Home KRYESORE Poezi nga Gladiola JORBUS

Poezi nga Gladiola JORBUS

Ëndërr e zhgjëndërrt

Jeta,
fluturim, në një qiell enigmash,
që nuk i gjendet fundi.
E ardhmja,
një kanavacë misterioze, e gjitha në të bardha.
E kaluara,
një tablo, mbi të cilën së dyti nuk mund të pikturosh.
E tashmja,
lutet për butësinë e një prekjeje që quhet fat.
Dashuria,
Herë shfaqet e zjarrtë, e herë plot hije të zeza dëshpëruese.
Herë si trishtim njëngjyrësh blu, e herë si dhembje e padurueshme.
Koha,
ngadalë muzgun nis të pikturojë mbi portrete
dhe agimi i ngjan një ëndrre të zhgjëndërrt.
Ndodh,
që pranvera, janarin të mbushë me lule
dhe korriku të dridhet nga thëllimi i shkurtit.
Ndodh,
që dielli të mos lindë dhe sërish të shpresosh…

Lotët e tu

Ambroz perëndish.
Të çmuar,
Si uji në Jug të globit.
E kur çurgë rrjedhin,
engjëjt qajnë me ty.
Koha ndalet
Dhe qielli hesht.

Të dashurosh në distancë

Dashuri në koma,
si zemër e burgosur
Pas një trupi mungues.
Çarçafët e palëvizshëm
Thellë psherëtijnë.
Të dashurosh distancën
që tretet mbi lëkurë
e frymën mpak.
Kilometrat mes nesh
Ëndrrat, ditët gllabërojnë.
Akt i fundit dhe i parë.
Lutjet e natës
Të përsërisësh çdo mëngjes.

Disa njerëz

Disa njerëz na ndezin
një det të pakontrolluar mërie.
Të tjerë ecin për shumë hëna
në shtegun pranë nesh.
E të tjerë akoma
nuk i shohim dot,
as në hapësirën midis dy pëllëmbëve.
Stinët përshkoqen dhe gjethet
e dashura fluturojnë larg.
Dikush mund të vizatojë
Qindra buzëqeshje mbi buzët tona.
E dikush të na bëjë të shpërthejmë
Në një shtrëngatë të marrë lotësh.
Disa njerëz i takojmë në udhëkryqet
E jetës për të na dhuruar lumturinë.
E të tjerë për të na njohur
me dhembjen, trishtimin, vetminë.
Të gjithëve u japim diçka nga vetja
Dhe i lëmë të marrin pak prej nesh.
Sepse shpirtrat, me njëri-tjetrin
Kurrë nuk takohen rastësisht.

Zëri i zemrës

Pranë teje,
Ndjeva zgjimet më të ëmbla në jetë.
Puthja e mëngjesit –
Mjegullën treti
në sytë e mi.
Dhe retë u ngjanin
mjellmave të bardha.
Pyetmë, ç’të duash –
Do të të përgjigjem pa fjalë.
Zëri i zemrës
Mund të fluturojë mbi oqeane vetmish.
Dhe botën të të falë në krahë…

Nata e Shën Lorencit

Në natën e nxehtë të gushtit,
Sodis yjet e Shën Lorencit.
Nga qielli pikojnë
si perla të çmuara.
Dhe ti më përvidhesh në zgjojet e shpirtit.
Përkëdhel muzgëtirat, shirat e vjeshtës
E agullimat e mia.
Më mbështjell me tisin e butë
Të qenies sate.
Kridhesh në dyshimet trazuese
dhe ndijimet e turbullta.
Frymëmarrja ime e ethshme.
A do të kryqëzohen shpirtrat tanë
një ditë?!

Share: