Home Gjeo-Ekonomia Nacionalizmi dhe Steriotipet Socio-Politike të Shqiptarëve

Nacionalizmi dhe Steriotipet Socio-Politike të Shqiptarëve

Nga Artur Nura

Nacionalizmi vazhdon të jetë një kërcënim i rrezikshëm për Ballkanin e trazuar prej më shumë se një shekulli nga keq-perceptimi dhe keq-interpretimi i këtij nocion-fenomeni akoma kërcënues sot e gjithë ditën. 

Kjo ndodh, ndërsa të gjitha vendet  Ballkanike parimisht synojnë të jenë pjesë të Europës së Bashkuar, dhe pengesa kryesore për një hap të tillë cilësor mbetet padyshim nacionalzmi primitiv.

Në fakt, edhe Greqia që është për arsye dhe interesa gjeopolitike prej vitesh vend anëtar i kësaj familje të madhe dhe prosperuese, vuan në vazhdimësi nga kjo sëmundje e së shkuarës sonë të përbashkët. Për fat të mirë, në mënyrë më pak kërcënuese se gjetkë në ish Jugosllavi. 

Pjesa tjetër e Europës padyshim tashmë shfaqet Formalisht e pajtuar dhe drejt unikes nën shembullin e SHBA-së, por ka shumë rrugë për të bërë dhe ajo! Anglisë, Francës, Germanisë, Italisë, etj që në të shkuarën kishin luftuar në mënyrë të përgjakshme ndaj njëra-tjetrës edhe në emër të nacionalizmave, tashmë janë aleat afatgjatë dhe “ortak strategjik ” pavarësisht diferencave Jo të vogla!

Në Europën e zhvilluar ku të gjitha Kombet e Ballkanit synojnë të shkojnë, ndryshimet emotive nacionale vijnë çdo ditë e më shumë të reduktohen vetëm në bashkëjetesë të së ndryshmes dhe properitetit të përbashkët racional.

Lajthitjet e caktuara të udhëheqësve të caktuar, si ai i rastit të ish Kryeminitrit të Italisë Silvio Berluskonit ndaj një Eurodeputeti Gjerman dhe të shkuarës së nacionalizmit ekstrem të Gjermanisë pas kërkimit të ndjesës qytetare, përfundojnë vetëm në faqet e shtypit të humorit. Nocioni i luftës dhe veçanërisht ai i mbështetur në konceptet emotive nacionaliste tashmë rezulton pjesë vetëm e së shkuarës së Europës. 

Nga kjo panoramë civile dhe e emancipuar duhet të mësojmë shumë ne Ballkanasit. Dhjetë vitet e fundit të përgjakshme të shpërbërjes së Jugosllavisë, e shkuara e dhunshme Jugosllave për Shqiptarët, Lufta Civile në Maqedoni, nuk duhen harruar kurrë, por duhen parë me sytë nga e ardhmja e përbashkët që të mos përsëriten më. 

Ndërkohë tashmë është e sigurtë që të fundit që do ta kuptojnë me këtë këndvështrim historinë tonë të përbashkët Ballkanike janë Serbët. Ata në fakt kanë qenë më shumë autorë-aktorë në këtë “Teatër Tragjik të Ballkanit” që për fat të mirë të të gjithëve, tashmë ka autorë të rinj më të moderuar.

Autorësinë e “Shekpspirit Tragjik Ruso-Sllavë të Ballkanit” e ka zënë Vendi i Statujës së Lirisë dhe ruajtësi i ekzistencës së Shqipërisë në vitet 1920, pra vendi ku nacionalizmi është konvertuar në Amerikanizëm Federal. 

SHBA-të janë i vetmi vend i madh i Botës ku ka vetëm një flamur të rëndësishëm. Europa ka akoma rrugë për të bërë që të arrijë deri në kohën kur Flamuri i Europës të jetë në nivelin e atij të SHBA-ve. Padyshim ne Ballkanasit kemi akoma shumë më shumë rrugë për të bërë…

Individi dhe Shteti i Shqipërisë

Për të qenë racional në analizën time dua të them se besoj që shumica e lexuesve janë dakort me bindjen time se ne, si shoqëri në zhvillim që jemi, nuk e kemi kuptuar se pa Shtet të fortë nuk bëhet dot përpara për të arritur atu ku duam.  

Në fakt Shtetin, për shumë arsye edhe sot e kësaj dite, e shohim si kundërshtar të interesave tona private. Mjafton ti hedhësh një sy të gjitha ndryshimeve të sistemeve politike apo të ndryshimit të pushteteve, duke filluar që nga periudhat e para të ndërtimit të Shtetit Shqiptar 1912–1913  deri më sot në 2008 dhe të biesh dakort me këtë tezë realiste!

Këto periudha historike përgjithësisht janë shoqëruar me ushtrime të dhunës ndaj institucioneve të Shtetit. Pavarësisht se e kanë bërë me të drejtë ose jo, individi ynë kurrë nuk e ka kuptuar se të gjitha këto dëmtime ishin në disfavor të portofolit të tyre individual dhe të ardhmes së tyre familjare dhe shoqërore.

Individi, pra ti, unë, ne, ata dhe ato, të dikurshmit dhe të sotmit, kemi shkatërruar insitucionet shtetërore sikur të ishin ndërtesa dhe administrata të një vendi armik dhe jo të Atdheut të përbashkët. 

Për shkak të mënyrës me të cilën u pranua ndërkombëtarisht Shteti modest Shqiptar, pushteti në Shqipëri nuk është arritur kurrë pa mbështetje politike nga jashtë. Kjo ka bërë që kur vihej në pushtet me mbështetje të Romës, kishe kundra Athinën dhe Beogradin! Kur vije në pushtet me mbështetje të Beogradit, kishe kundër Romën dhe Athinën e anasjelltas!

Ky fenomen gjeopolitik ka bërë që palët partiako-politike të mos e trajtonin njëri – tjetrin si të ndryshëm, por si të kundërt. Në historinë tonë politike ka rezultuar që kompromisi midis palëve, të cilat kanë patur pas tyre mbështetje të ndryshme gjeopolitike me interesat përkatëse antagoniste, të ishte jashtëzakonisht i vështirë dhe herë, herë i pamundur.

Kjo padyshim është trasmetuar në mënyrë konstante edhe tek individi ynë, i cili në vëmendjen time “të ndryshmen” e ka trajtuar vazhdimisht si “të kundërt” dhe këtë fenomen e shquan pa shumë vështirësi edhe në fjalorin e përditshëm të shumicës sonë. 

Nacionalizmi për ne Shqiptarët e Shqipërisë

Personalisht besoj se koncepti i nacionalizmit është relativ në Shqipëri. Gjatë periudhës së Diktaturës kur nacionalizmi na shfaqej dhunshëm në dimesionin partiak komunist ai ishte sigurisht artificial. 

Krenaria nacional-socialiste e dekadave të Shqipërisë Komuniste që “ndriçonte” Europën, sigurisht ditën që Shqiptarët do ta linin në masë Atdheun e tyre për të provuar Democracinë ekonomike dhe politike Europiane, padyshim që do të shembte në mënyrë dramatike këtë formin artificial të njeriut të ri Shqiptar.

Drama psiko-sociale do të ishte shumë e madhe dhe mjaft prej tyre, përgjithësisht të paformuar drejtë, do të arrinin të mohonin prejardhjen e tyre Shqiptare dhe të gjenin “Atdheun e ri” aty ku filluan të ndjeheshin më krenar për ç’ka ishin dhe mund ti ofronin shoqërisë që i priti.

Për ta nacionalizmi tashmë ishte me të drejtë i pavlerë dhe primtiv. Në vendet e Europës ku u stabilizuan, ata gjetën mundësinë të shpreheshin pa frikë për atë ç’ka mendonin dhe ndjenin, të jetonin me dinjitet ekonomik dhe të lëviznin lirisht duke parë nga e ardhmja e tyre Europiane.

Atje mësuan se mendimet dhe interesat e kundërta mund të zgjidheshin ose nëpërmjet metodës Angleze të bastit, ose asaj Europiane të Gjykatës, por kurrsesi jo nëpërmjet ndërhyrjes  partiake apo vetëgjyqësisë.

Gjëja më e rëndësishme që emigrantët tanë mësuan parimisht në vendet e Europës është fakti domethënës që Shteti dhe Institucionet e Tij duhen respektuar si instrumenti më i domosdoshëm dhe rregullator i shoqërisë dhe familjes.

Shqiptarët e ish Jugosllavisë janë të ndryshëm nga ne të “Shtetit Amë”

Shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e më gjerë nga pikëpamja socio-politike, janë të ndryshëm me ne të Shqipërisë, të paktën në njohjen dhe bindjen time personale. Kjo fotografi e ndryshme socio-politike padyshim që ka arsyet e veta praktike.

Duke iu referuar fillimisht periudhës së Diktaturës padyshim duhet thënë se ata kanë jetuar në një sistem më fleksibël komunist dhe e gjithë praktika e sundimit politik e administrativ të shtetit në rastin e tyre ka qenë e dominuar nga Etni të tjera jo Shqiptare.

Kjo ka bërë që pakënaqësia e individid Shqiptar të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e tjerë ndaj Institucionit Shtet të tyre të jetë konvertuar në atë ndaj Etnisë sunduese duke sjellë një sens patriotiko-etnik më racional në këto troje.

Edhe raporti i individit me Fenë në këto troje Shqiptare ka qenë dhe është i ndryshëm me tonin që kemi kalur një periudhë të gjatë në sundimin Ateist të rregjimit të Enver Hoxhës “Zot” dhe sundimtar absolut.

Atyre në mënyrë të veçantë u ka shërbyer Feja Muslimane e cila i bënte të mbijetonin se të ndryshëm nga sunduesit e etnive përkatëse, Serbe, Maqedonase apo Malazeze. padyshim duke i rezistuar më mirë tentativave konseguente asimiluese të sunduesve të cilit ishin Kristianë Ortodoksë. 

Kosova Shtet ndryshon steriotipin tonë socio-politik të përbashkët

Tashmë që Kosova është Shtet i Pavaruar, besoj se për kaq sa thamë dhe për aq sa na lejon një shkrim i këtij niveli, mjafton që të marrim apriori si të mundur që relacioni i Individit Kosovar me Shtetin e tyre do jetë më pozitiv.

Personalisht kam patur mundësi të vizitoj shpesh, Parlamentin Shqiptar, Italian, Maqedonas, Europian dhe atë të Kosovës ku, si gazetar apo mik, më është dashur të bashkëbisedoj me parlamentarët e ndryshem në kafenetë përkatëse të këtyre Institucioneve.

Vetëm në Parlamentin e Kosovës dhe atë të Maqedonisë kam vënë re se respekti për Institucionin ku deputeti bën pjesë është i lartë dhe i admirueshëm. Aty, kur njoftohej fillimi i Seancës Parlamentare kafenetë zbrazeshin në pak çaste!

Kjo gjë në ekperiencen time nuk ndodh as në Parlamentin e Tiranës, as në atë të Romës dhe as në Parlamentin Europian në Bruksel apo Straburg. Një sjellje e tillë është për t`u komplimentuar dhe është domethënëse padyshim për analizën tonë. 

Unë kam patur gjithashtu mundësinë të vizitoj, për herë të parë në jetën time, Kosovën dy ditë pas Luftës në vitin 1999. Kosovarët u kthyen në shtëpitë e tyre në një kohë aq të shkurtër pas lufte, sa askush nuk u besoi syve të tij. 

Vetëm një përqindje e vogël qëndroi në Shtetet që i mirëpritën, të tjerët preferuan  të kthehen e ti shtrohen punës, ndërtimit të shtëpive apo dyqaneve të djegura, rrugës së Shtetit të tyre. 

Një nga arsyet që kanë shtyrë Kosovarët të realizojnë një kthim kaq të shpejtë është fakti se ata fotografinë e pronave e kanë në rreth 85% të zgjidhur ne favor te individit pronar te ligjshem dhe se e kanë ëndërruar Shtetin e Kosovës të paktën prej një shekulli.

Tashmë që kjo ëndërr u realizua dhe ata kanë Shtetin e tyre, Shqiptarët e Maqedonisë dhe ne të Shqipërisë e të tjerët, jemi më afër me njëri – tjetrin, rrugët midis këtyre Shteteve janë të lira dhe po bëhen më të shkurtëra. 

Kemi pra rregjim të lirë lëvizjeje midis Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe me realizimin e rrugës së madhe Durrës–Kukës jemi më të lidhur me njërintjetrin; Kemi pra ç’të shkëmbejmë dhe ndryshojmë së bashku në rrugën për në Europën e madhe dhe të zhvilluar me integrimin midis nesh dhe Europës në një të vetme dhe te integruar..,

Share: