Home KRYESORE Rusia akuzon SHBA-në për rritjen e tensioneve në nivel botëror

Rusia akuzon SHBA-në për rritjen e tensioneve në nivel botëror

Ministri i Jashtëm në detyrë i Rusisë, Sergey Lavrov, ka fajësuar politikat “agresive” të SHBA-së për rritjen tensioneve në nivel botëror.

Duke folur në konferencën e tij vjetore për media, Lavrov e cilësoi rrëzimin e avionit ukrainas, nga forcat iraniane të mbrojtjes ajrore, si një sinjal paralajmërues për të filluar qetësimin e situatës.

“Një rritje e tensioneve midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara nuk do të ndihmojë në zgjidhjen e asnjëres prej krizave në rajon”, tha Lavrov.

Ministri shtoi se nuk po “justifikonte askënd”, por sipas tij operacioni “i pashembullt” i SHBA-së “minoi dhe vuri në dyshim të gjitha normat e ligjit ndërkombëtar.”

Lavrov gjithashtu kritikoi Britaninë, Francën dhe Gjermaninë për nxitjen e një mekanizmi përçarës, sa i përket marrëveshjes bërthamore midis Iranit dhe fuqive globale.

Ai përmendi uljen e angazhimit të Teheranit në këtë marrëveshje, të cilën Shtetet e Bashkuara e braktisën në vitin 2018.

Palët e mbetura të marrëveshjes, tre fuqitë evropiane, plus Kina dhe Rusia janë zotuar ta mbajnë “të gjallë” marrëveshjen. Por, partnerët evropianë nuk kanë qenë në gjendje t’i ofrojnë Teheranit një zgjidhje për të shitur naftën e papërpunuar jashtë vendit, pavarësisht sanksioneve të SHBA-së.

Kjo situatë ka bërë që vlera e monedhës së Iranit të pësojë rënie, duke ngritur nivelet e inflacionit./Opinion.al

Share: