Pas dy ditëve takimesh në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, kryeministri Edi Rama, ka komentuar deklaratat e presidentit francez Macron, i cili u shpreh se anëtarësimi i Shqipërisë dhe e Maqedonisë së Veriut do të varet nga rekomandimi i Komisionit Europian.
Kreu i ekzekutivit u shpreh se ky është një sinjal pozitiv, por nuk kemi pse ushqejmë veten me iluzione edhe pse shumë legjitime. Sipas tij negociatat nuk varen sërish nga Shqipëria por nga procesi i brendshëm i BE, prandaj Shqipëria duhet të punojë njëlloj sikur ato t’i ishin hapur.
”Në fakt unë nuk e ndoqa dot Presidentin se isha në takime të tjera por nga sa munda të lexoj është një sinjal pozitiv. Unë dëshiroj t’ju them se nuk kemi pse ushqejmë veten me iluzione dhe dëshira të skajshme edhe pse shumë legjitime sepse kjo nuk varet nga ne. Le të presim me durim dhe të punojmë me këmbëngulje ashtu siç do të punonim po të ishin hapur negociatat”- tha Rama.
Sa i takon mbështetjes europiane për dëmet e tërmetit të 26 nëntorit, që do të konkretizohen pas disa ditësh në Konferencën e Donatorëve në Bruksel, Rama u shpreh se nuk ka një pritshmëri të caktuar.
Ai tha se nuk bëhet fjalë për të plotësuar të gjitha nevojat por mbetemi në një nivel që sado modest të mund të ketë peshë në proces.
“Kam nje pritmëri të caktuar, nuk bëhet fjalë që të përmbushim të gjitha nevojat, por të arrijmë në një nivel që sado modest të ketë një peshë. Nëse realizojmë këtë do të jemi të kënaqur, nëse shkojmë përtej ne do të jemi të lumtur”, tha Rama./Opinion.al