmit të një serie emisionesh me këtë temë, realizuar në disa televizione, më duhet të them se personalisht nuk kam gjetur ndonjë diferencë thelbësore midis feve të ndryshme, kjo parë përballë kërkesave të individit ose besimtarit!
Sigurisht përveç ndasive tokësore, apo politike, të cilat konfigurohen sipas ndarjes fetare të shteteve, të cilat krijojnë një hartë tjetër të botës njerëzore, e cila kompozohet nga ndasi kombesh, gjuhësh, kulturash, ekonomish dhe perceptimesh të ndryshme, por tek e fundit bashkohet në bindjen se ka vetëm një Zot!
Natyrisht ky konfigurim shumëngjyrësh nuk do të kishte asgjë të keqe nëse njerëzit nuk do të konceptonin përgjithësisht të ndryshmen si të kundërt, nëse interesat gjeopolitike dhe ekonomike nuk do të keqpërdornin bindjet fetare të shoqërive, kombeve dhe individëve përkatës, kjo për më shumë pushtet ekonomik dhe gjeopolitik.
Përtej kësaj, personalisht besoj se gjithsecili nga praktikantët e ndryshëm të shoqërisë njerëzore që shkojnë në kishë, xhami, teqe, sinagogë apo… e bëjnë këtë veprim thjesht për të njëjtat nevoja dhe motive njerëzore të pashmangshme.
Të gjithë këta njerëz, pavarësisht përkatësisë fetare apo kombëtare, nëpërmjet institucioneve të kultit kërkojnë të gjejnë atë që nuk mund ta gjejnë në jetën e përditshme: përsosmërinë shoqërore, drejtësinë hyjnore – njerëzore, zgjidhjen e problemeve të cilën nuk kanë mundur ta gjejnë në mënyrat klasike të së përditshmes tokësore.
Nuk është se jam fans i filozofisë Da Vinçiane te Deizmit, por besoj se tek Zoti gjithsecili prej besimtarëve, pavarësisht përkatësisë fetare apo kombëtare gjen atë që i mungon në jetën tokësore, qoftë kjo shpirtërore, shoqërore apo fizike…
A ka argumente shkencore, për të vërtetuar ekzistencën e Tij?
Në rastin e besimit ndaj Zotit, apo të bindjeve në të mbinatyrshmen nuk kemi të bëjmë me një shkencë ekzakte, ndaj duhet thënë se parimisht sigurisht që ka arsye shkencore, por këto në fakt, jo të gjithë i pranojnë.
Ky fenomen ndodh edhe për një arsye të thjeshtë njerëzore, e cila ka të bëjë me faktin se lidhja e individit me Zotin, apo të mbinatyrshmen, është krejtësisht eksperiencë personale dhe në të gjitha rastet ka veçantitë e saj unike.
Jo në pak raste gjatë jetës sonë kemi njohur njerëz ateistë që sot janë besimtarë, nga të cilët ka edhe nga ata që bëhen dhe më shumë se kaq, pra praktikantë të feve përkatëse. Kjo ndodh padyshim pas një eksperience personale të gjithsecilit, e cila lidhet me transformimin e bindjeve të tij apo të saj.
Sigurisht që ky transformim bindjesh ndodh pas një ngjarjeje të caktuar, e cila nuk gjen shpjegim nga një arsye racionale, apo shkencore, të paktën deri në momentin që ndodh! Këto lloj ngjarjesh mund të jenë të shumëllojshme, por principalisht duhet të ketë më shumë me fenomene midis jetës dhe vdekjes!
Një sëmundje e pashërueshme, një shërim sëmundjeje i pashpjegueshëm deri në momentin që ndodh, një fenomen natyror i jashtëzakonshëm, një fenomen biologjik përtej të shpjegueshmes, një individ që di të shpjegoj më mirë se ty, e kështu me radhë!
Gjenetika, shkenca midis besimit dhe fesë
Dua t’i kujtoj lexuesit se dikur kur dëgjonim të vjetrit të na thoshin: “Gjithçka është e e shkruar” na vinte vetëm për të qeshur! Sot, padyshim që nuk bëjmë të njëjtën gjë! Kemi reflektuar dhe mendojmë se ajo thënie, mund të përfaqësojë një filozofi popullore brezash e mbështetur mbi eksperienca jetësore të njerëzve të çfarëdo lloji, të cilët bashkohen në të njëjtin opinion!
Në fakt sot një nga shkencat më moderne, gjenetika, ka zbuluar se secili nga individët trashëgon genin e prindërve të tij në trup dhe mendje dhe jeton deri diku sipas asaj që është e parathënë në këtë gen (ADN).
Në filozofinë popullore kjo do të thotë që secili nga ne trashëgon, jo atë që dëshiron, por atë që ja ka paracaktuar fati! Akoma më thjesht duhet thënë se (për shembull) personalisht mund të doja të kisha lindur i biri i qytetarit X në Evropë, por ja që kam lindur ky që jam!
Deri këtu kjo përkon vetëm me besimin njerëzor për ekzistencën e së mbinatyrshmes dhe një lloj paracaktimi të jetës së tij nga kjo e fundit! Por, shkenca e gjenetikës ka zbuluar edhe më shumë se kaq dhe po përdoret për kurimin e shumë sëmundjeve të ndryshme gjenetike dhe biologjike.
Kjo arritje përkon me pozicionin e feve karshi këtij fenomeni, përderisa kjo shkencë është afër realizimit të klonimit të individit, gjë për të cilën duhet folur në një shkrim tjetër…