Home KRYESORE Buxhetit i mungojnë 180 mln euro nga taksat në 2019, mosrealizim historik

Buxhetit i mungojnë 180 mln euro nga taksat në 2019, mosrealizim historik

2019-a u mbyll me të ardhura totale prej 460.3 miliardë lekësh, ose 3.7 miliardë eurosh. Në krahasim me një vit më parë, të ardhurat u rritën me 2.4%. Nëse marrim në konsideratë inflacionin (1.4% mesatarja e 2019-s) dhe rritjen ekonomike (2.7% e pritshme), atëhere rritja reale e të ardhurave është negative, prej -1.7%.

Në krahasim me planin, buxheti është minus me 26.3 miliardë lekë,  nga të cilat 6.3 miliardë lekë nga ndihmat dhe 22 miliardë lekë, ose rreth 180 milionë euro nga të ardhurat e planifikuara tatimore. Sipas të dhënave historike, të përpunuara nga Monitor, ky është niveli më i lartë i mosrealizimit të planit të të ardhurave tatimore, të paktën që nga viti 2009, kur raportohen të dhënat faktike dhe të planit. (shih grafikun).  Mosrealizimi vjen si rrjedhojë e rritjes së ulët të të ardhurave, por dhe planifikimit optimist që bëhet gjithnjë në fillim të vitit. Të dhënat historike tregojnë se vetëm në 2013-n plani është tejkaluar (ndonëse ai ishte caktuar shumë i ulët pasi të ardhurat reale ishin me rënie), në vitet e tjera, të ardhurat tatimore kanë qenë gjithnjë më të ulëta se plani.

TVSH-ja, zëri që sjell më shumë të ardhura në buxhet, kishte dhe mosrealizimin më të madh të planit, me -19 miliardë lekë. Të ardhurta nga TVSH shënuan dhe një rënie vjetore me 7.7% në raport me faktin e një viti më parë. Financat kanë sqaruar se kjo tendencë ka ardhur për shkak të përjashtimit nga TVSH të nënkontraktorëve të TAP, uljes së çmimeve të disa produkteve të importit, mbylljes së lojërave të fatit, zerimi i TVSH-së për produktet bujqësore. Në total, TVSH solli 144 miliardë lekë në buxhet, ose rreth 32% të totalit të buxhetit.

Të ardhurat nga tatim fitimi dhe ato personale ishin me tejkalim plani dhe rritje përkatësish 6.2% dhe 26% në raport me faktin e 2018-s. Rritja e lartë e tatimit të të ardhurave personale u ndikua dhe nga ulja e tatimit për dividendin nga 15 në 8% me efekt prapaveprues që nxiti bizneset të shpërndanin fitimet e mbartura.

Të ardhurat nga akciz u rritën me 3.6%, ato nga pushteti vendor me 5.7%. Taksa mbi pasurinë ishte në të njëjtat nivele të një viti më parë dhe 1.7 miliardë lekë më pak se plani, teksa zbatimi i formulës së re të taksimit të pronës nuk u vu në zbatim për shkak të vështirësive me identifikimin e vlerës së pasurive.

Sigurimet shoqërore u rritën me 6%, në linjë me planin e fillim vitit.

Të ardhurat jo tatimore u rritën me 15% të ndikuara nga performanca e mirë e institucioneve buxhetore.

Dhjetori, ndikimi nga tërmeti dhe parashikimi jo realist për 2020

Në dhjetor u mblodhën 39 miliardë lekë në total, pak a shumë në të njëjtin nivel me mesataren vjetore, por ecuri u nxit nga ndihmat dhe mbështetja buxhetore pas tërmetit që arritën në rreth 4 miliardë lekë.

Të ardhurat tatimore në dhjetor ishin 31 miliardë lekë, duke qenë shumë poshtë mesatares prej gati 36 miliardë lekësh të 11 muajve të mëparshëm dhe planit prej 42 miliardë lekësh të parashikuar në fillim të vitit.

Për vitin 2020, parashikimi në buxhet mbetet për një nivel të ardhurash tatimore prej gati 500 miliardë lekësh, ose rreth 40 miliardë lekë më shumë se fakti i 2019-s, që praktikisht duket i paarritshëm, duke pasur parasysh që në 2019-n, një vit normal pa goditjen e tërmetit, të ardhurat ishin vetëm 11 miliardë lekë më pak se një vit më parë.

Në vlerë absolute të ardhurat tatimore u rritën me vetëm 7 miliardë lekë në 2019-n, më e ulëta që nga 2015-a (shih grafikun). Për 2020-n parashikohet që të ardhurat tatimore të rriten me 39 miliardë lekë në raport me 2019-n, një parashikim jo realist duke pasur parasysh ekonominë e dobësuar nga tërmeti. Një rritje e tillë është konstatuar vetëm në 2014-n, periudhë që u shoqërua me një rritje të ndjeshme taksash për biznesin e madh!

Në momentin që të ardhurat nuk realizohen, qeveria është e detyruar të shkurtojë shpenzimet e planifikuara, në mënyrë që të ruajë parametrat e deficitit,  ku ato që preken janë investimet kapitale. /monitor.al

Share: